Shkroi: Festim Rizanaj
Nëpërmjet një artikulli të publikuar më 24 janar, mediumi në gjuhën serbe “politika.rs” ka pretenduar për ndërlidhje të proceseve gjyqësore në disa raste ndaj serbëve me fushatën elektorale të kryeministrit dhe kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Artikulli nis me raportimin se përfaqësues të Listës Serbe po bëjnë fushatë “derë më derë” në Mitrovicë para zgjedhjeve të 9 shkurtit. Për dallim nga Lista Serbe, sipas “politika.rs”, “Albin Kurti vazhdoi fushatën e tij agresive parazgjedhore për t’u përballur me serbët dhe përveç veprimeve brutale në terren dhe retorikës së ashpër, iu drejtua edhe njëherë ndjekjeve gjyqësore”.

Çka nuk qëndron me këtë pretendim?
Pretendimi që ndërlidh Kurtin me proceset gjyqësore të pavarura në Kosovë, nuk është i bazuar në fakte.
Rasti i parë i përmendur gjyqësor:
“Kështu, prokuroria e tij pardje ngriti aktakuzë kundër MD nga Babimosti, i cili u arrestua vitin e kaluar në Mitrovicë. Ky serb akuzohet për ngjarjet e majit të vitit 2023, kur serbët tentuan të parandalojnë inkursionin e dhunshëm të ‘kryetarit’ shqiptar, i cili u mbështet nga njësitet speciale të policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të KFOR-it”, thuhet në artikullin në të cilin pretendohet ndërlidhje mes kryeministrit Kurti dhe rasteve gjyqësore.
Ndërkaq Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi më 22 janar se ka ngritur aktakuzë ndaj M.D. nën dyshimin për veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepre penale dhe huliganizëm”.
“Pas sigurimit dhe analizimit të provave personale dhe materiale, është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se i pandehuri M.D, më 29.05.2023, afër objektit të Komunës së Zveçanit, në bashkëveprim dhe koordinim edhe me të pandehurit të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, përmes përdorimit të dhunës, armëve dhe mjeteve tjera të forta, i kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, duke u shkaktuar lëndime trupore dhe dëme materiale”, thuhet në njoftimin e kësaj prokurorie.
Atëkohë në Zveçan dhe komuna të tjera në veri të Kosovës serbët lokalë kundërshtuan me protesta hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale. Nga dhuna në protesta u lënduan 93 pjesëtarë të KFOR-it, disa prej tyre rëndë. (Shih këtu)
Rastet gjyqësore për krime lufte:
“Në të njëjtën ditë kur u ngrit aktakuza kundër M.D., i cili që nga arrestimi mbahet në burgun e rrezikshëm në fshatin Gërdoc afër Podujevës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë mbajtur dy gjykime të ndara, në departamentin për krime të rënda, ku dy serbë u akuzuan për krime lufte”, thuhet në artikullin e “politika.rs”.
Artikulli përmend rastet ndaj M.P. nga Prizreni, që akuzohet për krime lufte ndaj popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë. Më 22 janar, në proces gjyqësor dëshmuan dy persona (shih këtu). Aktakuza ndaj tij ishte ngritur në qershor 2024.
E në rastin tjetër përmendet S.T. që po ashtu akuzohet për krime lufte në Vushtrri. (shih këtu) Aktakuza ndaj S.T. ishte ngritur në korrik 2023.
Krahasimet:
“Politika.rs” tutje ka krahasuar këto raste ndaj serbëve me atë të gjykimit të një anëtari të Forcës së Sigurisë së Kosovës që akuzohet për plagosjen e dy personave në Shtërpcë më 2023, duke raportuar për mbrojtjen në liri. (shih këtu)
Akuza për ngritje të aktakuzave në baza etnike ka pasur edhe në një rast tjetër ndaj një serbi që akuzohet për dhunë ndaj të burgosurve në Burgun e Prishtinës gjatë kohës së luftës. Por aty prokurori Atdhe Dema u përgjigj duke thënë se nëse pala ka dëshmi për këtë mund t’ua paraqesë organeve shtetërore. (shih këtu)
Çfarë thotë Kushtetuta e Kosovës për pavarësinë e gjyqësorit?
Kushtetuta e Kosovës thotë që pushteti gjyqësor në Kosovë është unik, i pavarur, i drejtë, apolitik e i paanshëm dhe siguron qasje të barabartë në gjykata.
Neni 4 i Ligjit për Prokurorin e Shtetit thotë se është institucion i pavarur që ushtron funksionet e veta në mënyrë të paanshme dhe se secili prokuror para ligjit siguron trajtim të barabartë, objektiv dhe pa paragjykime për të gjithë personat, pa asnjë diskriminim, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të përcaktuara me Kushtetutë, legjislacionin në fuqi dhe konventa ndërkombëtare. Po ashtu, aty thuhet se është e kundërligjshme për cilindo person fizik apo juridik që të ndërhyjë, pengojë, ndikojë apo të përpiqet të ndërhyjë apo ndikojë te Prokurori i Shtetit, gjatë kryerjes së funksioneve prokuroriale lidhur me cilindo hetim, procedurë apo lëndë individuale.
Edhe në nenin 4 të Ligjit për Gjykatat, thuhet se “gjyqtarët gjatë ushtrimit të funksionit dhe marrjes së vendimeve janë të pavarur, të paanshëm, të pandikuar në çfarëdo mënyre nga asnjë person fizik apo juridik, përfshirë edhe organet publike”.
Analiza:
Media në gjuhën serbe “politika.rs” ka pretenduar për ndërlidhje të proceseve gjyqësore ndaj serbëve në Kosovë, me fushatën elektorale të kryeministrit dhe kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Për këtë çështje, mediumi në fjalë nuk ka përmendur asnjë fakt që dëshmon ndërlidhjen e pretenduar.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info pretendimet e “politika.rs” i vlerëson si “teori konspirative”.
Arsyetimi:
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.