[email protected]
Qeveria e Serbisë demantohet për eksodin e serbëve nga Kosova
shape
shape
shape

Rregullorja e re Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për përdorimin vetëm të euros në Republikën e Kosovës për transaksione të pagesave është vetëm vendimi i fundit i Kosovës të cilin Serbia tenton ta keqpërdorë për propagandë.

Menjëherë pas publikimit të rregullores, përmes së cilës është ndaluar dinari serb për transaksione të pagesave në vend, udhëheqësit e institucioneve shtetërore të Serbisë, por edhe organizata e parti serbe në Kosovë, u nxituan ta klasifikonin këtë vendim si të synuar kundër serbëve të Kosovës.

Ata thanë se ndalimi i dinarit në Kosovë ka për qëllim dëbimin e serbëve dhe do të rezultojë në eksod të tyre.

Me 8 shkurt, u bë e ditur se Lista Serbe, që është partia më e madhe serbe në Kosovë, u kishte dërguar shteteve të Quint-it (ShBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia) në Kosovë një letër, duke kërkuar nga këto shtete që ta “ndalojnë eksodin” e serbëve nga Kosova duke u kërkuar që të ndikojnë te Qeveria e Kosovës për ta anuluar vendimin e BQK.

“Po ju drejtohemi në emër të popullit serb nga Kosova, duke ju përcjellë lutjet dhe pritshmëritë e popullit për të shfrytëzuar autoritetin tuaj të madh, personal, si dhe autoritetin e shteteve të respektuara që përfaqësoni në këtë rajon, për të ndalur urgjentisht eksodin e popullit tonë nga vatrat e tij shekullore”, ka cituar agjencia shtetërore serbe e lajmeve “Tanjug” letrën në fjalë.

Kryetari i kësaj partie, Zllatan Ellek, në një deklarim të mëhershëm për media, vendimin e BQK-së për dinarin e kishte krahasuar me operacionin e forcave kroate gjatë luftës për pavarësi më 1995, të titulluar “Oluja” (Stuhia), ku u vranë shumë serbë e u dëbuan mbi 200 mijë të tjerë për të çliruar në pak ditë territore që kontrolloheshin nga serbët. (më shumë për operacionin “Oluja” lexoni KËTU)

Vukovari i shkatërruar nga forcat serbe

njëjta e të ngjashme ishin edhe reagimet e institucioneve shtetërore të Serbisë, me presidentin e atjeshëm, Aleksandër Vuçiq, që kërkoi seancë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Në këtë seancë, që u mbajt të enjten e 8 shkurtit, Vuçiqi lëshoi një sërë pretendimesh të pabazuara.

Ai tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u prin “persekutimeve ndaj serbëve të Kosovës”. Ai po ashtu akuzoi institucionet e Kosovës se kanë krijuar kushte “të padurueshme për serbët”, duke shtuar se “kanë bërë edhe sulme sistematike dhe persekutim” ndaj tyre.

“Pamundësia e përdorimit të dinarit në Kosovë është vetëm një nga masat afatgjata sistematike të aplikuara për të sulmuar popullatën serbe”, ka thënë Vuçiqi në këtë seancë.

Tutje, ai pretendoi se mbi 14 për qind e serbëve janë larguar nga Kosova. Sipas tij, ata janë larguar për shkak të dhunës sistematike dhe të përhapur ndaj tyre nga institucionet e Kosovës.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili e përfaqësoi vendin në këtë seancë të jashtëzakonshme të KS të OKB-së, ka kundërshtuar çdo pretendim të presidentit të Serbisë, se Kosova po kryen spastrim ndaj serbëve të Kosovës. Të gjitha pretendimet e Vuçiqit i ka quajtur gënjeshtra.

“Ideja që Kosova po kryen spastrim etnik apo persekutim ndaj komunitet serb është thjesht gënjeshtër që është demantuar nga shumë organizata ndërkombëtare”, ka thënë Kurti.

Sa i përket Rregullores së BQK-së për euron, Kurti ka thënë se ajo s’e pengon Serbinë t’u ofrojë ndihma financiare serbëve. “Gjithçka tjetër është propagandë e rrejshme dhe nxitje e tensioneve. Rregullorja sjell ligjshmëri të importit të parave në Kosovë në përputhje me kushtetutën dhe politikën monetare të BE-së. Beogradi ka thirrur alarm jo për shkak të këmbimit të dinarit në euro, por për shkak se po ndalohen thasë me dinarë në kufij dhe ata ankohen jo për shkak të brengës për qytetarët serbë të Kosovës, por sepse ato tubacione të parave në veri të Kosovës po ndalen”, ka shtuar ai.

