[email protected]
Parashikim i pa argumentueshëm për luftë në Kosovë dhe Bosnje gjatë muajit shkurt
shape
shape
shape

Portali informativ “Botasot.info” ka publikuar më 27 janar një artikull me titull “’Lufta është e pashmangshme’, eksperti austriak jep parashikimin e keq: Kosova dhe ky shtet të bëhen gati – ja planet e ekstremistëve serbë!”.

Në përmbajtje të këtij artikulli gjendet deklarata e austriakut Gunther Fehlinger, të cilit portali i lartcekur i referohet si “ekspert i sigurisë”.

Pas hulumtimit përmes makinave online të kërkimit, të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se Fehlinger nuk është ekspert sigurie, siç pretendohet në artikullin e Botasot.info, por i njëjti është ekonomist.


Vegëza e artikullit të publikuar në “Botasot.info”:

https://www.botasot.info/politika-lajme/2119476/lufta-eshte-e-pashmangshme-eksperti-austriak-jep-parashikimin-e-keq-kosova-dhe-ky-shtet-te-behen-gati-ja-planet-e-ekstremisteve-serbe/


Pjesë nga deklarata e Fehlinger dhënë për “Botasot.info”:

“Kosova dhe Bosnja duhet të përgatiten për luftë të pashmangshme gjatë shkurtit 2024

Lufta është e pashmangshme. Kosova dhe Bosnja duhet të përgatiten. Perëndimi është në gjumë dhe është i fokusuar në zgjedhjet në SHBA dhe BE. Rusia ka nevojë për një luftë të re shpërqendrimi. Ashtu si Hamasi dhe Irani, Serbia duhet tani të reagojë dhe t’a lehtëojë presionin rusëve në luftën ndaj Ukrainës. Ukraina është e sigurt se do ta fitojë luftën gjatë vitit 2024, kështu që Rusia u kërkon të gjithë aleatëve të saj që ta angazhojnë Perëndimin në të gjitha frontet. Presioni ndaj Beogradit dhe Banja Lukës për t’u bërë Hamasi dhe Houti i Ballkanit është i papërmbajtshëm, siç është mundësia e radikalëve serbë. Që prej 220 vjetësh ata ëndërrojnë çlirimin dhe bashkimin e të gjithë serbëve në një qeveri shtetërore nga Beogradi dhe qëllimi i tyre u “thye” nën presionin e bombave të NATO-s dhe diplomacisë perëndimore nga viti 1995 deri në 2008”, deklaroi eksperti i sigurisë.


Fehlinger deklaratën për luftë gjatë muajit shkurt, siç e quan ai të pashmangshme, nuk e bazon në asnjë të dhënë që argumenton pretendimin e bërë. Dhe duke u nisur nga fakti se i njëjti nuk është person relevant për të diskutuar për tema të sigurisë, një paralajmërim i llojit të tillë nuk mund të merret si i mirëqenë.

Hibrid.info ka hulumtuar përmes makinave online të kërkimit, ku ka gjetur se Gunther Fehlinger, ndër të tjera, njihet kryesisht si folës në ngjarjet e “Investment Management Exhibition(Ekspozita e Menaxhimit të Investimeve (IME), që është një ngjarje ndërkombëtare kushtuar Investimeve të Huaja Direkte (FDI) që zhvillohet çdo vit në zemër të qytetit të investimeve Frankfurt).

Në ueb-faqen e “Investment Management Exhibition”, është gjetur e publikuar edhe biografia e Gunther Fehlinger, ku sqarohet se ai është ekonomist austriak. (shih këtu)


Biografia e Gunther Fehlinger e përkthyer në shqip:

Gunther Fehlinger, ekonomist austriak, konsulent menaxhimi dhe zhvillimi, Gunther ishte një udhëheqës studentor austriak gjatë fillimit të viteve 1990, oficer ndërkombëtar i Unionit Studentor Austriak, Kryetar i Studentëve Demokratë Evropianë (96 -98) punoi në Bruksel nga viti 1998 deri në 2004, fillimisht për “BusinessEurope”. 4 vjet si Sekretar i Përgjithshëm i Unionit të SME-ve të EPP, nga viti 2005 e deri më tani Gunther është i fokusuar në reformën ekonomike dhe politikat e SME-ve në vendet evropiane në tranzicion kryesisht në Kosovë, Shqipëri, Ukrainë, Gunther shërben si Anëtar i Komisionit të Investimeve për Mbështetjen e Teknologjisë të Agjencisë për Zhvillimin e Ekonomisë të Maqedonisë së Veriut…


Edhe në enciklopedinë online “Wikipedia”, sqarohet se Gunther Fehlinger është një ekonomist si dhe një konsulent menaxhimi dhe zhvillimi. (shih këtu)


Hibrid.info ka hulumtuar rreth publikimeve të fundit në lidhje me një mundësi konflikti apo lufte në Ballkan. Megjithatë, asnjëra nga deklaratat e bëra nga përfaqësues të lartë të organizatave ndërkombëtare e as atyre shtetëror, nuk kanë dhënë afate për fillimin e ndonjë lufte në rajon, siç bënë Fehlinger.

Hibrid.info sjell disa nga deklaratat kryesore të bëra nga zyrtarë perëndimor dhe media kredibile perëndimore për mundësi konflikti të ri midis Serbisë dhe Kosovës. (shih këtu)

Ndërsa në një artikull të publikuar me datë 18 nëntor nga NewYorkPost.com, gjendet një deklaratë e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili kishte paralajmëruar se Rusia mund të jetë duke planifikuar të ndezë një luftë në Ballkan për të shkëputur vëmendjen nga lufta e saj e vazhdueshme me Ukrainën. (shih këtu)


Analiza:

Artikulli i “Botasot.info”, nga i cili ngritët pretendimi për luftë në Ballkan, rezulton të jetë i pa argumentueshëm. Ky pretendim bëhet vetëm duke u bazuar në deklaratën e ekonomistit austriak, Gunther Fehlinger, i cili kishte paralajmëruar se gjatë muajit shkurt Kosova dhe Bosnja duhet të përgatiten për luftë të pashmangshme.

Fehlinger në artikullin e publikuar nga Botasot.info, paraqitet si ekspert sigurie, e që pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, i njëjti është vërtetuar se nuk i përket këtij lëmi, por në fakt është ekspert i ekonomisë dhe, si i tillë, nuk mund të quhet person relevant që mund të bëjë një parashikim të tillë.

Përveç këtyre fakteve, hibrid.info nuk ka gjetur asnjë deklaratë të bërë nga ndonjë person relevant në lidhje me një mundësi për luftë në muajin shkurt.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson artikullin e publikuar nga “Botasot.info” si “Teori Konspirative”.


Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato raportime mediatike të cilat shpërndajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre raportimeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others