[email protected]
Publikim i rremë për mundësi kredie të shpejtë online
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Publikohet një përmbajtje që pretendon se ofrohet mundësi për kredi, e cila miratohet shpejt në internet.

Mbishkrimi me anë të një vegëze në formë imazhi, e publikuar (11 maj) si e sponsorizuar nga një faqe me emrin “Tech Point”, në Facebook, pretendon se mundësia për kredi shkon nga 30 mijë deri në 1 milion euro.

Cila është e vërteta?

Hibrid.info ka gjetur se një mundësi e tillë e paraqitur në këtë përmbajtje, nuk ofrohet nga faqja në fjalë.


Vegëza e publikuar në formë imazhi nga faqja “Tech Point” në Facebook:

https://archive.is/IJYLU


Hibrid.info ka gjetur se në ueb-faqen e shfaqur pas klikimit në fotografi, mungojnë të dhëna për insititucionin financiar, i cili jep mundësinë e pretenduar (shih këtu). Hapësira e kësaj faqeje, shfaq disa seksione të cilat, sapo të klikohen, paraqesin vegëza, që dërgojnë te disa ueb-faqe të institucioneve financiare, që veprojnë në Shqipëri (shih këtu dhe këtu).

Hibrid.info po ashtu ka kontrolluar edhe kredibilitetin e ueb-faqes, me anë të platformës që vlerëson besueshmërinë e faqeve, “ScamAdviser.com”, ku sipas të dhënave tregohet se kjo ueb-faqe është e dyshimtë (shih këtu).


Ndërsa në kohështrirjen e faqes në Facebook, e cila ka publikuar njoftimin e pretenduar, është vërejtur numër i vogël postimesh (këtu), në të dhënat rreth veprimtarisë, të dhënat e shfaqura tregojnë adresën në SHBA, një numër telefoni me prefiks po ashtu të SHBA-ve, si dhe paraqitet një email adresë e kësaj faqe dhe nje vegëz e një ueb-faqeje, që i përket një agjencie marketingu (shih këtu).

Tutje në listën e institucioneve financiare të regjistruara në Bankën Qendrore të Kosovë (BQK), institucion kompetent rreth kësaj fushe, nuk është gjetur asnjë i tillë me emrin e faqes në Facebook, e cila ka publikuar pretendimin (shih këtu).


Analiza:

Mundësia për kredi të shpejtë, me anë të internetit, është e pamundshme.

Publikuesi i përmbajtjes është i dyshimtë dhe nuk gjendet në listën e institucioneve financiare të regjistruara në BQK.

Bazuar në metodologjinë e punës, hybrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Mashtrim”.

Arsyetimi:

Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.

Share With Others

Leave a Reply

Translate »