Shkroi: Festim Rizanaj
Në ndeshjet sportive, slogane dhe thirrje nacionaliste nga tifozët ultras janë bërë të zakonshme, duke krijuar tensione të vazhdueshme dhe duke e kthyer sportin në një platformë për përhapjen e mesazheve politike. Në rastin e Serbisë, brohoritja “Kosova është Serbi” është thuajse e pashmangshme në çdo ndeshje, një fakt i njohur edhe për tifozët e huaj. Ultrasit e vendeve që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, si Sllovakia, Greqia, Qiproja dhe Rumania, shpesh shfrytëzojnë mundësitë për të shprehur solidaritetin e tyre me tifozët serbë.
Një shembull i fundit është ndeshja e Ligës së Kombeve më 15 nëntor 2024, në mes Kosovës dhe Rumanisë në Bukuresht e cila u ndërpre në minutat shtesë pas thirrjeve nacionaliste “Serbi, Serbi” nga tifozët rumunë, duke çuar në largimin e lojtarëve të Kosovës nga fusha dhe refuzimin për të vazhduar ndeshjen, pavarësisht nga zbrazja e stadiumit nga tifozët. (këtu)
Gjatë kësaj ndeshjeje në tribunat e tifozëve rumunë u shfaq një flamur që bashkonte ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe Rumanisë përmes një kryqi ortodoks, duke përcjellë një mesazh me simbolikë politike dhe fetare, e cila është publikuar në disa faqe në media sociale më 16 nëntor.
Po atë ditë, faqja në Facebook “All fans in the world for Kosovo is Serbia” publikoi këtë imazh. Postimi u ripublikua më pas në faqe të tjera si Ultras World, Football, Fans And The Culture, dhe PAOK PARTIZAN FAMILY me mbishkrimin, “GREAT RESPECT to the fans of Romania, who chanted “Serbia, Serbia…” against our province of Kosovo, after which the Albanian players left the field” (përkthim: RESPEKT I MADH për tifozët e Rumanisë, të cilët brohoritën “Serbia, Serbia…” kundër provincës sonë të Kosovës, pas së cilës lojtarët shqiptarë u larguan nga fusha).
Pas ngjarjeve në Bukuresht, tifozët serbë kanë reaguar duke shkruar grafite në qytetin e Kralevës. Sipas faqes në Facebook “Casual Romania”, disa tifozë të klubit futbollistik Cërvena Zvezda (Ylli i kuq) kanë realizuar një vizatim që përmban flamujt e Rumanisë dhe Serbisë, të shoqëruar me mesazhin: “Vëllezërit ortodoksë. Kosova është Serbi. Besarabia është Rumania”. Kjo u publikua me 16 nëntor, dhe u ripublikua në po të njëjtën ditë në faqen tjetër në Facebook, Anturaj Radical. (Besarabia është një rajon historik që përfshin pjesë të Moldavisë dhe Ukrainës, shpesh i lidhur me diskutime për identitetin kulturor dhe politik në raport me Rumaninë). Ndërsa faqja tjetër në Facebook dhe Instagram, SerbianOffender, kishte publikuar fotografi me slogane nga ndeshja e vitit të kaluar (2023) në mes Rumanisë dhe Kosovës, e zhvilluar në Rumani.
Në shtator të vitit 2023, gjatë ndeshjes Rumani – Kosovë (2-0), loja u ndërpre për rreth 50 minuta për shkak të një pankarte të shfaqur nga ultrasit rumunë me mesazhin “Basarabia është Rumani, Kosova është Serbi”. (këtu) Ndeshja u zhvillua më 12 shtator 2023, në kuadër të së cilës u publikuan imazhe dhe video në media sociale lidhur me thirrjet dhe sloganet e mësipërme. Faqja në Facebook “All fans in the world for Kosovo is Serbia” më 13 shtator publikoi një video ku shfaqeshin slogane si “Besarabia është Rumani” dhe “Kosova është Serbi”, pasuar nga faqja tjetër në Facebook, HELLASERBIA.
