info@hibrid.info
Ndërlidhje pa bazë e emrit të Kurtit me një ngjarje në veri
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

“Bandat e Kurtit nuk kanë kufij: Lirohen të dyshuarit për tentim-kidnapimin e një vajze serbe” mban titullin një artikull, në gjuhën serbe, i publikuar nga “pravda.rs” në datën 15 tetor.

Artikulli përmban shkrimin e publikuar nga mediumi në gjuhën serbe “Kosovo-online” që ka raportuar se nëna e një vajze 16-vjeçare nga Zveçani ka thënë se Prokuroria Themelore në Mitrovicën e Veriut ricilësoi veprën nga “tentim-kidnapimi në sulm” dhe se të dyshuarit për rastin që ka ndodhur të premten janë liruar.

Çka nuk shkon me titullin e “pravda.rs”?

Përderisa titulli pretendon se bëhet fjalë për një “bandë të Kurtit”, një gjë e tillë nuk argumentohet në përmbajtje dhe madje nuk ka asnjë fjalë tjetër që e lidh me emrin e Kurtit.


Çka përmban artikulli?

Në përmbajtje, artikulli është i njëjtë me atë të “Kosovo-Online”, përpos titullit. “Kosovo-online” ka përdorur titullin “E ëma e vajzës: Prokuroria ndryshoi tentim-kidnapimin në sulm, të dyshuarit u liruan”.

Në përmbajtje është shkruar për deklaratën e Snezana Stevanoviq, që ka thënë për këtë medium se dy të arrestuarit janë liruar e se u është caktuar një urdhër që ua ndalon afrimin te e bija e saj dhe vepra e dyshuar është rikualifikuar nga tentim-kidnapimi në sulm. Ajo po ashtu ka thënë se ndien pasiguri për të dhe familjen e saj dhe se është e detyruar ta përcjellë vajzën në shkollë çdo ditë e ta presë pas mësimit.

Në fund të artikullit janë dhënë detaje se rasti ka ndodhur më 10 tetor, kur dy burra dyshohet se në Mitrovicë të Veriut i kishin kërkuar 16-vjeçares të futej në automjet me ta, dhe se këtë e kishin bërë tre herë edhe pse ajo ka refuzuar. Po ashtu aty theksohet se Policia e Kosovës ka konfirmuar se dy të arrestuarit për “Rrëmbim në tentativë në bashkëkryerje” janë A.P. dhe G.M..


Nga ky medium të arrestuarit citohen si “bandë e Kurtit” duke vazhduar narrativën në Serbi për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për kinse “formë sistematike të dhunës”. Hibrid.info ka trajtuar në vazhdimësi raportime të ngjashme nga mediat në gjuhën serbe që ndërlidhin pa kurrfarë baze emrin e Kurtit me raste lokale në veri ose zona ku ka serbë në Kosovë (shih këtu, këtu dhe këtu).


Analiza:

Mediumi në gjuhën serbe “pravda.rs” ka ndërlidhur pa fakte emrin e Kurtit në një titull për një artikull lidhur me një rast në veri të Kosovës, për të cilin një grua ka thënë se dy të dyshuarit për tentim-kidnapimin e vajzës së saj janë liruar nga autoritetet e Kosovës.

Përderisa përmbajtja e shkrimit është e njëjtë me atë të “Kosovo-online”, “pravda.rs” ka përdorur titull tjetër të cilin nuk e ka mbështetur me asnjë fakt, por as edhe ndonjë pretendim të ngjashëm brenda artikullit.

Hibrid.info në vazhdimësi ka trajtuar përmbajtje të tilla në gjuhën serbe, që ndërlidhin emrin e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, me ngjarje të cilat prekin serbët në veri të Kosovës.

Sikur rastet e kaluara, edhe këtë titull bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson si “teori konspirative”.

Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others