info@hibrid.info
Nuk ka vendim të ri për përfshirjen e një pjese të komunës së Gjilanit në atë të Novobërdës
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Publikohen disa artikuj me pretendimin se Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, “ka marrë një vendim për të ndarë një pjesë të lagjes së Gjilanit dhe për t’ia dhënë atë Komunës së Novobërdës”.

Artikujt me këtë pretendim janë publikuar të hënën (28 korrik) nga disa media si: “gazetametro.net”, “periskopi.com”, “epokaere.com”, “ballkani.info” dhe “informim.net”.

Cila është e vërteta?

Hibrid.info ka gjetur se nuk ka ndonjë vendim në katër vitet e fundit për ndryshim të kufijve administrativ të komunës së Gjilanit.

Në këta artikuj raportohet se banorëve të lagjes “Dardania” në Gjilan u ka ardhur një letër nga Qeveria, më konkretisht nga Ministria e Brendshme dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), ku u thuhet se zyrtarisht ata nuk janë më banorë të komunës së Gjilanit, por asaj të Novobërdës.

Në artikull përmendet qëndrimi i Qeverisë, ku thuhet se ky veprim justifikohet si pjesë e zbatimit të procesit të decentralizimit. Megjithatë, sipas interpretimit të vetë artikullit, ky proces konsiderohet tashmë i përfunduar.

Artikujt kanë marrë si burim edhe deklaratën e një banoreje të kësaj lagje.


Rregullorja Nr. 2000/43 e Misionit të Administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK-ut), që administronte me Kosovën në bazë Rezolutës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB-së), mbi numrin, emrat dhe kufijtë e komunave, kishte përcaktuar tridhjetë komuna njësi administrative (shih këtu).

Më pas, plani i të dërguarit special nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, i dorëzuar në vitin 2007 si propozim nga ai, përcaktonte ndryshime në organizimin administrativ, ku kishte përfshirë Vetëqeverisjen Lokale dhe Decentralizimin. Në nenin 6 të dokumentit thuhet: “6.1 Komunat do të jenë njësi themelore territoriale të vetëqeverisjes lokale në Kosovë. 6.2 Vetëqeverisja lokale në Kosovë do të bazohet në parimet e qeverisjes së mirë, transparencës, dhe efikasitetit dhe efektivitetit gjatë ofrimit të shërbimeve publike, duke i kushtuar kujdes të posaçëm nevojave dhe brengave specifike të komuniteteve joshumicë dhe pjesëtarëve të tyre. 6.3 Komunat në Kosovë do kenë të drejtë për bashkëpunim ndërkomunal dhe tejkufitar në çështjet me interes të përbashkët gjatë ushtrimit të përgjegjësive të tyre, siç parashihet në Aneksin III të kësaj Marrëveshjeje. 6.4 Kufijtë e komunave të reja do të përkufizohen në pajtim me Shtojcën e Aneksit III të kësaj Marrëveshjeje” (shih këtu).

Në shtojcën e “ANEKS III” ishte paraqitur përkufizimi i kufijve të komunave të reja.


Organizimi dhe funksionimi i vetëqeverisjes lokale në Kosovë u bë në bazë të këtij plani. Në dokumentin zyrtar të këtij organizimi, thuhet se “Republika e Kosovës shtrihet në një sipërfaqe prej 10908 km/2, e cila është e ndarë në 38 njësi administrative apo në 38 komuna, të cilat shtrihen dhe veprojnë në kushte specifike territoriale. Komunat, fillimisht janë të themeluara me Rregulloren e UNMIK-ut 2000/43, në vitin 2000, derisa Kosova ishte nën administrimin e UNMIK” (shih këtu).

Pas shpalljes së pavarësisë, në bazë të Planit të Ahtisarit, organizimi territorial dhe përcaktimi i kufijve administrativ të komunave është rregulluar me Ligjin për Kufijtë Administrativ të Komunave. Nga viti 2008 deri në vitin 2012 ishin themeluar 7 komuna të reja dhe një komunë, dhe ajo e Mitrovicës së Veriut, ishte në proces të themelimit në atë kohë.

