[email protected]
Rishikimi i javës: Sondazhe të rreme në rrjetet sociale, video mashtruese lidhur me tubimet elektorale,  teori konspirative në gjuhën serbe lidhur me zgjedhjet
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Lajmet e rreme kanë dominuar javën e kaluar në sferën e keqinformatave, të shpërndara përmes mediave, portaleve të dyshimta dhe llogarive në rrjetet sociale.

Lajmet e rreme janë publikuar kryesisht në TikTok, duke përfshirë tema të ndryshme të lidhura me zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Një postim nga llogaria “me.qeverine.kurti3” pretendonte se Shefqet Krasniqi kishte bërë një deklaratë kundër “Koalicionit për Familje”, gjë që pas verifikimit rezultoi e pavërtetë. Po ashtu, janë publikuar dy sondazhe të rreme nga llogaritë “dedekt1v1” dhe “petritkrasniqi_”, të cilat pretendonin se ishin realizuar nga kompani amerikane, por nuk u gjetën në asnjë burim kredibil. Një tjetër rast dezinformimi përfshinte pretendimin se Granit Plava, Naim Murseli dhe Kushtrim Kokalla ishin dënuar me burgim të përjetshëm, ndërkohë që ishte mbajtur vetëm seanca fillestare ndaj tyre më 31 janar.

Teoritë konspirative të lidhura me zgjedhjet në Kosovë janë publikuar në disa media serbe dhe burime politike. Lista Serbe ka njoftuar për një incident më 25 janar në Ranillug, ku një koktej molotovi u hodh para shtëpisë së aktivistes së saj, Aleksandra Popoviq, duke djegur makinën e familjes. Petar Petkoviq, drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, e cilësoi këtë akt si përpjekje për të frikësuar anëtarët e Listës Serbe dhe për të penguar monitorimin e zgjedhjeve, duke pretenduar se qëllimi ishte lehtësimi i manipulimeve zgjedhore nga Albin Kurti. Megjithatë, nuk janë ofruar prova që e lidhin rastin me procesin zgjedhor, ndërsa policia vazhdon hetimet për të identifikuar autorët dhe motivet. Ndërkohë, një artikull në mediat serbe pretendon se retorika antiserbe e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje ka ndikuar në rritjen e mbështetjes për këtë parti në zgjedhjet e ardhshme, duke u mbështetur në një sondazh të agjencisë Valicon që parashikon rreth 50% të votave për Vetëvendosjen. Artikulli e lidh këtë mbështetje me retorikën etnike, por sondazhi nuk jep të dhëna mbi faktorët konkretë që formësojnë opinionin e votuesve.

Lajm i rremë/mashtrim u vlerësua një postim i llogarisë “dedekt1v1” në TikTok ku u publikuan dy sondazhe të rreme mbi mbështetjen për partitë politike në Kosovë, duke pretenduar se janë nga “American Survey”. Pas hulumtimit online, u vërtetua se këto sondazhe nuk ekzistojnë në asnjë medium kredibil.

Gabim u vlerësua publikimi në disa portale informative i një artikulli me titull “Ambasadori finlandez: Forcimi i partneritetit me BE-në dhe NATO-n rrit sigurinë e Kosovës”, duke përdorur gabimisht fotografinë e një personi tjetër në vend të ambasadorit finlandez në Kosovë, Matti Nissinen.

Dezinformatat këtë javë janë shpërndarë kryesisht në Facebook. Faqja “Lajme Nga Bota” publikoi më 22 janar një sondazh që pretendonte se Lëvizja Vetëvendosje ka 54.1% mbështetje, më shumë se të gjitha partitë së bashku. Pas verifikimit, u vërtetua se ky sondazh është i vjetër, nga viti 2021. Një tjetër postim pretendonte se Albin Kurti, pas një tubimi në Skenderaj më 27 shkurt, ishte pritur nga Rifat Jashari, si dëshmi e mbështetjes së familjes Jashari për Vetëvendosjen. Në fakt, fotografia është e vitit 2023 dhe familja Jashari ka deklaruar se qëndron jashtë përfshirjes politike dhe zgjedhore.

