[email protected]
Pretendimet e rreme se Kosova po furnizohet me armatim nga Britania e Madhe, vazhdojnë të publikohen në artikuj me përmbajtje në shqip
shape
shape
shape

Mediat serbe ditëve të fundit kanë pretenduar se Britania e Madhe ka dhënë armatim për Ushtrinë e Kosovës.

Ky pretendim po vazhdon ende të publikohet e shpërndahet në artikuj në gjuhën shqipe, përmes mediave sociale. Hibrid.info sot (20 prill) ka gjetur një artikull të tillë të publikuar nga “Albasky.com”, në titullin e së cilës shkruan se “Britania i dhuron Kosovës raketa “Javelin” dhe “NLAW” si ato që po djegin tanket ruse në Ukrainë” .

Në përmbajtje të këtij artikulli gjendet lajmi i publikuar nga mediumi serb “Novosti.rs”, me pretendimin pa fakte se “Londra zyrtare u ka dorëzuar autoriteteve në Prishtinë raketa “Jevelin” dhe “NLAW”, të cilat po përdoren nga forcat ukrainase në luftën kundër trupave ruse”.


Vegëza e artikullit të publikuar në portalin e dyshimtë “albasky.com”:

https://albasky.com/britania-i-dhuron-kosoves-raketa-javelin-dhe-nlaw-si-ato-qe-po-djegin-tanket-ruse-ne-ukraine-foto/?fbclid=IwAR2oTPlMXiPhN5uN4iBXWjS-uLfqc0v3AA_KFFCEL-u-6JS9Iw2gRJ75OpM

Artikullin e publikuar në mediumin serb “Novosti.rs” se Britania e Madhe ka shpërndarë armatim për Ushtrinë e Kosovës mund ta gjeni këtu.


Megjithatë, kjo është demantuar nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Serbi, pas insistimit të mediave për të trajtuar këtë pretendim (shih këtu).

“Në disa media të Beogradit u shfaqën akuza tërësisht të sajuara për dërgim të armëve nga Britania e Madhe në Kosovë. Nuk ka asnjë grimë të vërtetë në këto akuza”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.


Këto pretendime, mediat serbe i kanë bërë duke gjetur arsyetim në publikimin e KFOR-it (15 prill) të postuar në faqen e tyre zyrtare në Facebook, lidhur me aterimin e një aeroplani ushtarak transportues të ushtrisë britanike në Aeroportin e Prishtinës (shih këtu)

Megjithatë, KFOR ka bërë të ditur se ky aeroplan transportues ka ardhur të sjellë mbështetje për kontingjentin britanik të KFOR-it dhe jo mbështetje me armatim të Ushtrisë së Kosovës, siç pretendohet nga mediat serbe.


Hibrid.info ka trajtuar pretendimet e ngjashme me ato në media, të bëra nga krerët institucionalë të Serbisë, duke filluar nga Presidenti, Aleksandar Vuçiq, Ministri i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin dhe kryetari i Komisionit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun (shih këtu).


Analiza:

Pretendimi i mediave serbe se Britania e Madhe po e armatosë Ushtrinë e Kosovës, po vazhdon të shpërndahet edhe nga portalet e dyshimta me përmbajtje në gjuhën shqipe.

Hibrid.info ka gjetur një artikull të tillë të publikuar nga portali i dyshimtë “Albasky.com” me titull “Britania i dhuron Kosovës raketa “Javelin” dhe “NLAW” si ato që po djegin tanket ruse në Ukrainë’”, bazuar në një artikull të publikuar ditë më par nga mediumi serb “Novosti.rs”.

Megjithatë, këto pretendime nga mediat serbe, janë demantuar nga Ambasada e Britanisë në Beograd, e cila i ka quajtur ato si trillime.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others