Shkroi: Fatbardh Dema
Kanali në gjuhën serbe “KORIDOR” në Telegram, të dielën (21 gusht), publikoi një përmbajtje me pretendimin se të shtunën (20 gusht), rreth orës 22:15 në Zubin Potok, Policia e Kosovës ndaloi një automjet civil në autostradë, nxori një serb nga makina dhe para kalimtarëve përdori forcë ndaj tij duke e rrëzuar përtokë, ofenduar, lidhur dhe më pas arrestuar. Sipas përmbajtjes së publikuar, i arrestuari pësoi lëndime të lehta në kokë, kurse arsyeja e këtij sulmi nga oficerët policor është ende e panjohur.
Çka dihet për këtë ngjarje?
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se pretendimi i bërë nga kanali i lartcekur nuk është i saktë.

Postimi i publikuar në Telegram, i përkthyer në shqip
NATË TERRORI NË ZUBIN POTOK
Mbrëmë rreth orës 22:15, anëtarët e të ashtuquajturës polici e Kosovës ndaluan një automjet civil në autostradën në Zubin Potok dhe nxorën një serb nga makina.
Para kalimtarëve, ndaj tij u përdor forcë brutale – duke e rrëzuar përtokë, duke e fyer dhe duke e lidhur, pas së cilës ai u mor në paraburgim. Sipas informacioneve, ai pësoi lëndime të lehta në kokë, por arsyeja e këtij sulmi nga të ashtuquajturit oficerë policie është ende e panjohur.
Automjetet e tjera në kolonë kaluan nën shënjestrën e pushkëve të gjata, gjë që shkaktoi frikë dhe ankth tek qytetarët.
Për momentin nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar për këtë incident.
Megjithatë, në raportin 24 orësh të lëshuar nga Policia e Kosovës, u raportua në lidhje me këtë rast. Bazuar në këtë raport, personi i dyshuar ka penguar zyrtarët policorë kur ata ishin duke shqiptuar një gjobë në trafik dhe i njëjti ka pësuar lëndime trupore pasi ka rezistuar gjatë arrestimit.
Çka thuhet në raport?
PENGIM I PERSONIT ZYRTAR NË KRYERJE TE DETYRËS ZYRTARE
Zubin Potok / 30.08.2025 – 21:10. Deri sa zyrtarët policorë kanë qenë duke shqiptuar një gjobë në trafik, një i dyshuar mashkull kosovar i ka penguar ata. I dyshuari ka rezistuar gjatë arrestimit dhe si pasojë e kësaj ka pësuar lëndime trupore. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Pra, në publikimin e bërë nga llogaria në gjuhën serbe në Telegram nuk tregohet fakti se personi i dyshuar ka penguar fillimisht zyrtarët policorë që ta kryejnë detyrën e tyre. Po ashtu, nuk ofrohet asnjë fakt qoftë fotografi apo video që do ta dëshmonte se ndaj tij është përdorur forcë, siç thuhet, brutale.
Analiza:
Kanali serb “KORIDOR” në Telegram publikoi një përmbajtje ku pretendonte se më 30 gusht në Zubin Potok, Policia e Kosovës ndaloi një automjet civil, nxori një serb nga makina dhe përdori forcë brutale ndaj tij para kalimtarëve, duke e rrëzuar përtokë, ofenduar, lidhur e arrestuar, ndërsa ai pësoi lëndime të lehta në kokë.
Megjithatë, sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur në atë mënyrë që, deri sa zyrtarët policorë kanë qenë duke shqiptuar një gjobë në trafik, i dyshuari i ka penguar ata, ka rezistuar gjatë arrestimit dhe si pasojë e kësaj ka pësuar lëndime trupore. Gjithashtu, thuhet se pas intervistimit i njëjti është liruar në procedurë të rregullt.
Bazuar në raportin policor, sqarohet se publikimi në Telegram është i pasaktë dhe nuk ofron dëshmi konkrete (fotografi apo video) që do të mbështesnin pretendimet e dhunës, siç thuhet, brutale.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Manipulim i fakteve” dhe “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.