[email protected]
Pretendohet rrejshëm se ukrainasit po arrestohen pasi po i shmangen rekrutimit
shape
shape
shape

“Investiguesi Shkrimor”, një llogari me përmbajtje propaganduese në gjuhën shqipe në Facebook, ka publikuar dje (3 shtator) një postim, ku me anë të një fotografie dhe një video-materiali të shkurtër, pretendon se “Kudo që shkojnë ukrainasit, ata largohen – Ata largohen me çdo mjet për të shmangur rekrutimin e ri”.

Pas verifikimit të fakteve përmes programit të automatizuar “InVID”, hibrid.info ka gjetur njoftimin e bërë në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Ukrainës, ku sqarohet se 12 persona që shihen në video-material janë arrestuar në pikën kufitare ndërmjet Ukrainës dhe Rumanisë.

Sipas këtij njoftimi zyrtar, 10 prej tyre janë arrestuar në dy vetura, pasi të njëjtit janë paraqitur si turistë duke mos shpjeguar arsyen e kalimit të kufirit. Përveç tyre, janë arrestuar edhe dy persona tjerë të cilët janë përpjekur të anashkalonin pikën e kontrollit në këmbë.

Pra, në asnjë rast nuk bëhet fjalë për arrestim të tyre si pasojë e rekrutimit të ri nga Ukraina, siç pretendohet rrejshëm nga llogaria “Investiguesi shkrimor”.


Vegëzat e artikullit të publikuar në Facebook nga faqja “Investiguesi shkrimor”:

https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=pfbid0JMNEtH5V4coRuEMp8aLtLz9vuAUtAcNeaqanvR7tuhsmCq8yEVwkzMFfqexK9Psgl&id=100092945134138


Hibrid.info ka gjetur njoftimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Ukrainës, në të cilën jepen sqarime në lidhje më arrestimin e  këtyre personave. (shih këtu)

Pjesë të njoftimit zyrtar të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Ukrainës, i përkthyer në shqip:

Gjatë ditës së kaluar, 12 burra nga rajoni Rivne dhe një nga Bukovyna u arrestuan në departamentin e shërbimit kufitar të Falkiv.

Kështu, mëngjesin e djeshëm, në një pikë kontrolli afër kufirit me Rumaninë, rojet kufitare ndaluan dy makina BMW, në të cilat ndodheshin 10 banorë të rajonit të Rivne. Nën maskën e turistëve, burra të moshës së re u drejtuan drejt kufirit shtetëror dhe u tregonin rojeve kufitare përralla se ishin udhëtarë të zakonshëm.

Për disa orë me radhë, dy “turistë” të tjerë nga rajoni i Rivne u përpoqën të anashkalonin pikën e kontrollit në këmbë. Gjatë ndalimit, burrat nuk kanë mundur të shpjegojnë as qëllimin e qëndrimit në zonën e kontrolluar kufitare, as arsyen e ndjekjes së anashkalimit të rrugës kryesore.

Rojet kufitare përpiluan protokolle për të arrestuarit për kundërvajtje administrative nga neni. 204-1 të Kodit të Kundërvajtjeve Administrative. Dhe dy drejtuesit e mjeteve që transportuan shmangësit përballen me përgjegjësi penale nga Art. 332 i Kodit Penal të Ukrainës.


Faqja “Investiguesi shkrimor” përveç këtij video-materiali të shkurtër, në postim ka bashkangjitur edhe një fotografi, në të cilën paraqiten 5 persona të kapur nga rojet kufitare në Ukrainë.

Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se fotografia në fjalë nuk i përket ngjarjes së lartcekur, por e njëjta është nga një ngjarje tjetër e muajit janar të këtij viti.

Artikulli lidhur me këtë ngjarje të muajit janar është gjetur i publikuar nga mediumi ukrainas “ternopoliany.te.ua”, në të cilën thuhet “Rojet kufitare të detashmentit Mukachevo ndaluan 12 burra në moshë rekrutimi në kufirin shtetëror, të cilët synonin të largoheshin nga territori i Ukrainës jashtë pikave të kontrollit”. (shih këtu)


Analiza:

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info është vërtetuar se llogaria “Investiguesi shkrimor” përmes një postimi, ka pretenduar rrejshëm se Ukraina ka arrestuar 12 persona, të cilët siç thuhet kanë synuar të largohen për t’iu shmangur rekrutimit të ri.

Hibrid.info pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, ka gjetur njoftimin zyrtar të publikuar në ueb-faqen e  Ministrisë së Punëve të Brendshme të Ukrainës, ku sqarohet se 12 personat janë arrestuar pasi të njëjtit janë paraqitur si turistë duke mos shpjeguar arsyen e kalimit të kufirit, ndërsa 2 prej tyre kanë tentuar të kalojnë pikën e kontrollit në këmbë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson postimin e bërë nga llogaria “Investiguesi shkrimor” si “Dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others