info@hibrid.info
Në Google shfaqen lajme të rreme për Kosovën që çojnë në uebfaqe bastesh
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

“Lituania nuk planifikon të emërojë Bashkim Zeqirin si konsull në Kosovë, duke shuar përpjekjet për përmirësimin e marrëdhënieve”

“Ish-diplomati amerikan Christopher Hill dëshmon se Hashim Thaçi ka qenë vendimmarrës kyç në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”

“Prokuroria e Kosovës ndalon asetet kundër ministres Hajdari pas vetëballafaqimit të hetimeve”

“Tensionet e fundit diplomatike midis Kosovës dhe Bangladeshit përshkallëzohen pasi njohja u mohua”

Këtu janë të përmbledhur disa tituj të artikujve me lajme për Kosovën. Titujt janë gjetur të publikuar në gjuhën shqipe dhe atë angleze. E përbashkëta e këtyre përmbajtjeve është se ato nuk janë të sakta.

Por ku janë publikuar këto përmbajtje?

Analisti Shenoll Muharremi me anë të një postimi të publikuar në Facebook të dielën (9 nëntor), njoftoi për shpërndarjen e lajmeve të rreme që ishin publikuar në emrin e tij gjatë ditës së zgjedhjeve. Ai sqaroi se disa media dhe faqe të dyshimta kishin keqinterpretuar qëndrimet e tij publike, duke i atribuar deklarata që nuk i ka bërë (shih këtu).

Në shembujt që ai ndau, disa faqe me domaine të huaja si “isna.ir” dhe “24tv.ua” kishin publikuar tituj të tillë si:

“Analist Shenoll Muharremi miraton sjelljen e ministrit në detyrë të Brendshëm, Xhelal Sveçla”

“Shenoll Muharremi inkurajon partitë politike të jenë pas mbylljes së votimeve”

Hibrid.info ka kontrolluar në uebfaqet e domaineve që shihen në këtë fotografi. “isna.ir” është uebfaqe e agjencisë së lajmeve të studentëve iranianë, ndërsa “24tv.ua” është medium me bazë në Ukrainë.

Pas kërkimit në hapësirën për kërkim brenda këtyre uebfaqeve, me fjalët kyçe “shenoll muharremi”, nuk u shfaq rezultat me artikujt që do të mund të raportonin për analistin në fjalë (shih këtu dhe këtu).

Duke qenë se në postimin e Muharremit, fotografitë tregonin artikuj nga rezultatet e kërkimit në “Google”, hibrid.info vazhdoi hulumtimin me anë të këtij motori të kërkimit.

Pas kërkimit me fjalët kyçe “isna.ir kosovo” dhe “24tv.ua kosovo”, rezultatet shfaqin një sërë artikujsh me tituj në gjuhën shqipe dhe angleze, që raportojnë për ngjarje në vendin tonë (shih këtu dhe këtu).

Nëse klikohet në njërin nga artikujt që shfaqet në rezultatet e kërkimit, brenda pak sekondash përdoruesi ridrejtohet fillimisht në një faqe të mediumit origjinal, më pas në një artikull lajmi që ka pamje ndryshe nga mediumi origjinal dhe në fund përfundon në një faqe bastesh.

Këta tituj artikujsh nuk janë hasur të shpërndara në mediat sociale.

Pra, hulumtimi tregon se këto përmbajtje nuk janë publikuar në uebfaqet reale të mediumeve që pretendohet, por shfaqen vetëm si rezultate të manipuluara në Google, të krijuara nga faqe të jashtme që përdorin emrin e mediumeve të huaja për t’u dukur të besueshme, ndërsa në realitet ridrejtojnë përdoruesit drejt artikujve të rremë dhe më pas në faqe bastesh.


Duke shtrembëruar zhvillimet diplomatike, politike, të sigurisë dhe zgjedhore në Kosovë dhe rreth saj, të gjithë këta tituj krijojnë një pasqyrë të gabuar të realitetit, pasi secili nga këto pretendime është e kundërta e asaj që ka ndodhur në të vërtetë në ngjarjet që janë raportuar.

Ndër këto ngjarje aty përfshihen si tituj kinse tensionet ndërkombëtare (si ato me Lituaninë dhe Bangladeshin), dëshmitë e ambasadorit Christofer Hill në Hagë për strukturën dhe udhëheqjen e UÇK-së, incidente të sigurisë në veri të vendit, si dhe raportime mbi pjesëmarrjen e lartë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale Kosovë. Po ashtu, titujt trajtojnë zhvillime të brendshme politike sikur Memli Krasniqi është konfirmuar në krye të PDK-së, masat e Prokurorisë ndaj ministres Hajdari, veprimet e policisë kufitare në rajon, si dhe vlerësime për peizazhin politik që paraqitet si i qëndrueshëm pavarësisht sfidave dhe narrativave të tensionuara.

