[email protected]
Titulli nuk qartëson se në cilin shtet parashikohet dimri më i ftohtë i dekadave të fundit
shape
shape
shape

Portali i televizionit “ABC” në Shqipëri, “Abcnews.al” ka publikuar sot (22 dhjetor) një artikull me titull “Dimri më i ftohtë i dekadave të fundit po afron”.

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i këtij artikulli është përgjithësues, që nuk sqaron se për cilin shtet është fjala.

Kjo qartësohet vetëm në përmbajtje, ku bëhet e ditur se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kjo javë mund të sjellë Krishtlindjet më të ftohta në katër dekadat e fundit.

Këtë artikull të “Abcnews.al”, me të njëjtin titull e kanë publikuar edhe disa portale informative në Kosovë.

Duke mos dhënë sqarime në titull se për cilin shtet bëhet fjalë, kjo mund t’i keqinformojë lexuesit duke i bërë të mendojnë se dimri më i ftohtë i dekadave të fundit ka të bëjë me Shqipërinë dhe Kosovën.


Pjesë nga artikulli i publikuar në portalin “Abcnews.al”

Dimri më i ftohtë i dekadave të fundit po afron

Një stuhi e madhe dimërore që përfshiu SHBA-në këtë javë mund të sjellë Krishtlindjet më të ftohta në katër dekada në disa zona të vendit, sipas sinoptikanëve, shkruan BBC.

Më shumë se 90 milionë njerëz priten të preken nga i ftohti në 37 shtete. Rreth 80% e vendit pritet të përjetojë temperatura nën zero, duke përfshirë vende deri në jug të Teksasit.


Vegëza e artikullit të publikuar në portalin “Abcnews.al”:

https://abcnews.al/dimri-me-i-ftohte-i-dekadave-te-fundit-po-afron/


Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit dhe media sociale, hibrid.info ka gjetur artikullin e njëjtë të publikuar nga disa portale në Kosovë, të cilat e kanë cituar mediumin online “Abcnews.al”. (shih këtu, këtu dhe këtu)


Hibrid.info ka gjetur artikullin autentik të publikuar në “BBC” me titull “Stuhia e dimrit në SHBA do të sjellë Krishtlindjet më të ftohta në dekada”. (shih këtu)


Duke u bazuar në faktin që ky artikull është shpërndarë nga mediumi online në Shqipëri dhe disa të tjerë në Kosovë, hibrid.info ka verifikuar se si është parashikuar moti në disa qytete në këto dy shtete.

Në ueb-faqen e BBC për parashikimin e motit “BBC Weather”, në qytetet si Tirana, Vlora, Prishtina e Prizreni.

Moti për ditët në vazhdim (deri më 4 janar) parashikohet të ketë temperatura deri në 14 gradë celsius për qytetet si Prishtina e Prizreni, ndërsa deri në 19 për Tiranën e Vlorën në Shqipëri. (shih këtu, këtu, këtu dhe këtu)


Analiza:

Portali “Abcnews.al” ka publikuar një artikull lidhur me parashikimin e motit në SHBA, ku thuhet se stuhia e dimrit do të sjell Krishtlindjet më të ftohta në dekada.

Mirëpo, në titullin e këtij artikulli nuk qartësohet se për cilin shtet bëhet fjalë.

I njëjti artikull me titull përgjithësues është shpërndarë edhe në portale online në Kosovë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.


Arsyetimi:

Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Share With Others