[email protected]
Rishikimi i javës: teori konspirative nga mediat në gjuhën serbe, mashtrime me profile të rreme, i pa verifikuar rekordi historik i golave të Muriqit në Mallorca
shape
shape
shape

Artikujt dezinformues kanë dominuar ekosistemin keqinformues në javën që shkoi në Kosovë.

Dezinformatat kryesisht ndërlidheshin me pretendime për tërmet të ri në Turqi, konkurs pune në Gjermani, kushtet e leje qëndrimit në Greqi dhe për lirimin e çmimeve të produkteve.

Teori konspirative nga mediat në gjuhën serbe rreth ekzistimit të një plani për spastrim të qytetarëve serb nga Kosova.

Përmbajtje e pa verifikuar lidhur me plagosjen e qytetarit serb në veri, si dhe rreth numrit të golave të shënuar brenda një sezoni në Mallorca dhe arritjes së rekordit nga Vedat Muriqi.

Clickbait artikuj me vrasje dhe vdekje, e që nuk u bëhej e ditur në titull vendndodhja e ngjarjes, kështu duke lënë hapësirë që të mund të kuptohet që ngjarjet ndërlidhen me Kosovën.

Lajm i rremë se një cunami e ka shkatërruar qytetin Side në Turqië.

Përmbajtje mashtruese me emra apo fotografi të personave vip apo të pa njohur duke pretenduar se po organizohet një lojë shpërblyese respektivisht dhënie të pasurisë për shkaqe shëndetësore.

Dezinformatë

Faqet në Facebook “Exclusive Albania Today” dhe “Feja Ime” kanë publikuar një artikull me titull “Dy tërmeteve të reja 6.4 ballë në Turqi, raportohet për të vdekur dhe qindra të Iënduar”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se lajmi është i vjetër që ka të bëjë me tërmetet e datës 20 shkurt që goditën provincën jugore Hatay në Turqi. Pra, faqet e lartcekura kanë publikuar këtë lajm të vjetër me pretendimin ta paraqesin si aktual. (këtu)

Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “Promakale.com” ka publikuar një artikull me titull “KOMPANIA “FA-NEZIRI” KËRKON 40 PUNËTORË NË GJERMANI, VIZAT E PUNËS I SIGURON KOMPANIA”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky konkurs për punë në Gjermani është i vjetër, i publikuar në maj të vitit 2022. Pra, portali i dyshimtë është munduar që ta paraqesë atë si aktual. (këtu)

Portali i dyshimtë “gazetaditore.net” ka publikuar një njoftim të një zyre avokature në Greqi, e cila tregon për shërbimet që i kryen lidhur me leje qëndrimin. Mirëpo, ky portal i dyshimtë, këtij artikulli i ka vënë titull të sajuar me pretendimin se shteti grek ka njoftuar për ndryshime lidhur me leje qëndrimin. (këtu)

Disa faqe në Facebook kanë publikuar një artikull me titull “Lirohen çmimet e disa artikujve në Kosovë, Ja çmimet e artikujve”. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se ky artikull është i vjetër, i publikuar me datë 13 mars, atëkohë kur Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) kishte publikuar raportin e fundit sa i përket lëvizjeve të çmimeve të artikujve bazë brenda javës. (këtu)

Teori konspirative

Medium në gjuhën serbe “Alo.rs” ka publikuar një artikull me pretendimin se ekziston një plan, që siç e quajnë, “pastrimi”, ku planifikohet spastrimi i serbëve nga veriu. Gazeta pretendon se plani “pastrimi” në fakt është plani B për të cilin ka folur shefi i kabinetit të presidencës, Blerim Vela. Pretendimi i gazetës në gjuhën serbe për ekzistimin e planit të Prishtinës zyrtare të ashtuquajtur “pastrimi” nuk bazohet në fakte apo burime kredibile. Po ashtu, pretendimi se ky plan ka të bëjë me planin B për të cilin ka folur shefi i kabinetit të Presidencës, Blerim Vela, nuk qëndron për faktin se, Vela ka folur për realizmin e zgjedhjeve duke marrë parasysh sigurinë e organizatorëve dhe qytetarëve e jo për ndonjë plan për spastrim të serbëve nga veriu. (këtu)

Përmbajtje e pa verifikuar

Disa media në gjuhën serbe kanë publikuar një artikull rreth plagosjes së një qytetari serb në veri të Kosovës me pretendimin se njësia speciale e Policisë së Kosovës ka shtënë në të. Përkundër faktit që i plagosuri pretendon se të shtënat drejt tij kanë ardhur në momentin kur ka kaluar postbllokun e Policisë së Kosovës, ai shprehet se nuk është 100% i sigurt se kush ka qëlluar në të. Policia e Kosovës, në reagimin lidhur me rastin së pari ka bërë të ditur se nuk është e përfshirë në këtë ngjarje, pastaj u deklarua se dyshohet për policë të përfshirë në ngjarje. (këtu)

