info@hibrid.info
Pretendohet pa fakte se shqiptarët shkatërruan varrezat në Plemetin
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Kanali në gjuhën serbe në Telegram “БУНКЕР” (BUNKER), përmes një postimi të publikuar me 13 dhjetor pretendon se “Shqiptarët rrëzuan dhe shkatërruan dy gurë varresh në varrezat e reja ortodokse në Plemetin, pranë Obiliqit”.

E vërteta?

Në këtë postim nuk ofrohen fakte që do e mbështesin pretendimin se kryerësit e kësaj vepre ishin shqiptarë.


Pas hulumtimit të kryer online, hibrid.info gjeti se Policia e Kosovës përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook (16 dhjetor), njoftoi se janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar (prej tyre 5 të mitur) për veprën dëmtim i varrezave apo kufomave. (shih këtu)

Por, në këtë njoftim nuk është bërë e ditur përkatësia etnike e të dyshuarve.


Më 13 dhjetor, lidhur me këtë ngjarje kishte raportuar edhe mediumi në gjuhën serbe “Rts.rs”. Mirëpo, në këtë raportim nuk është përmendur përkatësia etnike e kryerësve të kësaj vepre.

Pjesë nga artikulli i publikuar në Rts.rs, i përkthyer në shqip:

Persona të panjohur shkatërruan dhe shembën dy gurë varresh në varrezat e reja ortodokse në Plemetin, pranë Obiliqit, dhe banorët e atij fshati me shumicë serbe njoftuan policinë për të gjetur dhe ndëshkuar autorët.


Analiza:

Kanali serb në Telegram “БУНКЕР” (BUNKER) pretendoi se shqiptarët kanë rrëzuar dhe shkatërruar dy gurë varresh në varrezat e reja ortodokse në Plemetin, afër Obiliqit.

Megjithatë, në këtë pretendim nuk ofrohet asnjë fakt apo dëshmi që vërteton se autorët ishin shqiptarë.

Policia e Kosovës njoftoi më 16 dhjetor se janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar për dëmtim të varrezave apo kufomave, por në njoftimin zyrtar nuk është përmendur përkatësia etnike e të dyshuarve.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Teori Konspirative”.

Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others