Nga shkëputja e territorit të komunave ekzistuese dhe bashkimi i tyre, janë formuar komunat e reja në Republikën e Kosovës, si: Graçanica, Parteshi, Ranillugu, Kllokoti, Hani i Elezit, Mamusha dhe Juniku. Krijimi i komunave të reja ishte bërë në llogari të territorit të komunave: Prishtinë, Lipjan, Fushë Kosovë, Kamenicë, Novobërdë, Gjilan, Viti, Kaçanik, Prizren, Suharekë, Rahovec, Suharekë, Deçan dhe Gjakovë. Komunat e reja kanë marrë 265.4 km/2 territor të komunave ekzistuese apo 2% të territorit të Kosovës.

Edhe pse në dokumentin “Organizimi dhe funksionimi i vetëqeverisjes lokale në Kosovë” Gjilani dhe Novobërda përmenden se kanë humbur territore pas krijimit të komunave të reja, në Planin e Ahtisarit, në mesin e komunave të përmendura pas përcaktimit të kufijve të komunave të reja, është edhe Novobërda (shih këtu).

Nenit 5 i Ligjit për Kufijtë Administrativ të Komunave, “Organizimi Territorial i Vetëqeverisjes Lokale”, në pikën 5.3, thotë se: “Komuna e tanishme e Novobërdës e me seli në Bostan do të zgjerohet dhe përbëhet nga zonat kadastrale të renditura në këtë ligj”. (shih këtu).

Nëse krahasojmë hartën e komunave të Kosovës para dhe pas procesit të decentralizimit të komunave, vërehet se Novobërda ishte zgjeruar në llogari të Gjilanit.

Harta e komunave para dhe pas formimit të komunave të reja:


Sipas Ligjit për Kufijtë Administrativ të Komunave, përkatësisht nenit 9, ndryshimi i kufijve administrativ të komunës bëhet me plotësimin dhe ndryshimin e këtij ligji. Plotësim/ndryshimi i ligjeve votohet në Kuvendin e Kosovës.

Hibrid.info ka gjetur në gazetën zyrtare të Republikës së Kosovës se ky ligj nuk i është nënshtruar, asnjëherë deri më tani, plotësimeve dhe ndryshimeve që kanë prekur kufijtë administrativ të komunave (shih këtu).

Çka do të thotë se nuk kemi të bëjmë me ndonjë vendim të ri, që do të përfshinte ndryshimet territoriale të komunës së Gjilanit, por me zbatim të vendimeve në bazë të ligjit aktual.

Kjo gjë konfirmohet edhe nga drejtori aktual i Kadastrës në komunën e Gjilanit, Bekim Salihu, i cili me anë të një statusi në Facebook, të publikuar të shtunën (26 korrik), ka reaguar pas shqetësimeve të ngritura për këtë çështje, duke shkruar se kufiri i Gjilanit me Novobërdën është përcaktuar gjatë procesit të decentralizimit, si pasojë e këtij procesi, pjesa e lagjes Dardania, është territor që i takon Novobërdës (shih këtu).

Ngjashëm kjo gjë vërtetohet edhe nga thirrja e seancës emergjente në Kuvendin Komunal të Gjilanit, nga asamblistët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila u mbajt të martën (29 korrik) ku u kërkua inicimi i procedurave ligjore për korrigjimin e vijës kadastrale dhe administrative ndërmjet këtyre dy komunave (shih këtu).

Analiza:

Pretendimi se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka marrë një vendim për të ndarë një pjesë të lagjes së komunës së Gjilanit dhe për t’ia dhënë komunës së Novobërdës nuk qëndron.

Hibrid.info ka gjetur se nuk ekziston asnjë vendim i tillë gjatë katër viteve të fundit dhe kufijtë administrativë të komunave nuk janë ndryshuar nga ndonjë vendim i ri qeveritar, por janë përcaktuar më herët gjatë procesit të decentralizimit.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson pretendimin si “Manipulim i fakteve”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Share With Others