Shkroi: Etrit Rexhepi
Publikohet një fotografi ku shihet Milan Radoiçiq, i akuzuari kryesor për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, me pretendimin se ai për mediat serbe ka deklaruar se janë vazhdimisht në koordinim me opozitën në Kosovë, dhe kanë kërkuar amnestinë për grupin e akuzuar për sulmin e armatosur, me kushtin që Lista Serbe ta votojë një qeverinë të përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Postimi me këtë pretendim është publikuar më 15 prill në llogarinë në Facebook të Fadil Pushkollit, kryeredaktor në mediumin “KosovaPost.net”.
I njëjti pretendim është gjetur i publikuar dje (7 maj) nga një tjetër llogari në Facebook, me emrin “Gani Osmani” (shih këtu).
Cila është e vërteta?
Hibrid.info nuk ka gjetur asnjë burim të verifikueshëm për deklarimin e pretenduar.

Llogaria në emrin e Fadil Pushkollit ka shpërndarë këtë postim edhe në grupin publik në Facebook, “meKryeministrin”, që numëron afër 27 mijë anëtarë (shih këtu).
Hibrid.info ka hulumtuar nëpërmjet motorit të kërkimit të specializuar për faqet e informacionit në Serbi, “Naslovi.net”. Pas kërkimit me fjalët kyçe, “Milan Radoičić”, rezulton se të paktën gjatë periudhës së parë të këtij viti, nuk është hasur asnjë deklarim publik, nga ish-nënkryetari i Listës Serbe (shih këtu).
Gjiithashtu pas kërkimit me anë të makinës së kërkimit, “Google”, me fjalët kyçe, “milan radoičić”, duke specifikuar periudhën kohore për përmbajtjet e një viti, nuk është gjetur asnjë deklaratë e ish-politikanit, gjatë kësaj kohe (shih këtu).
Rezultatet e njëjta nga motori i kërkimit “Google”, janë shfaqur kur hibrid.info ka hulumtuar për pretendimin konkret në gjuhën shqipe (shih këtu).
Hibrid.info po ashtu, ka hulumtuar për qëndrimet e fundit të subjekteve politike të përmendura në këtë pretendim. Liderët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së në deklarimet publike, kanë dhënë qëndrime sa i përket formimit të qeverisë, për koalicione të mundshme vetëm brenda partive shqiptare.
Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së ka propozuar fillimin e një procesi të ri konsultativ, që parasheh përfshierjen e partive politike parlamentare shqiptare, me qëllim formimin e një Qeverie të Tranzicionit (shih këtu). PDK janë shprehur se angazhohen dhe janë të bindur se zgjidhja më e mirë për vendin është formimi i një qeverie të re, e përbërë nga partitë që në mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë (shih këtu). Ngjashëm me PDK-në, është shprehur edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ka deklaruar se i mirëpret konsultat me LDK-në për një qeveri me partitë opozitare (shih këtu).
Pra, përveç mungesës së konfirmimeve se partitë shqiptare të përfolura kanë shprehur interesim për koalicion me Listën Serbe, ato gjithashtu nuk kanë arritur asnjë marrëveshje për koalicion mes vete.
Kërkimi shtesë vërteton se Kosova nuk e ka Ligjin për Amnesti, përveç atij të miratuar në vitin 2013, si pjesë e marrëveshjes nga dialogu i Brukselit me Serbinë, që përfshinte të gjithë kryesit e veprave penale të listuara në nenin 3 të këtij ligji, të kryera para datës 20 qershor 2013 u jepet lirim i plotë nga ndjekja penale apo nga ekzekutimi i dënimit (shih këtu).
Ndërsa ligji tjetër i cili mundëson faljen, vlen vetëm për personat e dënuar dhe jo ndaj atyre që kanë aktakuza (shih këtu).
Analiza
Pretendimi se Milan Radoiçiq ka deklaruar për mediet serbe se është në koordinim me opozitën në Kosovë dhe ka kërkuar amnisti në këmbim të votës për një qeveri PDK-LDK-AAK, nuk qëndron.
Nuk ekziston asnjë burim i besueshëm që e konfirmon këtë deklaratë. Për më tepër, partitë e përmendura nuk kanë arritur marrëveshje mes vete dhe kanë shprehur publikisht qëndrime për koalicionet e mundshme vetëm brenda partive shqiptare.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.