[email protected]
Përmes titullit pretendohet rrejshëm se ka përfunduar mandati i Miroslav Lajçak
shape
shape
shape

Portali informativ “ntv.al” ka publikuar në median sociale Facebook dje (31 janar) një artikull përmes titullit të së cilit pretendohet se ka përfunduar mandati i të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

Hibrid.info, pas hulumtimit dhe verifikimit të fakteve ka vërtetuar se ky pretendim nuk qëndron.

Lajmi sqarohet vetëm në përmbajtje të artikullit ku thuhet “Diplomatit sllovak pritet t’i përfundojë mandati përpara qershorit, dhe nuk dihet nëse për të do të ketë zgjatje të serishme të përgjegjësisë, pasi BE-në e pret një proces zgjedhor gjithashtu”.


Vegëza e artikullit të publikuar nga portal “Ntv.al”:


Hibrid.info, gjatë kërkimeve në internet ka gjetur artikullin origjinal të publikuar më 30 janar nga mediumi online “Dukagjini.com”. Në artikull bëhet një rezyme për mandatin e Lajçak-ut në përgjithësi, por në asnjë moment nuk thuhet që ka përfunduar mandati i tij. (shih këtu)


Në faqen zyrtare të Këshillit të Bashkimit Evropian është i publikuar vendimi (18 korrik 2022) për zgjatjen e mandateve të katër Përfaqësuesve Specialë të BE-së, ku tregohet se edhe Miroslav Lajçak – përfaqësuesit special për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, i është zgjatur mandati për dy vjet, dhe se ky mandat do të përfundojë më 31 gusht 2024. (shih këtu)

Screenshot nga ueb-faqja e Këshillit të Bashkimit Evropian


Analiza:

Përmes titullit të artikullit, një portal ka pretenduar se ka mbaruar mandati i të dërguarit special të Bashkimit Evropian për Dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Hibrid.info, ka gjetur vendimin nga Këshilli i Bashkimit Evropian ku tregohet se mandati i tij do të përfundojë në muajin gusht të këtij viti.

Në bazë të metodologjisë së punës, hibrid.info këtë artikull e vlerëson si “clickbait”.


Arsyetimi:

“Clickbait” janë ato tekste titulli i të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Share With Others