[email protected]
Publikohet artikull me pretendim të rremë se përmban sondazh
shape
shape
shape

Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “newslink4.com” ka publikuar dje (25 dhjetor) një artikull me titull “SONDAZH: Albin Kurti apo Hashim Thaçi kush eshte politikan me i mire.. Hyr dhe voto, deri ne mesnate do zgjedhet fituesi”.

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky artikull përmban titull mashtrues, pasi në përmbajtje tw artikullit nuk gjendet fare sondazh.


Vegëza e artikullit të publikuar në portalin e dyshimtë “newslink4.com”:

https://newslink4.com/?p=438&fbclid=IwAR3q4xUp1KHb-1ZxrPE7vB0zPzniR6lARr0m2wdaZXTVT4IphZa1UEwaSOg

Në përmbajtje të këtij artikulli, pas kërkimit u gjet se është vendosur pjesë e shkëputur nga intervista e deputetes së Kuvendit të Kosovës, nga radhët e komunitetit boshnjak, Duda Balje të publikuar më 16 korrik të këtij viti në emisionin “Mirage” në mediumin online “lajmi.net”. (shih këtu)

Autori i këtij artikullit të sajuar nga portali i dyshimtë “newslink4.com” ka marr pjesë të intervistës së deputetes Balje, në momentin kur ajo i përgjigjet pyetjes së gazetarit për preferencat mes dy politikanëve kosovar, Albin Kurtit apo Hashim Thaçit. Këtë pjesë ky portal i dyshimtë, përmes titullit, është munduar ta paraqes si sondazh.


Artikulli i publikuar në portalin e dyshimtë “newslink4.com”:

Kuvendi i Kosovës u ‘detyrua’ të bënte zgjedhjen e saj për disa nga fytyrat publike, E në mesin e shumë personazheve publike bëri zgjedhjen e saj për dy Kryeministrat e Kosovës. Albin Kurti apo Hashim Thaçi, cili është politikani më i mirë? JU FT.OJM TE SHT.YPNI VID.EON ME POS.HT ku shkruan SP.0N.SORED


Ky artikull me titull të sajuar është shpërndarë edhe në Facebook nga faqja “33shi.com”, e cila numëron mbi 40 mijë ndjekës. (shih këtu)


Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka gjetur këtë artikull të publikuar edhe më herët nga portale tjera të dyshimta si “pcnmedia2.com”, “koha.todaynews64.com”, “jnews3.com” dhe “fb.cnews5.com”.


Analiza:

Portali i dyshimtë “newSslink4.com” ka publikuar një artikull me titull të sajuar, duke pretenduar se brenda në përmbajtje gjenden mundësia për të votuar në një sondazh se cili është politikan më i mirë, Albin Kurti apo Hashim Thaçi.

Mirëpo, në përmbajtje nuk gjendet asnjë sondazh, siç pretendohet rrejshëm në titull.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.


Arsyetimi:

Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Share With Others