Shkroi: Festim Rizanaj
Më 4 shkurt 2026, gjatë një brifingu me gazetarë në Moskë, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, komentoi situatën në Kosovë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor 2025. Në përgjigje të një pyetjeje lidhur me zhvillimet paszgjedhore, Zakharova ndërtoi një narrativë të ashpër kritike ndaj institucioneve të Kosovës, duke i paraqitur zgjedhjet dhe politikat pasuese si pjesë e një procesi jodemokratik dhe represiv ndaj komunitetit serb.
Këto narrativa u publikuan dhe u amplifikuan gjerësisht në media në gjuhën serbe, kryesisht përmes titujve alarmues dhe gjuhës së ngarkuar emocionale, të cilat e përforcojnë kornizimin e Kosovës si hapësirë të dhunës institucionale ndaj serbëve dhe Bashkimit Evropian (BE) si aktor i heshtur ose bashkëpërgjegjës.
Media si Politika, RTV, Euronews Serbia, dhe Telegraf i dhanë jehonë deklaratave të Zakharovës me tituj si: “Gde je sad Brisel kada Kurti forsira ‘čišćenje’ pokrajine od srpskog stanovništva” (Zakharova: Ku është tani Brukseli kur Kurti po shtyn “spastrimin” e krahinës nga popullsia serbe), “Zaharova: Vlasti u Prištini forsiraju ‘čišćenje’ pokrajine od srpskog stanovništva” (Zakharova: Autoritetet në Prishtinë po e shtyjnë “spastrimin” e krahinës nga popullsia serbe) apo “Zaharova upozorava na najgore: Kurti se ponaša prema Srbima kao da mu je sve dozvoljeno” (Zakharova paralajmëron më të keqen: Kurti sillet ndaj serbëve sikur gjithçka t’i lejohet, po përgatit pastrim).
Në këto publikime, zgjedhjet e 28 dhjetorit shërbejnë si pikënisje për të ndërtuar një narrativë më të gjerë viktimizuese, ku zhvillimet politike në Kosovë interpretohen si pjesë e një strategjie të qëllimshme për margjinalizimin dhe dëbimin e serbëve, ndërsa reagimet ndërkombëtare – veçanërisht të BE-së – paraqiten si të pavlefshme ose hipokrite.
Çka pretendon Zakharova?
- Spastrimi etnik ndaj serbëve në Kosovë
Sipas Zakharovës, përpjekjet e autoriteteve të Kosovës për t’i paraqitur zgjedhjet si një proces demokratik janë të pavërteta, pasi – sipas saj – situata në terren po përkeqësohet. Ajo pretendon se, pas fitores së elitës qeverisëse në zgjedhjet parlamentare, administrata në Prishtinë ka intensifikuar atë që ajo e quan “spastrim” të Kosovës ndaj popullsisë serbe. Në këtë kontekst, Zakharova përmend heqjen e një ulëse parlamentare nga partia Lista Serbe dhe kalimin e saj tek një përfaqësues që ajo e cilëson si “figurë kukull”, duke e përshkruar këtë veprim si shkelje flagrante të të drejtave politike të serbëve.
Faktet:
Nuk ekziston asnjë raport zyrtar apo studim ndërkombëtar që konfirmon pretendime për “pastrim etnik” ose dëbim sistematik të popullsisë serbe në Kosovë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit; përkundrazi, sipas International Crisis Group, problemet e komunitetit serb në veri të Kosovës janë të njohura prej vitesh dhe lidhen kryesisht me tensione politike dhe çështje të sovranitetit institucional, por nuk ka asnjë evidencë se këto zhvillime përbëjnë pjesë të një fushate shtetërore të qëllimshme për dëbimin e serbëve.
Pretendimi i Zakharovës se një ulëse iu hoq Listës Serbe dhe iu dha një “figurë kukull”, duke shkelur të drejtat politike të serbëve, nuk përputhet me faktin që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare të 28 dhjetorit, ku Nenad Rashiq nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë fitoi ulësen në bazë të votave të tij, sipas procedurave ligjore.
