Shkroi: Etrit Rexhepi
Publikohen përmbajtje me mbishkrimin që pretendon se Donika Gërvalla, zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, ka deklaruar se “Kjo qeveri i ka hapur 430 mijë vende të reja pune.”
Këto përmbajtje janë publikuar të hënën (25 gusht), nga faqet në Facebook me emrat “Jepi Zë” dhe “Përmbledhja”.
Cila është e vërteta?
Hibrid.info ka gjetur se deklarata e Gërvallës për vendet e punës është keqinterpretuar.

Përmes hulumtimit me anë të makinës së kërkimit “Google”, duke përdorur fjalë kyçe që lidhen me deklaratën e pretenduar, Hibrid.info nuk ka gjetur asnjë artikull të publikuar nga media apo burime kredibile që do të vërtetonte se një deklaratë e tillë është bërë nga Gërvalla (shih këtu).
Në njërin nga publikimet e këtij pretendimi, shkruan se deklarata e Gërvallës ka ardhur për televizionin “T7”.
Hibrid.info ka gjetur se Gërvalla ka dhënë të hënën (25 gusht), një intervistë në emisionin “Pressing” që transmetohet në televizionin “T7” (shih këtu).
Gërvalla duke renditur ato që ajo i cilësoi si suksese të qeverisë, tha se në Kosovë janë 435 mijë të punësuar aktivë, nga 350 mijë sa ishin në vitin 2021, me një rritje prej 22% (85 mijë vende të reja pune) (shih këtu, minuta 26:18).
Deklarata e transkriptuar e Gërvallës nga intervista:
“435 mijë vende aktive të punës, pra rritje 22% nga viti 2021, ku kanë qenë 350 mijë.”
Analiza:
Pretendimi se Donika Gërvalla ka deklaruar se “Kjo qeveri i ka hapur 430 mijë vende të reja pune” nuk qëndron.
Gërvalla ka thënë se numri i të punësuarve aktivë është rritur nga 350 mijë në 435 mijë (85 mijë vende të reja pune), e jo se qeveria ka hapur 430 mijë vende pune.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Manipulim i fakteve”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.