Këtë javë janë identifikuar raste të përmbajtjeve të paverifikuara dhe mashtruese në rrjetet sociale. Një video e publikuar nga “tv_teuta” në Threads pretendonte se gjatë një tubimi të LDK-së, qytetarët brohorisnin “Albin baba”. Pas verifikimit, u vërtetua se audioja ishte mbivendosur nga një tubim i LVV-së në Vushtrri. Një tjetër video mashtruese u publikua nga “KosovaPost.net” në Facebook, duke paraqitur një turmë në “Abi Çarshia” në Prizren si pjesë e një fjalimi të Albin Kurtit. Në fakt, videoja daton nga koncertet para Vitit të Ri, ndërsa audioja është marrë nga një tubim i LVV-së më 20 janar në Vushtrri.

Mashtrim u vlerësua një video të publikuar në TikTok pretendohet se gjatë fjalimit të Albin Kurtit në tubimin zgjedhor në Suharekë janë dëgjuar thirrje “UÇK” dhe “Hashim Thaçi”. Pas verifikimit nga hibrid.info, u vërtetua se videoja është e manipuluar, pasi në versionin origjinal nuk ka pasur brohoritje të tilla.

Lajm i rremë/Mashtrim

Një llogari në TikTok ka publikuar dy sondazhe mbi mbështetjen popullore për subjektet politike në Kosovë, para zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Përmes përshkrimit në këto dy publikime, pretendohet se këto sondazhe janë amerikane (American Survey). Këto dy postime u publikuan dje (26 janar) në TikTok nga llogaria “dedekt1v1”. Pas hulumtimit të kryer online, u vërtetua se të dyja këto sondazhe janë të rreme dhe të njëjtat nuk janë gjetur të publikuara në asnjë medium kredibil. (këtu)

Teori konspirative

Lista Serbe, njoftoi se më 25 janar, persona të panjohur hodhën një koktej molotovi para shtëpisë së aktivistes së saj, Aleksandra Popoviq, në Ranillug. Sipas Listës Serbe, ky mjet shpërthyes goditi makinën e familjes Popoviq, duke e djegur plotësisht. Petar Petkoviq, drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, deklaroi se ky akt kishte për qëllim frikësimin e anëtarëve të Listës Serbe në komisione dhe pengimin e tyre të monitoronin zgjedhjet, siç tha ai, për t’i hapur rrugë manipulimeve zgjedhore nga Albin Kurti. As Petar Petkoviq, as Lista Serbe nuk kanë ofruar prova që mbështesin pretendimin se rasti në Ranillug është i lidhur me zgjedhjet. Policia ka theksuar se rasti është nën hetime dhe ende nuk dihen kryesit dhe motivet e aktit. (këtu)

Një artikull në mediat serbe pretendon se “retorika antiserbe” e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje ka kontribuar në përfitime elektorale, duke ndikuar në rritjen e mbështetjes për të në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë. Artikulli mbështetet në një sondazh të agjencisë Valicon, që parashikon një fitore prej rreth 50% të votave për Vetëvendosjen, të cilën mediumi serbe e interpreton këtë përqindje si rezultat të “retorikes antiserbe”. Sondazhi nuk përfshin arsyet e mbështetjes së partive politike, si faktorët që ndikojnë në formimin e opinionit të votuesve, përfshirë fushatat dhe politikat e promovuara gjatë periudhës parazgjedhore. (këtu)

Lajm i rremë

Në një postim në TikTok është pretenduar për një deklaratë të hoxhë Shefqet Krasniqi për “Koalicionin për Familje”, subjekt politik që do të garojë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. “Shefqet Krasniqi: lista Eman Rrahmanit nuk ka të bëjë asgjë me fenë islame, ajo është parti politike e cila garon për karrigë. Asgjë më shumë!” është mbishkrimi që i është vendosur një fotografie të Krasniqit, në postimin e bërë më 25 janar nga llogaria “me.qeverine.kurti3” në TikTok. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info nuk ka gjetur se diçka e tillë është thënë nga Krasniqi. Përmbajtja si në pretendimin në TikTok nuk është hasur e publikuar askund tjetër. (këtu)

Publikohet një imazh që paraqet një sondazh në lidhje më përkrahjen qytetare të subjekteve politike në Kosovë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, për të cilin pretendohet se u realizua nga kompania amerikane SDGs Global Survey. Në këtë sondazh janë renditur subjektet politike me të dhënat si vijon: LDK 32%, VV 25%, PDK 24% dhe AAK 9.5%. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, nuk është gjetur një sondazh i tillë i publikuar nga burime kredibile, as nga kompania, së cilës i referohen në pretendim. (këtu)

