[email protected]
Pretendim tërësisht i sajuar: Ushtrimet e FSK-së janë të ligjshme dhe nuk janë pjesë e ndonjë plani për spastrim etnik
shape
shape
shape

Mediumi në gjuhën serbe “Informer” ka publikuar një artikull sot (21 shkurt) me pretendimin se shqiptarët po përgatiten për spastrim etnik të serbëve.

Artikulli bazohet në ushtrimet e zhvilluara nga Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK), në poligonin taktik në Cerrnushë të Mitrovicës, ushtrim që cilësohet ilegal nga ky medium, duke u thirr në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (KS e OKB-së).

Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, është gjetur se ushtrimet e FSK-së po zhvillohen në kuadër të planifikimit të vitit 2023 në mënyrë legale dhe jo për përgatitjen e spastrimit etnik të serbëve, siç pretendohet. (këtu)

Vegëza e artikullit të publikuar në “Informer”:

https://informer.rs/vesti/politika/773041/siptari-spremaju-etnicko-ciscenje-srba

Pjesë të artikullit të publikuar në “Informer”:

E ashtuquajtura ushtri e Shiptarit po përgatitet seriozisht për spastrimin etnik të serbëve nga Kosova e Metohia! “Forcat e Sigurisë së Kosovës” (KBS) po ushtrojnë të shtënat me municion të vërtetë në afërsi të Mitrovicës Jugore, duke i treguar hapur popullatës serbe se çfarë i pret!?!


Pretendimi se bëhen përgatitje për një spastrim etnik të serbëve, duke përdorur si bazë ushtrimet e FSK-së në poligonin taktik në Cerrnushë të Mitrovicës, është pretendim tendencioz dhe i pa bazuar në fakte.

Gjithashtu, mediumi në fjalë pretendon se ushtrimet e FSK-së janë ilegale edhe për faktin se, siç thuhet, janë në kundërshtim me Rezolutën 1244 të KS-OKB-së. Por, ky pretendim nuk qëndron, për shkak se Republika e Kosovës e ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt 2008 në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë, akt ky që e shfuqizoi rezolutën 1244 të OKB-së. (këtu, këtu)

Për më tepër, ligjshmërinë e këtij ushtrimi të FSK-së e dëshmon edhe ligji për FSK-në të vitit 2019, përmes së cilit ndodhi transformimi në ushtri, me kapacitete shtesë dhe me përgjegjësi të mbrojtjes, por pa ia ndryshuar emrin. (këtu, këtu)

Ushtrimet e FSK-së janë zhvilluar në poligonin taktik në Cerrnushë të Mitrovicës, pra, në pjesën jugore të Mitrovicës. Ky fakt jep edhe një argument shtesë që tregon se, aktiviteti i FSK-së ishte në përputhje edhe me marrëveshjen e vitit 2013, që ndalon veprimin e trupave të FSK-së në komunat veriore të Kosovës, e arritur atëkohë mes kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçit dhe sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. (këtu)


Analiza:

Medium në gjuhën serbe “Informer” ka publikuar një artikull me pretendimin se shqiptarët po përgatiten për spastrim etnik të serbëve, duke u bazuar në ushtrimet e zhvilluara nga Forcat e Sigurisë së Kosovës, në poligonin taktik në Cerrnushë të Mitrovicës, ushtrim që cilësohet ilegal nga ky medium bazuar në rezolutën 1244.

Pas verifikimit të fakteve është gjetur se ushtrimet e FSK-së janë legale se po zhvillohen në përputhje me ligjin për FSK-në, në pjesën jugore të Mitrovicës pa e shkelur marrëveshjen e 2013-ës në mes Thaçit dhe NATO-s.

Pas analizës së kontrollit të fakteve, është vërtetuar se ky pretendim nga mediumi serb është tendencioz dhe i pabazë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë si “dezinformatë”.


Vlerësimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others