Shkroi: Fatbardh Dema
Përmes një artikulli të publikuar në portalin informativ “klankosova.tv” pretendohet se “Koordinatorja e OKB-së në Kosovë kërkon të mos mbahen kontakte zyrtare me Qeverinë Kurti”.
Ky pretendim u bë mbrëmë (2 qershor) në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, nga autori i këtij emisioni, Adriatik Kelmendi.
“Sot kanë marrë agjencitë e UN-it letër nga koordinatorja e OKB-së në Kosovës që të mos mbajnë kontakte zyrtare me përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, për shkak të mungesës së legjitimitetit, pra është një informacion ekzkluziv”, tha Kelmendi. (shih deklaratën këtu nga minuta 2:15)

Çka tha Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë?
Përmes një reagimi përmes faqes zyrtare në Facebook, ekipi i OKB-së në Kosovë, sot (3 qershor) ka theksuar se vazhdon bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës. (shih këtu)
Edhe pse, ekipi i OKB-së në Kosovë nuk ka mohuar decidivisht pretendimin e Kelmendit, përmes këtij njoftimi ka sqaruar se bashkëpunimi me Qeverinë e Kosovës është i vazhdueshëm dhe i fortë.
“Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT) riafirmon bashkëpunimin e tij të vazhdueshëm dhe të fortë me Qeverinë e Kosovës. Ne mbetemi të përkushtuar fuqishëm ndaj prioriteteve të zhvillimit të Kosovës dhe e vlerësojmë partneritetin tonë afatgjatë me institucionet e Kosovës”, thuhet në reagimin e tyre.
Në anën tjetër, Kelmendi nuk ka ofruar asnjë fakt që do ta mbështeste pretendimin e bërë, qoftë një email zyrtar apo diçka e ngjashme.
Kjo deklaratë e Kelmendit u publikua edhe si artikull në portalin “klankosova.tv”, e më pas u shpërnda edhe nga portalet tjera si “indeksonline.net”, “veriu.info”, “kosova.info”, “storm-rks.com”, “paparaci.com”, “gazetademos.com”, “nacionale.com”, “gazetaexpress.com” e “gazetablic.com”.
Postimi i plotë i Kelmendit në Facebook
E konfirmoj se të hënën, pasdite, një email nga zyrja e OKB-së në Kosovë është dërguar në disa adresa të përfaqësuesve të këtyre agjencive, në të cilin jepen udhëzime se si duhet të jetë niveli i komunikimit me Qeverinë e Kosovës, derisa ajo është në detyrë.
Si gazetar, e ruaj të drejtën e moszbulimit të burimeve.
Kushdo që ka interesim të pyesë në adresat e caktuara se a është dërguar ky email, si dhe ta publikojnë përmbajtjen e tij.
Faleminderit!
P.s. Fake news u tha është edhe rritja e çmimit të rrymës, u pa se si doli. Njëjtë edhe me shumë lajme të tjera.
Analiza:
Pretendimi i bërë gjatë emisionit Rubikon në Klan Kosova, përkatësish nga autori dhe moderatori, Adriatik Kelmendi, rezultoi të jetë i pa verifikuar. Këtë e dëshmon reagimi i Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT).
Pretendimi i ngritur se UNKT ka kërkuar nga stafi i agjencive të mos mbajë kontakte zyrtare me përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, i bërë në kuadër të emisionit dhe, më pas, edhe përmes një artikulli të publikuar në versionin online të mediumit “Klankosova.tv”, u mohua nga grupi i agjencive të OKB-së në Kosovë.
Ndonëse reagimi nuk është demant drejtuar konkretisht Klan Kosovës, megjithatë në të thuhet se UNKT vazhdon të mbajë kontakte me Qeverinë e Kosovës, gjë që bie ndeshë më pretendimin e bërë nga ky medium.
Për më tepër, mediumi në fjalë nuk e argumenton me ndonjë fakt pretendimin e bërë, që në këtë rast do të ishte publikimi i email-it. Për këtë arsye, për aq kohë sa nuk publikohet dokumenti që mbështetë pretendimin dhe, njëkohësisht, kemi edhe reagimin e UNKT-së, në bazë të metodologjisë së Hibrid.info, ky pretendim vlerësohet si “Përmbajtje e paverifikuar”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.