Në një postim në TikTok është pretenduar se Granit Plava, Naim Murseli dhe Kushtrim Kokalla, janë dënuar me burgim të përjetshëm. E vërteta është se të premten (31 janar) është mbajtur vetëm seanca fillestare ndaj tre të akuzuarve për përfshirje në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, më 29 nëntor 2023. (këtu)

U publikua një imazh që pretendon se paraqet një sondazh, përmes së cilit paraqiten të dhëna nga mbështetja elektorale ndaj subjekteve politike në Kosovë, para zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Kjo përmbajtje u publikua dje (31 janar) në TikTok nga llogaria “petritkrasniqi_”. Rezultatet e këtij sondazhi janë: Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – 35% %, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – 29 %, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – 23.2 %, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – 7.8 % dhe “TJERET” 5%. Hibrid.info ka gjetur se ky sondazh nuk është realizuar nga organizata kredibile që bëjnë matje të opinionit publik. Po ashtu kjo përmbajtje nuk është gjetur e publikuar nga asnjë medium kredibil. (këtu)

Gabim

Disa portale informative kanë publikuar një artikull me titullin: “Ambasadori finlandez: Forcimi i partneritetit me BE-në dhe NATO-n rrit sigurinë e Kosovës”. Në fotografinë ilustruese të artikullit është përdorur imazhi i një personi tjetër, në vend të fotos së ambasadorit finlandez në Kosovë, Matti Nissinen. (këtu)

Dezinformatë

U publikua një postim me pretendimin se paraqet rezultatet nga sondazhi i fundit për zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë. Në përshkrimin e këtij postimi, pretendohet se të dhënat nga ky sondazh paraqesin Lëvizjen Vetëvendosje me 54.1%, më shumë se të gjitha partitë tjera së bashku. Ky sondazh u publikua me datë 22 janar nga faqja “Lajme Nga Bota” në Facebook. Pas hulumtimit të kryer online nga hibrid.info, u vërtetua se ky sondazh është i vjetër, i publikuar në vitin 2021. (këtu)

Në një postim në Facebook është pretenduar se kryeministri dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas tensioneve në tubimin e partisë së tij në Skenderaj më 27 shkurt, është pritur nga Rifat Jashari. Pretendimi vazhdon tutje duke theksuar se kjo dëshmon që familja e komandantit të UÇK-së, Adem Jashari, është krah Vetëvendosjes. Por pas verifikimit të fakteve del se fotografia e pretenduar, në të cilën Kurti shihet me Rifat Jasharin, është e vitit 2023. Po ashtu, familja Jashari ka dalë me qëndrim se do të vazhdojë të qëndrojë jashtë përfshirjes aktive në partitë politike dhe proceset zgjedhore. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar/Mashtrim

U publikua një video-material i shkurtër i shkëputur nga një prej tubimeve elektorale të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku shihet kryetari i këtij subjekti, njëherësh kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku. Përmes kësaj videoje pretendohet se në këtë tubim gjatë përfundimit të një fjalie nga Abdixhiku, qytetarët kanë nisur të brohorasin një thirrje “Albin baba”, që ndërlidhet me emrin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Kjo video me këtë pretendim u publikua në median sociale Threads nga llogaria e televizionit Teuta nga Mali i Zi, “tv_teuta”. Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se ka ndërhyrje në këtë video-material, të cilit i është mbivendosur audioja e një tubimi të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Vushtrri, me pretendimin të paraqitet si brohoritje në tubimin e LDK-së. (këtu)

Faqja në Facebook e portalit informativ “KosovaPost.net” ka publikuar një video në të cilën shihet një turmë njerëzish në qendrën tregtare “Abi Çarshia” në Prizren. Në video dëgjohet teksa flet kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se audioja është mbivendosur në video. Teksa videoja është gjetur se daton nga koncertet që kjo qendër i mbajti para vitit të ri, audioja është marrë nga fjalimi i Kurtit më 20 janar në tubimin e Vetëvendosjes në Vushtrri, në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 9 shkurtit. (këtu)

Mashtrim

Në një video të publikuar në TikTok është pretenduar se gjatë fjalimit të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në tubimin zgjedhor në Suharekë, ka pasur thirrje “UÇK” dhe “Hashim Thaçi” gjatë fjalimit të tij. Megjithatë, pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info del se videoja është e manipuluar. Në videon origjinale s’ka pasur brohoritje të tilla nga simpatizantët në tubim. (këtu)

Share With Others

Leave a Reply

Translate »