[email protected]
Lajmi se Kurti “ka ndarë 4 mijë njësi banesore” i sajuar dhe i bazuar në lajm të vjetër
shape
shape
shape

Artikulli me titull “Kurti ndan 4000 banesa sociaIe per famiIjet ne nevoje”, është publikuar nga portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “gazetaz.com”.

Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i këtij artikulli është i sajuar, i cili nuk i përgjigjet përmbajtjes. Po ashtu, lajmi del të jetë i vjetër, i publikuar në muajin janar 2022.

Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka arritur të gjejë se ky artikull është publikuar në mediat online me datën 27 janar 2022, atëkohë kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë hapjes së tryezës së rrumbullakët për Programin e banimit adekuat social për Kosovë, kishte thënë:

“Banimi social është infrastrukturë kritike për të ngritur mirëqenien dhe sigurinë e qytetarëve, për barazi sociale e për të fuqizuar e zhvilluar komunitetet”.

Pra, nuk është e vërtetë se Kurti ka ndarë 4 mijë njësi banesore për familjet me asistencë sociale, siç pretendohet rrejshëm në titullin e artikullit të publikuar nga portali i dyshimtë “gazetaz.com”.


Vegëza e artikullit të publikuar në portalin e dyshimtë “gazetaz.com”:

https://gazetaz.com/49261-2/?fbclid=IwAR14xbQth_YCNbo1f5bAjCxeVsQwvMl8AxUYVT3kknL8AZnFqCDH9PXKaiI

Ky artikull është shpërndarë edhe në Facebook nga faqja “Specialja”, e cila numëron afër 90 mijë ndjekës. (shih këtu)


Pas hulumtimit përmes makinave të kërkimit, hibrid.info ka arritur të gjejë artikullin e publikuar në kohë reale (27 janar 2022) të publikuar në disa media online në Kosovë. (shih këtu dhe këtu)


Kjo nuk është hera e parë që ky artikull me titull të sajuar publikohet nga portale të dyshimta, pasi i njëjti është publikuar edhe në shkurt të këtij viti nga portali i dyshimtë “lajmet.trendliveg24.com”, e që gjithashtu është verifikuar nga hibrid.info. (shih këtu)


Kurti gjatë kësaj tryeze të rrumbullakët për Programin e banimit adekuat social për Kosovë ka thënë se synon që, gjatë mandatit të tij, t’u sigurohet banim i përballueshëm 4 mijë familjeve.

Pjesë nga fjalimi i Kurtit gjatë tryezës së rrumbullakët për Programin e banimit adekuat social për Kosovë:

“Qeveria është duke punuar në këtë drejtim dhe programin e banimit social e kemi përfshirë në Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2021-2025. Brenda mandatit, ne synojmë të krijojmë programin për banim social, si dhe të mundësojmë banim të përballueshëm për 4 mijë familje. Kjo do të arrihet përmes skemës “120×120” dhe “150×150”, ku familjet përfituese do të bëhen pronarë të banesave me këste mujore prej vetëm 120 respektivisht 150 eurove maksimumi dhe për një periudhë kohore prej jo më shumë se 120, përkatësisht 150 muajve”, kishte thënë ndër të tjerash Kurti.


Vegëzën e artikullit të publikuar nga portali zyrtar i zyrës së Kryeministrit “kryeministri.rks-gov.net”, mund ta gjeni këtu.


Analiza:

Ky portal i dyshimtë ka publikuar një artikull të vjetër të muajit janar, duke i vënë titull të sajuar me pretendimin ta paraqesë atë si aktual.

Pretendimi i bërë përmes titullit, ku thuhet se Kurti ka ndarë ka ndarë 4 mijë njësi banesore për familjet me asistencë sociale” është pavërtetë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e ka vlerësuar këtë artikull si “Dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others