Thirrjet dhe sloganet
Grupet e tifozëve ultras, të cilat në shumicën e rasteve kanë prirje nacionaliste të së djathtës ekstreme, shpesh mbështesin njëri-tjetrin në ushqimin e ideologjive nacionaliste, një dukuri e zakonshme në stadiume. Një tifoz serb, ndoshta pa pasur njohuri për vendndodhjen e Besarabisë, nuk do të hezitojë të bashkohet me brohoritjet “Besarabia është Rumani” nëse tifozët rumunë mbështesin parullën “Kosova është Serbi”, të cilët po ashtu mund të mos e dinë kontekstin. Kjo formë solidariteti pasqyron një ndjenjë uniteti, një nga vlerat kryesore të grupeve ultras. Mbështetja e ndërsjellë për ideologjitë nacionaliste shmang konfliktet dhe forcon ndjenjën e “vëllazërisë” mes grupeve, ndërsa mungesa e mirëkuptimit përshkallëzon tensionet, duke i çuar në përplasje në tribuna dhe jashtë tyre.
Thirrjet dhe sloganet e tifozëve ultras, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me Kosovën, përmbajnë shpesh mesazhe provokuese dhe nacionaliste si “Kosova është Serbi” dhe “S’ka dorëzim”.
Sloganet si “Kosova është Serbi”, “Basarabia është Rumani” dhe “Qiproja është Greqi” përdoren shpesh nga tifozët ultras në ndeshje futbolli për të mbështetur qëndrime të caktuara politike. “Kosova është Serbi” reflekton qëndrimin e shtetit serb kundër pavarësisë së Kosovës, “Basarabia është Rumani” thekson lidhjen historike të Rumanisë me Basarabinë, ndërsa “Qiproja është Greqi” përfaqëson dëshirën e disa grupeve greke për bashkimin e Qipros me Greqinë. Këto slogane shoqërohen shpesh me flamuj dhe simbole kombëtare. Mesazhet politike në ndeshjet e përfaqësueses së Serbisë janë bërë të zakonshme, ku tifozët serbë shpesh thërrasin “Kosova është Serbi”. Kjo ka ndodhur edhe në ndeshjen e fundit mes Zvicrës dhe Serbisë (12 tetor 2024), lojë kjo e zhvilluar në Cyrih ku po ashtu u dëgjuan këto thirrje, duke reflektuar qëndrimet politike të tifozëve ndaj çështjes së Kosovës (këtu).
Bashkë me sloganin “Kosova është Serbi”, në ndeshjen e 9 shtatorit ndërmjet Qipros dhe Kosovës (0-4), të zhvilluar në Greqi, u shfaq edhe mesazhi “Qiproja është Greqi”. Faqja në Facebok “All fans in the World for Kosovo is Serbia” ka publikuar e para fotografinë e shpalosjes së banderolës, e u ripublikua nga faqet HELLASERBIA, Ultrasliberi Hungaria, Le Kosovo serbe, APOEL Ultras 1979 – official. Pas kësaj ndeshjeje, i njëjti slogan, “Kosova është Serbi/Qiproja është Greqi”, u shpalos edhe gjatë ndeshjes së kampionatit qipriot mes Anorthosis dhe Omonia Nicosia, më 21 shtator 2024. Faqja në Facebook “All fans in the World for Kosova is Serbia” më 22 shtator ka publikuar fotografinë e shpalosjes së banderolës, po ashtu edhe faqet HELLASERBIA, Православна браћа – Ορθόδοξοι αδελφοί, dhe @SlavFreeSpiritnë platformën X.
Slogani “Nema predaje” (S’ka dorëzim), përdoret gjerësisht nga huliganët serbë dhe tifozët ultras që mbështesin qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës, dhe lidhet me një aksion simbolik të nisur në veriun e Kosovës në korrik 2022. Ky aksion, që erdhi pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat e Serbisë, u pasua nga shpërndarja e fletushkave me mesazhin “S’KA DORËZIM! KM MBETET”. Slogani u përvetësua nga presidenti serb, Alleksandar Vuçiq dhe u shpërnda gjerësisht në ndeshje sportive.