2. Ligji për të huajt dhe komunikacion
Në deklaratën e saj, Zakharova sulmon drejtpërdrejt kryeministrin në detyrë Albin Kurti, të cilin e etiketon si “ultra-nacionalist”, duke pretenduar se ai është i mbështetur ose i toleruar nga Perëndimi. Ajo veçon si çështje problematike zbatimin e paralajmëruar të të ashtuquajturit “ligj për të huajt” nga 15 marsi 2026, i cili – sipas interpretimit të saj – do t’i trajtonte serbët që jetojnë, punojnë apo studiojnë në Kosovë si “të huaj” në tokat e tyre historike. Po ashtu, ajo kritikon “ligjin për automjetet (komunikacion)” duke e quajtur diskriminues ndaj komunitetit serb, të cilat do të detyrohen të riregjistrojnë automjetet sipas rregullave të Kosovës.
Faktet:
Sa i përket pretendimit të Zakharovës mbi ligji për të huajt dhe për komunikacionin, faktet tregojnë se zbatimi i tyre filloi gradualisht më 15 janar 2026, me një periudhë informuese deri më 15 mars, duke prekur kryesisht pjesëtarët e komunitetit serb që përdorin automjete me targa serbe ose nuk kanë dokumente kosovare. Autoritetet kosovare konfirmuan se nuk do të ketë dëbime dhe ligjet zbatohen kryesisht për ata që vijnë për turizëm, punë ose studime, ndërsa pjesa tjetër ka kohë për t’u pajisur me dokumentet e nevojshme dhe për të regjistruar automjetet. Për më tepër, komuniteti serb dhe përfaqësuesit e tij politik kanë kërkuar shtyrje dhe dialog me autoritetet dhe përfaqësues ndërkombëtarë, duke theksuar se masat duhet të zbatohen gradualisht dhe në mënyrë të drejtë, pa dëmtuar të drejtat themelore të qytetarëve. (këtu)
3. Bastisje në vendbanimet me shumicë serbe
Zakharova pretendon gjithashtu se forcat e sigurisë së Kosovës kryejnë rregullisht bastisje në zonat me shumicë serbe, se ndalimet bëhen mbi baza të sajuara dhe se procedurat penale fabrikohen me shpejtësi. Në këtë kuadër, ajo akuzon Bashkimin Evropian dhe ndërmjetësuesit evropianë për heshtje dhe mungesë reagimi, duke vënë në dyshim, sipas saj, sinqeritetin e retorikës evropiane për të drejtat e njeriut dhe dialogun.
Faktet:
Pretendimi i Zakharovës se forcat e sigurisë po bastisin zona të banuara nga serbët dhe po kryhen arrestime të sajuara nuk përputhet me faktet, pasi bastisjet në vendbanimet serbe lidhen me gjetjen e armëve dhe pajisjeve të tjera dhe proceset gjyqësore ndaj serbëve zhvillohen nën dyshimin për krime lufte, duke respektuar procedurat ligjore dhe jo si masa të qëllimshme diskriminuese.
Në përmbyllje, deklaratat e Maria Zakharovës dhe mënyra se si ato janë riprodhuar në mediat në gjuhën serbe ndërtojnë një narrativë të konsoliduar politike, ku zgjedhjet e 28 dhjetorit paraqiten jo si proces institucional, por si katalizator për një fushatë të supozuar shtetërore kundër serbëve në Kosovë. Kjo qasje zhvendos përgjegjësinë nga aktorët serbë drejt Prishtinës dhe Bashkimit Evropian, duke e paraqitur Serbinë si palë të përmbajtur dhe mbrojtëse të së drejtës ndërkombëtare, ndërsa BE-ja përshkruhet si e pafuqishme, joparimore dhe e gatshme të sakrifikojë të drejtat e njeriut për interesa gjeopolitike. Në këtë mënyrë, brifingu i 4 shkurtit shërben jo vetëm si deklaratë diplomatike, por edhe si burim narrativ për një diskurs mediatik të sinkronizuar, i cili synon të ndikojë perceptimet publike për Kosovën, dialogun dhe rolin e aktorëve ndërkombëtarë.


