[email protected]
Pretendim i pa verifikuar për gjuajtje me armë në pikën kufitare në Jarinjë ndaj një të punësuari në MPB të Serbisë
shape
shape
shape

Në median sociale “Telegram” nga një llogari në gjuhën serbe, dje (21 janar) është publikuar një postim që pretendon se atë ditë në pikën kufitare në Jarinjë, është gjuajtur me armë në drejtim të një personi të punësuar pranë Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

Llogaria në fjalë, në këtë postim vazhdon të pretendojë se ndaj këtij personi, është shtënë me armë, derisa i njëjti kishte qenë në gjueti.

Pas hulumtimit të kryer, hibrid.info nuk e ka gjetur të publikuar këtë informacion në mediat kryesore në gjuhën shqipe dhe serbe që i monitoron në baza ditore, si dhe lidhur me këtë rast nuk është raportuar as në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.


Vegëza e artikullit të publikuar në median sociale “Telegram” nga llogaria në gjuhën serbe “БУНТ јестањедуха”:

https://archive.is/NiSTP


Postimi i publikuar nga llogaria “БУНТ јестањедуха” në Telegram, i përkthyer në shqip:

Sot, rreth orës 10:00 në mëngjes është gjuajtur në drejtim të një personi në kalimin administrativ Jarinjë. Informacionin nuk e kemi publikuar deri më tani, sepse kemi pritur konfirmim se për kë bëhet fjalë, prandaj tash e kemi konfirmuar se bëhet fjalë për një person të punësuar pranë Ministrisë së Brendshme  (MUP), të Republikës së Serbisë, në rajonin e Rashkës.  Identitetin dhe pozitën që mbanë ky person nuk do ta bëjmë publike, sepse bëhet fjalë për një prej pozitave më të rëndësishme. Në të është shtënë derisa ka qenë në gjueti, dhe ka dashur ligjërisht që të vizitojë prindërit e tij në Kosovë. Ndaj tij është hapur zjarr pa asnjë arsye, në afërsi të vendkalimit administrativ në Jarinjë, prej nga ai ka kaluar në Serbinë Qendrore. A kemi ardhur në pikën kur të punësuarit në cilindo shërbim të Ministrisë së Brendshme, ose të tjerë persona që jetojnë në Serbinë Qendrore, nuk mund të vizitojnë familjet e tyre në Kosovë, pa u gjuajtur në drejtim të tyre?


Në raportin 24-orësh të lëshuar nga Policia e Kosovës për datën 21 janar, datë kur pretendohet të ketë ndodhur incidenti i lartcekur, nuk është raportuar të ketë ndodhur kjo ngjarje. (shih fotografinë më poshtë)


Përveç në raportin 24-orësh, lidhur me këtë ngjarje nuk është raportuar as në faqen zyrtare të Policisë së Kosovës në Facebook, e që deri në shkrimin e këtij artikulli, njoftimi i fundit i bërë në këtë faqe i takon datës 19 janar. (shih këtu)

Hibrid.info nuk ka gjetur raportim të tillë në mediat kryesore në gjuhën shqipe dhe serbe që i monitoron në baza ditore.


Analiza:

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se pretendimi i bërë nga një kanal në gjuhën serbe në Telegram lidhur me një incident në pikën kufitare në Jarinjë, nuk është gjetur i raportuar në mediumet kryesore qoftë në gjuhën shqipe apo edhe atë serbe.

Po ashtu, lidhur me këtë incident nuk është raportuar as edhe në njoftimin e bërë nga Policia e Kosovës në raportin 24-orësh për datën 21 janar, kur edhe pretendohet të ketë ndodhur ngjarja.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Përmbajtje e pa verifikuar”.


Arsyetimi:

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre raporteve mediatike që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur konfirmojnë të njëjtat për shkak të mungesës ose mos-posedimit të burimeve të besueshme.

Share With Others