[email protected]
Nuk ekziston sondazhi online për subjektet politike
shape
shape
shape

Portali i dyshimtë “specialja.com” ka publikuar një artikull me titull “Filluan SONDAZHET ONLINE – Lexo dhe Votoni cila parti do te fitoje ne zgjedhjet?! LVV, LDK, PDK, AAK, apo NISMA”.

Pas kontrollimit të fakteve, të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se artikulli përmban titull të sajuar që nuk i përgjigjet përmbajtjes.

Në përmbajtje nuk ekziston asnjë sondazh online që mundëson të votohet për subjektet politike të përmendura në titull.

Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, ky portal i dyshimtë rezulton të ketë sajuar këtë titull në mënyrë që të stimulojë klikime nga lexuesit.

Hibrid.info ka arritur të gjejë artikullin autentik, të publikuar nga portali “Botasot.info” në tetor të vitit 2020. Në fakt, në përmbajtje të artikullit, gjendej një sondazh me pyetjen “A duhet të jap dorëheqje presidenti Thaçi?”. (shih këtu)

Pra, portali i dyshimtë ka publikuar këtë sondazh të vjetër, duke i ndryshuar titullin me pretendimin e rremë se lexuesit kanë mundësi që të votojnë për subjekte politike.


Pjesë nga artikulli i publikuar në portalin e dyshimtë “specialja.com”:

Filluan SONDAZHET ONLINE – Votoni cila parti do te fitoje ne zgjedhjet lokale ne tetor?! LVV, LDK, PDK, AAK, apo NISMA

Votoni Në Sondazhin Online: Cila parti mendoni se do fitoje ne zgjedhjet lokale te Kosoves ne vjeshte te 2021 , VV; LDK; PDK; AAK apo NISMA?Sondazhi është bërë në faqen online “straëpoll.com”, ku është një ndër faqet më të sakta të sondazheve në të cilën nuk mund të ketë manipulime dhe çdo votues mund të votojë vetëm një herë, e jo më shumë.


Vegëza e artikullit të publikuar në portalin e dyshimtë “specialja.com”:

https://specialja.com/news/2022/07/27/filluan-sondazhet-online-lexo-dhe-votoni-cila-parti-do-te-fitoje-ne-zgjedhjet-lvv-ldk-pdk-aak-apo-nisma/?fbclid=IwAR3DrANA7asrZHKbUB4jWbceOVubGItq7YCaGj3sXPqXeevItheJlHoug_Q

Ky artikull është shpërndarë edhe në rrjetin social Facebook nga faqja “Specialja”, e cila numëron mbi 80 mijë ndjekës. Ndërsa në këtë postim ka arritur të grumbullojë shumë komente nga lexuesit, të cilët duket se kanë rënë pre e këtij mashtrimi. (shih këtu)


Ky sondazh i vjetër ishte publikuar edhe më herët nga një portal tjetër i dyshimtë, i cili atëherë kishte pretenduar rrejshëm se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kishte organizuar sondazh online. Gjithashtu, edhe ky artikull ishte verifikuar nga hibrid.info. (shih këtu)


Analiza:

Portali i dyshimtë “specialja.com” ka përdorur një sondazh të vjetër të vitit 2020 që kishte të bënte me Hashim Thaçin, të cilit i ka vënë titull të rremë në mënyrë që ta paraqesë atë si aktual, me pretendimin se lexuesit mund të votojnë për subjektet politike.

Në këtë artikull nuk gjendet asnjë sondazh online, siç pretendohet rrejshëm në titull.

Ky shkrim është shpërndarë nga faqja “Specialja” në Facebook e cila numëron mbi 80 mijë pëlqime. Pas verifikimit nga hibrid.info, del që ky artikull kategorizohet si “clickbait”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Clickbait” e marrin ato tekste titulli i të cilave nuk ka asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Share With Others