Një nga ndeshjet e fundit futbollistike kur kjo banderolë më këtë slogan ka zënë vend është ajo ndërmjet Çekisë dhe Shqipërisë, 11 tetor 2024, kur tifozët ultras çekë shpalosën një banderolë ku shihet harta e Kosovës e ngjyrosur me ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe sloganin “S’ka dorëzim”. (këtu)
Banderola u shpalos edhe në ndeshjen mes Viktoria Plzen dhe Sparta Pragës më 27 tetor 2024, ku u shpalos një baner me këtë mesazh, në faqe të ndryshme në Facebook si, “All Fans in the World for Kosovo is Serbia”, Football, Fans And The Culture, Balkanski navijaci.
Slogani “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” u përdor pas agresionit të paramilitarëve serbë në veri të Kosovës dhe shpalljes së 27 shtatorit 2023 si ditë zie për viktimat e shkëmbimit të zjarrit me Policinë e Kosovës. Ky mesazh u shfaq në ndeshje sportive, përfshirë përmes pankartave dhe koreografive nga tifozët. Në ndeshjen midis Cërvena Zvezdës dhe Radniçki 1923 (2023), tifozët shpalosën një pankartë me këtë slogan dhe veshën bluza me portretin e Stefan Nedelkoviqit. Slogani u përdor gjithashtu në ndeshjen miqësore të Zvezdës me Fiorentinën (2023), si formë mbështetjeje për Serbinë dhe qëndrimet e saj ndaj Kosovës.
Rrjetëzimi në media sociale: All Fans in the World for Kosovo is Serbia
Faqja “All Fans in the World for Kosovo is Serbia” në mediat sociale shpërndan përmbajtje që lidhen me thirrje dhe slogane të përdorura nga disa tifozeri ultras, të cilat përkrahin qëndrime nacionaliste serbe ndaj Kosovës. Kjo faqe shërben si platformë ku mblidhen dhe publikohen shpalosja e këtyre sloganeve dhe thirrjeve nga tifozeri ultras, të shteteve dhe klubeve futbollistike nga Çekia, Sllovakia, Polonia, Greqia, Qipro e Rumania.
Faqja në fjalë në Facebook ka 42 mijë pëlqime dhe 46 mijë ndjekës. Ajo shërben për shpërndarjen e përmbajtjeve që lidhin slogane dhe thirrje nacionaliste serbe, veçanërisht ato që mbështesin qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës. Faqja publikon rregullisht slogane politike si “Kosova është Serbi”, “Besarabia është Rumani” dhe “Qiproja është Greqi”, të ilustruara me foto dhe video nga ndeshje futbolli. Komentet në publikimet e faqes shpesh mbështesin slogane si “Kosova është Serbi”, “Besarabia është Rumani”, “Qiproja është Greqi” dhe “Karabag është Armeni”, duke përdorur emoji flamujsh, kryqe dhe zemra për të theksuar solidaritetin dhe identitetet kombëtare.
Faqja gjithashtu operon një dyqan online që shet fanella me mesazhe nacionaliste si “Kosova është zemra e Serbisë”, “Kosova është Serbi” dhe “Vëllezërit ortodoksë”, shpesh të ilustruara me dizajne që bashkojnë flamujt e shteteve ortodokse-sllave.(këtu)
Në këtë faqe publikohen imazhe dhe video nga ndeshje futbolli që tregojnë tifozë ultras nga shtete me ideologji të ngjashme, si Serbia, Çekia, Rusia, Polonia, Greqia, Armenia, Rumania dhe Sllovakia. Tifozët e ekipeve si Viktoria Plzen, Sparta Prague (Çeki), Zenit, CSKA (Rusi), Wisła Kraków (Poloni), Apoel Nicosia (Qipro), Partizan dhe Crvena Zvezda (Serbi), dhe të tjerë.
