Shkroi: Fatbardh Dema
“Kryetarja e komisionit për punë të jashtme e VV’së ia huq me të madhe në debat, thotë se Kosova ka misione diplomatike në Greqi dhe Poloni”, mban titullin një artikull i publikuar nga portali “Insajderi.org” më 24 janar.
Artikulli në përmbajtje pretendon se gjatë një debati televiziv, kandidatja për deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka shfaqur mungesë të njohurive në fushën e politikës së jashtme. Në legjislaturën e shkuar, kjo deputete ka qenë kryetare e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme.

Ky pretendim i portalit “Insajderi.org” është publikuar më pas edhe nga portale tjera si “Periskopi.com” “Demokracia.com”, “FrontOnline.net” dhe “EkonomiaOnline.com”.
Çka thuhet në artikull?
Artikulli ka marrë për bazë përballjen e Kryeziu-Hysenit me kandidatin për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Edon Cana, në emisionin “Compass” në televizionin “ATV”. Cana gjatë debatit ka thënë se Kosova nuk ka misione diplomatike në Greqi dhe Poloni, duke kundërshtuar pretendimin e Kryeziu-Hysenit.
Për më shumë “insajderi.org” në artikull ka përmendur edhe faktin që në faqet në rrjete sociale të misioneve të Kosovës në Greqi dhe Poloni nuk shkruan se janë misione diplomatike, por se janë konsullatë (në Poloni) dhe Zyrë e Interesave (në Greqi).
Hibrid.info ka monitoruar debatin dhe ka konfirmuar që Kryeziu-Hyseni ka thënë se “Kosova ka hapur misione të reja diplomatike dhe ka nisur ndërtim të raporteve bilaterale me shtete të ndryshme në Bashkimin Evropian”.
E pyetur se për cilat misione bëhet fjalë, ajo ka thënë: “Së fundmi e kemi misionin në Athinë, e kemi në Poloni, e kemi në Çeki, e në shumë vende të tjera që janë hapë dhe që po punohet që së shpejti të ketë edhe hapje të tjera të misioneve tona ndërkombëtare” (Video)
Çfarë thotë ligji?
Ligji për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës në përkufizime e definon termin “mision diplomatik”.

Ligji i njeh edhe misionet konsullore në të cilat përfshihen konsullatat e përgjithshme, konsullatat, nënkonsullatat dhe zyrat konsullore. Po ashtu njihen edhe misionet e posaçme. E që të dyja hyjnë në kuadër të NËNKREUT II “Misionet Diplomatike”.
Cilat janë raportet e Kosovës me Greqinë dhe Poloninë?
Kosova nuk njihet si shtet nga Greqia. Por në vitin 2021, ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, pati thënë se zyrës së Kosovës në Greqi do t’i avancohet statusi nga një zyrë për çështje ekonomike në një të ashtuquajtur interes me qasje edhe në fusha të tjera, përfshirë ato politike. E faqja në Facebook “Kosovo in Greece”, që është përmendur edhe nga “insajderi.org” e ka pikërisht këtë status në kuadër të intros së faqes. Udhëheqës i kësaj zyre është Fitim Gllareva. (Njoftim i MPJ-së)
Ndërkohë më 9 maj të vitit 2024, sipas njoftimit nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, u inaugurua Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Poloni. Ajo udhëhiqet nga Drilon Gashi. (njoftimi zyrtar)
Analiza:
Nëpërmjet një artikulli, mediumi “insajderi.org” ka pretenduar se kandidatja për deputete e VV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka shfaqur mungesë njohurie në fushën e politikës së jashtme kur ka thënë që Kosova ka misione diplomatike në Greqi e Poloni. Sipas raportimit, Kosova ka konsullatë në Poloni dhe zyrë të interesit në Greqi.
Por përkufizimi “mision diplomatik” sipas Ligjit për Shërbim të Jashtëm të Kosovës, përfshin ambasada ose çdo zyrë tjetër që përfaqëson Kosovën në një shtet tjetër.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Dezinformatë” dhe “Përmbajtje e pa verifikuar”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.



