Shkroi: Etrit Rexhepi
Një llogari në Facebook me emrin “Fleta Press” ka publikuar dje (28 mars) një imazh që paraqet kryetarin aktual të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhikun pranë ish-kryetarit të kësaj partie, Isa Mustafa.
Derisa publikimi përmban mbishkrimin “Lajmi i fundit”, imazhit i është vendosur teksti që pretendon se Lumir Abdixhiku ka prezantuar Isa Mustafën si kandidat të LDK-së për kryeministër.
Pas kontrollit dhe verifikimit të fakteve nga hibrid.info, është vërtetuar se ky pretendim nuk qëndron.
Bazuar nga disa prej komenteve në publikim, hibrid.info vlerëson se audienca mund ta lexojë njoftimin si të vërtetë.
Vegëza e imazhit të publikuar nga llogaria “Fleta Press” në Facebook:
Hibrid.info ka gjetur se i njëjti imazh është publikuar nga disa llogari të tjera në Facebook (shih këtu).
Disa prej komenteve në publikim / shih fotografinë:
Pas hulumtimit me anë makinave të kërkimit te faqet e LDK-së (këtu dhe këtu) dedikuara për informim si dhe në profilin zyrtar të kryetarit Abdixhiku në Facebook (shih këtu), në njoftimet e fundit nuk është gjetur asnjë publikim që konfirmon pretendimin në fjalë.
Ndërsa informatat e fundit të gjetura në lidhje me kandidatin për kryeministër nga ky subjekt, janë deklarimet e kryetares së Forumit të Gruas në LDK, Jehona Lushtaku Sadriut, të raportuara sot (29 mars) nga disa media, ku thuhet se Lumir Abdixhiku do të jetë kandidat i LDK-së, për kryeministër (shih këtu, këtu dhe këtu).
Për ta hedhur poshtë edhe më shumë pretendimin e mësipërm, hibrid.info ka gjetur se fotografia ku shihen Abdixhiku dhe Mustafa pranë njëri tjetrit, paraqet momentin e prezantimit të kryetarit aktual të LDK-së, kur ishte bashkuar me këtë subjekt politik në vitin 2017 (shih këtu).
Analiza:
Pretendimi me anë të një imazhi që njofton se Lumir Abdixhiku ka prezantuar Isa Mustafën si kandidat për kryeministër, është i pasaktë.
Një njoftim i tillë i pretenduar nuk është konfirmuar, ndërsa fotografia ku shfaqen Mustafa dhe Abdixhiku, është shkrepur në vitin 2017, kur ky i fundit ishte bërë pjesë e LDK-së.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Lajm i rremë”.
Vlerësimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.