[email protected]
Publikohet lajm i vjetër me pretendim pa fakte se “Serbia po dërgon trupa shtesë në kufi me Kosovën”
shape
shape
shape

Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “bbcnewsm.com” ka publikuar të shtunën (21 janar) një artikull me titull “Çka po ndodh? Serbia po dërgon trupa shtesë në kufi me Kosovën (PAMJE)”.

Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka vërtetuar se ky lajm është i vjetër, i publikuar më 25 mars 2022 në disa media online në Kosovë, të cilat e kishin cituar mediumin spanjoll “The Political Room”. (shih këtu, këtu dhe këtu)

Ky mediumin spanjoll, këtë pretendim e kishte mbështetur në një video, në të cilën shihet kolona e ushtrisë serbe duke parakaluar në një magjistrale, pa bërë verifikim të informacionit. (shih këtu)


Vegëza e artikullit të publikuar në portalin e dyshimtë “bbcnewsm.com”:

https://bbcnewsm.com/cka-po-ndodh-serbia-po-dergon-trupa-shtese-ne-kufi-me-kosoven-pamje/?fbclid=IwAR0AXzNr46zH2HRriaZbXVL-I8YvFmIKUKCPKpkpbUW8BKTm8Dl5vVR5Wn0

Artikulli i publikuar nga portali i dyshimtë, është shpërndarë edhe në Facebook me datë 21 janar nga faqet “Albini për Kosovën” dhe “Lajme Fresh24”.


Video e publikuar nga medium spanjoll “The Political Room” ishte trajtuar më herët nga hibrid.info (këtu).


Gjatë verifikimit të kësaj video, shihet se autori i saj ka ngritur tre gishta, që simbolizon shenjën nacionaliste serbe. Ndërsa në këtë video material bie në sy edhe emri “Emmezeta”, që është një qendër tregtare në Serbi. (shih këtu)

Nga hulumtimi i kryer nga hibrid.info, është gjetur se kjo kompani (Emmezeta) ka disa pika të saj në Serbi, në qytetet si Beograd, Nish, Novi Sad dhe Çaçak. (shih këtu)

Hibrid.info ka verifikuar detajet në video dhe, duke u bazuar në rrethrrotullimin që shihet në këtë material, është vërtetuar se ajo është realizuar në qytetin Çaçak në afërsi të qendrës tregtare “Emmezeta”. (shih këtu)


Pra, vetëm publikimi i këtij materiali, nuk e mbështetë pretendimin se kjo auto-kolonë ushtarake është nisur në drejtim të Kosovës.


Analiza:

Portali i dyshimtë “bbcnewsm.com” ka publikuar një lajm të datës 25 mars 2022 me pretendimin se Serbia po dërgon trupa shtesë në kufi me Kosovën.

Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është gjetur se ky artikull u publikua edhe atëkohë edhe në disa media online në Kosovë, të cilat kanë cituar një postim të mediumit spanjoll “The Political Room”, dhe një përshkrimi që pretendon se njësi të ushtrisë serbe janë nisur drejt kufirit me Kosovën.

Hibrid.info ka verifikuar këtë video dhe në detajet e paraqitura në të vërehet emri “Emmezeta”, e cila është një qendër tregtare në Serbi, që pikat e saj i ka në disa qytete.

Gjatë kërkimit përmes “Google Maps” është gjetur se video është realizuar afër kësaj qendre tregtare në qytetin Çaçak.

Ky pretendim i këtij mediumi spanjoll mund të jetë i vërtetë, por faktet që shihen në video nuk e plotësojnë atë. Shtuar këtu faktin se qyteti Çaçak nuk gjendet në afërsi të kufirit me Kosovën.

Pra, portali i dyshimtë “bbcnews.com” ka publikuar këtë artikull të vjetër me përmbajtje të paverifikuar, me pretendimin që ta paraqesë si aktual.

Bazuar në metodologjinë e hibrid.info, ky pretendim merr vlerësimin si “Përmbajtje e pa verifikuar”.


Arsyetimi:

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre raporteve mediatike që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur konfirmojnë të njëjtat për shkak të mungesës ose mos-posedimit të burimeve të besueshme.

Share With Others