Madje, në një artikull që raportohet rrejshëm për daljen rekord në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, vendit tonë i referohet si “Kosova dhe Metohija”. Ndërsa, një tjetër që ka në fokus një incident të rremë në Mitrovicë, përdor termin “Kosovska Mitrovica”. Këto dy terme përdoren nga Serbia për t’iu referuar territorit të Republikës së Kosovës dhe qytetit të Mitrovicës.


Hibrid.info, përmes platformës “urlscan.io”, e cila ofron shërbime online për analizimin teknik të uebfaqeve, ka futur URL-të e disa prej artikujve të përmendur më lartë për të verifikuar aktivitetin e tyre. Analizat treguan se këto URL, sapo skanoheshin, ridrejtoheshin menjëherë drejt domeneve “1wirpm.com” ose “rbbcsnn.com”, duke konfirmuar se lidhjet e publikuara nuk çonin te përmbajtje kredibile lajmesh.

Analiza tregon se “1wirpm.com” dhe “rbbcsnn.com” janë domenë të rinj dhe mund të jenë të dyshimtë, të cilët nuk kanë klasifikim sigurie nga Google Safe Browsing ose “urlscan.io”. Të dyja përdorin ridrejtime të shumta nga faqet origjinale të lajmeve drejt faqeve të tjera, shpesh me përmbajtje të dyshimtë ose bixhozi, duke përdorur teknologji analitike dhe mbrojtëse si Google Tag Manager, Hotjar dhe reCAPTCHA. IP-të kryesore janë të lokalizuara në Rusi dhe Ishujt Marshall përmes rrjetesh si MFI-AS dhe CLOUDFLARENET, dhe komunikojnë me shumë IP dhe domene të ndryshme në vende të ndryshme. Këto karakteristika tregojnë se faqet nuk janë burime të besueshme lajmesh dhe mund të përdoren për mashtrim, mbledhje të të dhënave ose ridrejtime në faqe të dyshimta.


Megjithëse bëhet fjalë për praktika të ngjashme që janë hasur më herët në nivel ndërkombëtar, hibrid.info nuk arriti të identifikojë autorin ose grupin pas këtyre artikujve të rremë. Nuk ka informacion të qartë mbi personat ose organizatat që i kanë krijuar dhe shpërndarë këto përmbajtje.

Një raporti i publikuar në vitin 2022 nga EU DisinfoLab, organizë joqeveritare evropiane, kishte zbuluar një rrjet ndikimi online me bazë në Rusi, i quajtur Doppelgänger, i cili operonte në Evropë që nga maji 2022. Ky rrjet përdorte kopje të mediave autentike, për të shpërndarë artikuj, video dhe anketa të rreme (të identifikuara si propagandë ruse). Për ta arritur këtë, aktorët mashtrues kishin blerë domenë të ngjashëm me ato të mediave reale dhe kishin kopjuar dizajnin e tyre, duke krijuar një iluzion kredibiliteti. Artikujt shpërndaheshin përmes ridrejtimeve inteligjente, profileve false në rrjete sociale dhe teknologjive si Google Tag Manager dhe softueri Keitaro, me qëllim manipulimin e perceptimit publik, promovimin e propagandës ruse mbi luftën në Ukrainë dhe krijimin e frikës tek qytetarët evropianë. EU DisinfoLab, në bashkëpunim me Qurium Media Foundation, kishte analizuar këto operacione duke përdorur burime publike dhe mjete teknike, duke identifikuar strategjitë e sofistikuara të klonimit dhe imitimit të mediave reale.

Në mungesë të transparencës për autorësinë, mbetet e paqartë nëse këto përmbajtje janë pjesë e një fushate të organizuar dezinformimi me qëllim të synuar, apo përpjekje për të gjeneruar klikime dhe trafik përmes mashtrimit teknik. Megjithatë, mënyra e funksionimit që shfaqen si klonimi i mediave, manipulimi i rezultateve të kërkimit, ridrejtime të automatizuara dhe përfshirja e domaineve të panjohura me reputacion të dyshimtë, tregon një nivel të caktuar koordinimi dhe njohurie teknike.

Rasti i artikujve të rremë rreth Kosovës paraqet një shembull tjetër të mënyrës se si hapësira informative globale mund të shfrytëzohet për prodhimin e narrativave të fabrikuara, duke krijuar huti, keqinformim dhe shpërqendrim te audiencës vendore dhe ndërkombëtarë. Për këtë arsye, mbetet thelbësore që përdoruesit të verifikojnë burimet, ndërsa institucionet dhe platformat duhet të ndërmarrin hapa për të identifikuar dhe neutralizuar praktikat e tilla manipuluese në kohë reale.

Share With Others