Ultra tifozët e klubeve futbollistike nga Çekia, në ndeshje të ndryshme, shpalosin flamuj me hartën e Kosovës, të vulosur me sloganin “S’ka dorëzim”. Tifozeria e klubit futbollistik FK Bani Most, e njohur si “Ultras 1909”, në koreografitë e tyre përfshin edhe flamurin me sloganin “S’ka dorëzim.” (këtu, këtu) Në ndeshjen e Ligës së Kombeve mes Republikës Çeke dhe Shqipërisë në Pragë (11 tetor 2024), ultra-tifozët e quajtur “Sektor-P”, të klubit futbollistik çekë, Viktoria Plzen, shpalosën pankarta me hartën e Kosovës në ngjyrat e flamurit serb dhe mesazhin “S’ka dorëzim”, si dhe një transparent tjetër që bashkonte flamujt e Çekisë dhe Serbisë me sloganin “Kosovo je Srbija i Brat za Brata – nema predaje” (“Kosova është Serbi dhe Vëllai për Vëllanë – nuk ka dorëzim”). (këtu) Tifozët e Sparta Prague, të njohur si “Ultras Sparta (Letensti)”, kanë shpalosur gjithashtu flamuj që përfshijnë elemente si harta e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb dhe sloganin “S’ka dorëzim”. (këtu, këtu)
Publikime të ngjashme përfshijnë edhe tifozët ultras nga Greqia dhe Qipro, të cilët përmes thirrjeve nacionaliste dhe sloganeve kundër pavarësisë së Kosovës, shpesh të shfaqura në pankarta dhe flamuj gjatë ndeshjeve sportive, shprehin mbështetje për Serbinë. Ky slogan është shfaqur edhe gjatë ndeshjes mes Qipros dhe Kosovës më 9 shtator 2024 (këtu). Në një video të fundit shfaqen tifozët “Apoel Ultras” e Apoel Nicosia dhe FK Borac duke brohoritur “Kosovo is Serbia” në ndeshjen e Ligës së Konferencës (24 tetor 2024), (këtu) ndërsa në ndeshjen Anorthosis-Omonia (21 shtator 2024) u shpalos një pankartë nga tifozët “Ultras Famagusta” me mesazhet “Kosova është Serbi” dhe “Qipro është Greqi”, duke shprehur simbolizëm politik mbi çështje territoriale (këtu). Tifozët e klubit futbollistik grek PAOK, të njohur si “PAOK 031”, shpesh shpalosin slogane si “S’ka dorëzim”, (këtu) “Kosova është Serbi,” dhe “Maqedonia është Greqi” gjatë ndeshjeve, duke reflektuar qëndrime politike dhe nacionaliste, (këtu) si dhe tifozët e Olympiakos. (këtu) Ultra-tifozët grekë e qipriotë përdorën një pankartë me mesazhin “ΕΛΛΑΣ- ΣΕΡΒΙΑ- ΟΡΘΟΔΟΞΙΑ!” (Greqi-Serbi-Ortodoksi), duke shprehur solidaritetin e tyre me Serbinë dhe lidhjet fetare dhe kulturore që ndajnë këto dy shtete, përmes theksimit të identitetit ortodoks. (këtu)
Në postimet e faqes në Facebook përfshihen edhe ultra tifozët nga Polonia, si ata të Wisła Kraków, “Ultra Wisla” të cilët shprehin mbështetje për Serbinë me slogane si “Kosova është Serbi”, flamuj dhe grafite që reflektojnë nacionalizmin serb. (këtu, këtu)
As Rusia nuk përbën përjashtim për sa u përket mesazheve mbështetëse për politikat serbe nëpër ngjarje sportive. Mesazhe si “Kosova është Serbi” ose të ngjashme, që lidhen me retorikën nacionaliste, janë parë si në ndeshjet ndërkombëtare ashtu edhe në ato të klubeve ruse. Tifozët e CSKA Moskva dhe Zenitit shpalosën një pankartë me mesazhin “S’ka dorëzim – Kosova është Serbi” dhe një baner për miqësinë ruso-serbe, duke shprehur mbështetje për Serbinë dhe kundërshtuar pavarësinë e Kosovës. Tifozët e CSKA dhe Zenitit janë të njohur për solidaritetin e tyre me Serbinë. (këtu)
Këtu duhet shtuar edhe tifozët ultras të klubit futbollistik nga Bullgaria, CSKA Sofia të cilët kanë përdorur sloganet e lartpërmendura. (këtu)