A janë të bazuara në ndonjë argument pretendimet e Serbisë për eksod?

Ky pretendim i Serbisë për eksod të serbëve nga Kosova, nuk është i pari.

Serbia kujdeset që kryesisht përmes zyrës së saj të quajtur Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, të reagojë vazhdimisht për ngjarjet që ndodhin në Kosovë, e që janë të ndërlidhura me komunitetin serb që jeton në Kosovë.

Petar Petkoviq, që është drejtues i kësaj zyre, më 21 janar pretendoi pa fakte se plaçkitja e dy shtëpive të serbëve në fshatin Bërnicë të Poshtme të Prishtinës, u bë “me qëllim të dëbimit të serbëve nga vendbanimet e tyre”.

Më 2 tetor, 2023, Petkoviqi, por edhe presidenti i Serbisë Vuçiq, pretenduan pa asnjë fakt se rreth 11% e serbëve kanë ikur nga veriu i Kosovës për në Serbi, dhe se fajtor për këtë është kryeministri Kurti. 

E ndaj këtyre pretendimeve reagoi edhe shoqëria civile serbe në Kosovë.

Igor Markoviq, nga organizata joqeveritare serbe në Kosovë, “Aktiv”, tha se kjo qasje e zyrtarëve serbë është kundërproduktive, pasi, siç u shpreh ai, nuk ka as shifra e as argumente që Kurti të jetë faktori ndikues.

Ai po ashtu tha se shifra e përmendur nga Vuçiqi e Petkoviqi prej 11%, nuk është e bazuar në asnjë argument. Sipas tij, shifra është përmendur “nga nevoja për të deklaruar ndonjë shifër që të tingëllojë mjaft e tmerrshme”.

Ndërkohë, më 7 shkurt, gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) publikoi një analizë të gazetarit gjerman, Michael Martens “’Eksodi i shpikur’ serb nga Kosova”, në të cilën Martens shkruan se ky pretendim  “mund të hidhet poshtë si i rremë, bazuar në statistikat zyrtare të shtetit serb”.

Shkrimi i Michael Martens në FAZ për “eksodin e shpikur serb”

Në shkrimin e tij, fragmente të të cilit gazetari i ka postuar edhe në rrjetin social X (ish-Twitter), ai e pranon se numri i serbëve në Kosovë ka vite që është në rënie të vazhdueshme, por shton se “e njëjta gjë mund të thuhet edhe për numrin e popullsisë në Serbi”.

Korrespondenti i FAZ bazohet për këtë pohim në përllogaritjet e “Iniciativës Evropiane për Stabilitet” (ESI). ESI ka shqyrtuar shifra të disponueshme publike të qeverisë që lejojnë të nxirren përfundime mjaft të sakta për numrin e serbëve.

ESI, sipas Martens, ka analizuar shifrat e sigurimit shëndetësor të Serbisë. Sipas analizës, në vitin 2017 ishin 109.000 serbë të siguruar në Kosovë, por 6 vjet më vonë ishin më pak se 107.000. Nga kjo del se në vitin 2023, pati 2.4% më pak serbë të siguruar, megjithatë pothuajse e njëjta rënie reflektohet për popullsinë e Serbisë. Në të njëjtën periudhë, atje rënia ishte për 2.9%.

“Me fjalë tjera: zhvillimi demografik i pakicës serbe në Kosovë korrespondon me trendet e përgjithshme negative përgjatë Evropës Juglindore jashtë qyteteve të mëdha. Pretendimet për një ‘eksod specifik serb’ nga Kosova janë propagandë e pabazuar”, tha gazetari Martens.

Pavarësisht se pretendimet për eksod të serbë të Kosovës nuk bazohen në të dhëna të matshme, qeveria e Serbisë dhe partia “Lista Serbe”, e mirëmbajnë narrativën dezinformuese se komuniteti serb në Kosovë është në rrezik dëbimi nga qeveria e Kosovës. Hibrid.info vazhdimisht ka demantuar pretendimet e qeverisë serbe për dëbimin e serbëve nga qeveria e Kosovës. Kjo narrativë dezinformuese aktualizohet në situata të ndryshme si për shembull gjatë krizave politike në veri të Kosovës e në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Artikull analitik nga Agon Osmani

Share With Others