Portali informativ “kosovalive.net” ka publikuar një artikull me pretendimin se futbollistit kosovar, Vedat Muriqi, i duhet edhe një gol për të thyer rekordin historik te skuadra futbollistike, Mallorca, për shënimin e golave brenda një sezoni. Pas hulumtimit të bërë nga hibrid.info është gjetur se pretendimi i bërë nuk është i saktë. Futbollisti Daniel Guiza ka shënuar 27 gola brenda një sezoni, do të thotë 15 gola më shumë se që ka Muriqi tani (12 gola). (këtu)

Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull lidhur me vrasjen e pesë personave në qytetin e Louisville të Kentucky, SHBA. Por, në titull nuk sqarohet se në cilin qytet ka ndodhur ngjarja. Ky medium online është portal i cili vepron në Kosovë dhe që numrin dominues të lexuesve i ka nga Kosova, bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook. Pra, mosdhënia e informacioneve për vendin e ngjarjes, shumë lehtë mund t’i dezinformojë lexuesit, duke i bërë të mendojnë se vrasja ka ndodhur në një nga qytetet e Kosovës. (këtu)

Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull që tregon për një vdekjen e një foshnje në banesë, ngjarje kjo e ndodhur në Adana, Turqi. Ndërsa në titull nuk sqarohet se në cilin shtet ka ndodhur ngjarja. Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku bëhet e ditur se rasti në fjalë ka ndodhur në qytetin Adana në Turqi. Gjithashtu, edhe fotografia e vendosur në këtë artikull nuk korrespondon me përmbajtjen, pasi që në këtë imazh paraqitet vetura e Policisë së Kosovës gjë e cila, lë vend për keqkuptim te lexuesit, duke i bërë të mendojnë se ngjarja ka ndodhur diku në Kosovë. (këtu)

Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull rreth një ngjarje në Hungari, ku autoritetet e këtij shteti kishin gjetur 17 emigrantë të futur në një kamion me targa turke. Por në titull nuk sqarohet se në cilin vend ka ndodhur kjo ngjarje. Duke e ditur se mediumi në fjalë është i regjistruar në Kosovë dhe shumica e audiencës së tij, janë shqipfolës, titulli i vendosur në artikull, lë të nënkuptohet se në lajm bëhet fjalë për ngjarje të ndodhur në vendin tonë. (këtu)

Lajm i rremë

Llogaria në TikTok me përmbajtje në gjuhën shqipe “@mrgame.ks” ka publikuar një video-material në të cilën shihen dallgë të mëdha të ujit që kaplojnë një pjesë të një kompleksi turistik. Këtij video-materiali, kjo llogari i ka vënë përshkrimin “Tsunami për pak sekonda shkaterron cdo gje në Side te Turqis”. Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka vërtetuar se kjo video nuk është xhiruar në qytetin Side të Turqisë, por e njëjta ka ndodhur në qytetin turistik Sochi të Rusisë. (këtu)

Mashtrim

Një faqe në median sociale Facebook me emrin “𝘾 𝘼 𝙋 𝙄 𝙏 𝘼 𝙇 𝙏” ka publikuar një video material të gjatë afër 6 orë, duke pretenduar se, rep artisti Capital T përmes një video-paraqitje të drejtpërdrejtë, po paralajmëron një shpërblim për audiencën. Hibrid.info ka verifikuar këtë video-material, i cili është vërtetuar se është i vjetër i vitit 2021 dhe i njëjti nuk ka të bëjë me asnjë lojë shpërblyese, siç pretendohet. Në këtë video, artisti i lartcekur, atëkohë kishte njoftuar për anulimin e performancës së tij në “Festën e Birrës” në Korçë, shkaku i prezencës së këngëtarit serb, Goran Bregoviq. (këtu)

Faqja në Facebook me emrin “Albana GUÇI Donacion” ka publikuar një postim me fotografitë e një gruaje, duke pretenduar me anë të një historie të sajuar në gjuhën shqipe, gjoja personi që shihet në imazh është me origjinë shqiptare. Me anë të këtij postimi, kjo llogari pretendon se kjo grua (Albana Guçi) ka vendosur të dhuroj para për 10 qytetarë shqiptarë, duke qenë se vuan nga një sëmundje. Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, bazuar në rezultatet e dhëna, hibrid.info ka gjetur se fotografitë i përkasin një gruaje nga Ukraina që quhet Galina Krukovets. (këtu)

Share With Others