info@hibrid.info
Në titull nuk sqarohet se ngjarja ka ndodhur në SHBA
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

“Dyvjeçari bie nga kati i 15-të”, mban titullin një artikull i publikuar me datë 17 maj.

Artikulli u publikua nga agjencia e lajmeve KosovaPress në uebfaqen zyrtare, si dhe në faqen KosovaPress në Facebook.

Çka nuk shkon me këtë artikull?

Titulli i këtij artikulli është përgjithësues, që nuk sqaron se në cilin vend ka ndodhur ngjarja. Pas klikimit të vegëzës së artikullit, në përmbajtje sqarohet se ngjarja ka ndodhur në Maryland të ShBA-ve.

Pjesë nga teksti i artikullit

Një dyvjeçar ra nga kati i pesëmbëdhjetë i një rrokaqielli pranë kryeqytetit amerikan Uashington dhe mbijetoi.

Rënia nga ballkoni i banesës thuhet se u zbut nga shkurre në tokë, sipas një zëdhënësi të departamentit lokal të zjarrfikësve në Montgomery County, Maryland.


Pse mossqarimi i vendit të ngjarjes në titull sjell paqartësi në këtë rast?

KosovaPress është biznes i regjistruar Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), e mossqarimi i vendit të ngjarjes në titull mund të keqinformojë lexuesit se bëhet fjalë për ngjarje të ndodhur në Kosovë apo vend shqipfolës.


Për ta vërtetuar edhe më shumë faktin se ngjarja ka ndodhur në ShBA, hibrid.info ka gjetur artikuj të publikuar në media amerikane, të cilat kanë raportuar lidhur me të. (shih këtu dhe këtu)


Analiza:

Artikulli me titull “Dyvjeçari bie nga kati i 15-të”, i publikuar nga KosovaPress më 17 maj, nuk e tregon vendin ku ka ndodhur ngjarja. Kjo mungesë mund të çojë në keqinformim të lexuesve, duke i bërë ata të mendojnë se rasti ka ndodhur në Kosovë ose në ndonjë vend shqipfolës.

Në përmbajtje saktësohet lajmi, duke e bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur në Maryland, ShBA, ku një dyvjeçar mbijetoi pasi ra nga kati i 15-të i një ndërtese.

Hibrid.info ka verifikuar se lajmi është raportuar edhe nga media amerikane. Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.

Arsyetimi:

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others