info@hibrid.info
Prattipati nuk thotë t’i jetë drejtuar Kurtit me fjalët “Mos gabo t’a përjashtosh Listën Serbe nga zgjedhjet”
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Disa portale informative në shqip, të enjten (21 gusht), shpërndanë artikullin me titull “Zyrtarja e lartë amerikane ‘urdhër’ të prerë për Kurtin: Mos gabo t’a përjashtosh Listën Serbe nga zgjedhjet”.

Përkatësisht, artikulli u publikua nga mediat online si “Periskopi.com”, “Jepize.com”, “Lajmi.net” dhe “Kfvagency.com”.

Çka nuk shkon me këtë titull?

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se titulli nuk korrespondon me deklaratën e Anu Prattipatit, e ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane.


Prattipati, të enjten, pas një takimi me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se i ka shprehur atij shqetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) nga çdo përpjekje për t’ua kufizuar partive serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të tetorit.

Por, në deklaratën e saj për media pas këtij takimi, Prattipati nuk ka përmendur decitivisht se i ka thënë Kurtit “Mos gabo t’a përjashtosh Listën Serbe nga zgjedhjet”, siç pretendohet në titujt e mediave të lartcekura, si dhe në asnjë rast nuk ka përmendur në veçanti subjektin politik “Lista Serbe”.

Deklarata e Prattipatit, e përkthyer në shqip:

“Sot gjithashtu kam ngritur shqetësimet tona me kryeministrin në detyrë për veprimet, që kuptojmë se kryeministri në detyrë dhe Lëvizja Vetëvendosje po shqyrtojnë t’i përjashtojnë disa nga partitë politike nga pjesëmarrja në zgjedhjet lokale të ardhshme. Të jemi të qartë, besojmë që të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësinë e plotë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre të zgjedhur. Është shumë me rëndësi që serbët e Kosovës të përfshihen në këtë proces dhe jemi të shqetësuar për çdo përpjekje që limiton zgjedhjet e tyre. Sot ia kam bërë të ditura këto pika kryeministrit dhe kam theksuar vëmendjen e SHBA-së ndaj kësaj çështjeje”. (shih këtu videon e publikuar në KTV – Koha Vision)


Pak kontekst:

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës (KQZ) nuk e ka certifikuar Listën Serbe, partinë më të madhe të serbëve të Kosovës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Rekomandimi për certifikimin e Listës Serbe, i mori vetëm 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime gjatë një mbledhjeje të KQZ-së të enjten (21 gusht). (shih këtu artikullin e REL)


Analiza:

Më 21 gusht disa portale online publikuan një artikull me titullin “Zyrtarja e lartë amerikane ‘urdhër’ të prerë për Kurtin: Mos gabo t’a përjashtosh Listën Serbe nga zgjedhjet”.

Pas verifikimit nga hibrid.info, u konstatua se titulli është i pasaktë dhe nuk përputhet me deklaratën reale të Anu Prattipatit, të ngarkuarës me punë në Ambasadën Amerikane në Kosovë.

Në daljen e saj publike pas takimit me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, Prattipati nuk ka përmendur asnjëherë Listën Serbe dhe as nuk ka përdorur frazën “Mos gabo”, siç pretendohet në titujt e portaleve të lartcekura.

Ajo tha se SHBA është e shqetësuar për çdo përpjekje që mund të kufizojë pjesëmarrjen e partive politike në zgjedhjet lokale, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së komunitetit serb në procesin zgjedhor.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait” dhe “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others