Shkroi: Fatbardh Dema
Pretendimi se çmimi për një litër naftë mund të rritet në më shumë se 4 euro, u publikua të hënën (2 mars) nga faqet “Kosova Report” (arkivë) dhe “Zëri i Izraelit në Kosovë” (arkivë) në Facebook.
Çka nuk shkon me këtë pretendim?
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se ky pretendim nuk qëndron. I njëjti nuk është gjetur i publikuar në asnjë media kredibile vendore apo ndërkombëtare.
Pretendimi për rritje të çmimit të naftës në më shumë se 4 euro u publikua pas raportimeve që thonë se Irani ka shkatërruar disa anije me naftë.
Çka dihet lidhur me shtrenjtimin e naftës?
Hibrid.info ka gjetur artikuj të publikuar në mediume të huaja si “Reuters” e “CNN”, të cilat kanë raportuar lidhur me çmimin e naftës.
Reuters shkruan se çmimi për derivate të naftës ka kaluar shifrën prej 3 dollarë amerikan për gallon (1 gallon = rreth 3.78 litra) (shih këtu).
Ndërsa mediumi CNN ka raportuar se “Çmimi mesatar në ShBA për një gallon ishte pak më pak se 3 dollarë të hënën, sipas anketës së AAA-së, e cila u krye në pompat e derivateve. Kjo është rreth 2 cent më shumë se anketa e ditës paraprake dhe gjashtë cent më shumë se një javë më parë”.
Analisti i pavarur i naftës, Tom Kloza, një këshilltar i “Gulf Oil”, tha për CNN se pret që çmimet me pakicë të derivateve të naftës do të rriten me 5 deri në 10 cent në ditë për gallon për të paktën një kohë të shkurtër. Ai shtoi se kjo rritje pritet të “ndalet” diku te 3.25 dollarë për gallon.
Pak kontekst
Hakmarrja e Iranit në përgjigje të sulmeve të ShBA-së dhe Izraelit ka ndërprerë furnizimin global me naftë, pasi goditi objektet e prodhimit në vendet fqinje dhe anijet në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe tregtare globale.
Ngushtica e Hormuzit ndodhet mes Omanit dhe Iranit, që lidh Gjirin Persik në veri me Gjirin e Omanit në jug dhe më tej me Detin Arabik. Afro 20 për qind e naftës së botës, rreth 18-19 milionë fuçi në ditë, kalojnë përmes kësaj ngushtice. (shih këtu artikullin e REL)
Analiza
Pretendimi nga disa faqe në Facebook se çmimi i një litri naftë mund të rritet mbi 4 euro, rezulton i pavërtetë. Pas verifikimit nga hibrid.info, nuk u gjet asnjë raportim në media kredibile vendore apo ndërkombëtare që mbështet këtë shifër.
Raportimet e Reuters dhe CNN tregojnë se çmimi në ShBA ka qenë rreth 3 dollarë për gallon (1 gallon = rreth 3.78 litra), me pritje për rritje deri në 3.25 dollarë për gallon, shifër kjo që është shumë larg pretendimit për mbi 4 euro për litër.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këto pretendime si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.





