Është publikuar një përmbajtje me mbishkrimin “LAJMI FUNDIT| Gjykata Speciale sapo mori vendim të ri për Thaçin dhe të tjerët”.
Postimi është publikuar në formën e një imazhi të hënën (26 tetor) në Facebook, nga faqja me emrin “Gazeta Minuti” (shih këtu).
Çka nuk shkon me këtë përmbajtje?
Titulli është i përgjithësuar, nuk e qartëson kontekstin dhe përdor formulim që tërheq vëmendjen.

E njëjta formë publikimi është bërë edhe në faqe tjera në Facebook nga faqet me emrat “Trendi.info”, “Kosovë e Diasporë” dhe në grupin publik “❤ALBIN KURTI❤LVV❤”.
Përmbajtjeve u është bashkangjitur vegëza e lajmit të plotë, që ka të njëjtin mbishkrim si titull (shih këtu).
Në hyrjen e artikullit thuhet se: “Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë miratuar publikimin e versioneve me më pak redaktime të transkripteve të dëshmive të dhjetë dëshmitarëve në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.”
Hibrid.info kontrolloi në uebfaqen e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe gjeti vendimin e publikuar më 26 tetor 2026, që lidhet me publikimin e versioneve me më pak redaktime të transkripteve të dëshmive të dhjetë dëshmitarëve (shih këtu).
Kjo tregon se informacioni i raportuar është i saktë. Megjithatë, titulli nuk e specifikon natyrën e vendimit dhe nuk e bën të qartë se bëhet fjalë për publikimin e transkripteve të dëshmive, e jo për një vendim mbi fajësinë apo dënimin e të akuzuarve.
Përveç kësaj, titulli përdor shprehjen “LAJMI I FUNDIT”, e cila e paraqet informacionin si një zhvillim të menjëhershëm dhe potencialisht të rëndësishëm. Një studim, i publikuar në vitin 2023 në revistën shkencore Electronics, gjeti se paraqitja e lajmeve në formatin “breaking news” mund të rrisë perceptimin e sensacionalizmit.
Në këtë rast, përdorimi i kësaj shprehjeje, i shoqëruar me një titull të përgjithësuar që nuk e sqaron natyrën e vendimit, mund të krijojë përshtypjen e një zhvillimi më të rëndësishëm ose më urgjent sesa e kupton lexuesi nga informacioni i dhënë në titull.
Analiza
Përmbajtja paraqet një titull me mbishkrimin “LAJMI FUNDIT| Gjykata Speciale sapo mori vendim të ri për Thaçin dhe të tjerët”, i cili mund të krijojë përshtypjen se Gjykata Speciale ka marrë një vendim të rëndësishëm lidhur me çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Megjithatë, verifikimi në uebfaqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë vërtetoi se vendimi i publikuar më 26 tetor 2026 ka të bëjë me publikimin e versioneve me më pak redaktime të transkripteve të dëshmive të dhjetë dëshmitarëve në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Pra, informacioni i raportuar është i saktë, por titulli nuk e specifikon natyrën e vendimit dhe nuk e sqaron kontekstin e zhvillimit gjyqësor.
Për më tepër, përdorimi i shprehjes “LAJMI I FUNDIT” e paraqet informacionin si një zhvillim të menjëhershëm dhe potencialisht të rëndësishëm.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Clickbait”.
Arsyetimi
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.