info@hibrid.info
Raportohet gabimisht se të gjithë kandidatët për kryetar të Vushtrrisë pinë kafe bashkë
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është raportuar se të gjithë kandidatët për kryetarë të Komunës së Vushtrrisë, në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, të premten në mëngjes (12 tetor) kanë pirë kafe bashkë.

Artikulli i “gazetapolitika.com” përmban edhe fotografinë e publikuar në të cilën shihen pesë kandidatë për kryetar të kësaj komune. “Vushtrria i jep ‘shkollë’ Kosovës: Krejt kandidatët pijnë kafe bashkë para fushatës”, mban titullin artikulli.

Por cila është e vërteta?

Artikulli përmban një fotografi dhe shkrim të publikuar nga Ferit Idrizi, kryetar aktual dhe kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për edhe një mandat. Në fotografi shihen edhe katër kandidatë të tjerë për kryetar, por aty mungon kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të kësaj komune, Sylejman Meholli. Pra është i pasaktë pretendimi se “krejt” kandidatët pinë kafe bashkë para fushatës.


Përmbajtja fillestare e artikullit:

Vushtrria i jep “shkollë” Kosovës: Krejt kandidatët pijnë kafe bashkë para fushatës

Në prag të nisjes së zyrtare të fushatës zgjedhore, kryetari i Komunës së Vushtrrisë dhe kandidati për një mandat të ri, Ferat Idrizi, u takua mëngjesin e sotëm me kundërkandidatët e tij në një kafe miqësore.

Idrizi ka publikuar një fotografi, duke thënë se fushata që po fillon do të jetë e mbushur me aktivitete, por theksoi se prioritet mbetet përcjellja e mesazhit të qytetarisë dhe zhvillimi i një gare të ndershme.

“Na ndajnë vetëm edhe pak orë nga nisja e fushatës. Këtë mëngjes në Vushtrri u takuam miqësisht me kundërkandidatët për kafe. Na pret një muaj plot aktivitete, por për ne mbetet detyrë e parë të përcjellim mesazhin e qytetarisë dhe të bëjmë një fushatë të ndershme. Vushtrria është mbi çdo garë”, ka deklaruar ai.

Në fotografi janë parë kandidatët e VV-së, PDK-së, LDK-së, Nismës e AAK-së.


Bazuar në listën e subjekteve politike dhe kandidatëve të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për pjesëmarrje në këto zgjedhje, votën për kryetar të Vushtrrisë e kërkojnë gjashtë kandidatë. Në garë janë Mensut Ademi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Sylejman Meholli nga Lëvizja Vetëvendosje, Xhafer Tahiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Xhevahire Izmaku nga Nisma Socialdemokrate, Ferit Idrizi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Shaban Miftari si kandidat i pavarur.

E në fotografinë brenda artikullit janë nga e majta: Miftari, Idrizi, Izmaku, Ademi dhe Tahiri. Aty pra mungon Meholli.

Në një deklaratë pas takimit, kandidatja Xhevahire Izmaku ka pranuar se për kafe nuk kanë qenë të gjithë kandidatët. “Ishim komplet, përveç përfaqësuesit të Vetëvendosjes. Nuk u ndjeva  mirë që nuk e pashë. Kisha pasur dëshirë që me e çu këtë mesazh në mënyrë unike si komunë e Vushtrrisë”, ka thënë ajo.


Më vonë, ky portal ka përmirësuar fjalinë e fundit duke thënë: “Në fotografi janë parë kandidatët e, PDK-së, LDK-së, Nismës e AAK-së, ndërsa ka munguar kandidat i VV-së”. Por titulli ka mbetur i njëjtë, pra i pasaktë.


Artikull me titull i cili lë të kuptohet se në takim kanë qenë të gjithë kandidatët për kryetar të kësaj komune, ka publikuar edhe “gazetablic.com”. Por ky medium nuk e ka përmendur kandidatin e Vetëvendosjes në tekst.

Ndryshe ka raportuar “lajmi.net”, që në titull ka thënë se “Meholli i VV-së e bojkoton takimin!”


Periudha e fushatës zgjedhore për subjektet politike të certifikuara dhe kandidatët e tyre fillon me datën 13 shtator 2025 dhe përfundon me datën 12 tetor 2025, në orën 06:59 (para hapjes së qendrave të votimit).

Analiza:

Portali “gazetapolitika.com” ka publikuar të premten një artikull me titull: “Vushtrria i jep ‘shkollë’ Kosovës: Krejt kandidatët pijnë kafe bashkë para fushatës”. Artikulli përmban fotografinë në të cilën shihen pesë kandidatë për kryetar të kësaj komune. Në përmbajtje thuhet po ashtu se: “Në fotografi janë parë kandidatët e VV-së, PDK-së, LDK-së, Nismës e AAK-së”.

Por sipas listës së certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për kryetar të Vushtrrisë garojnë gjashtë persona. E bazuar në fotografi, aty ka munguar kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje. Këtë e ka theksuar edhe njëra kandidate që ishte pjesë e takimit.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këto përmbajtje si “Gabim”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Gabim” e marrin përmbajtjet informative në të cilat, gjatë procesit të përpilimit apo publikimit, paraqiten gabime duke publikuar informacion të pasaktë (sidomos kur kemi të bëjmë me informacione në shifra) ose duke transmetuar lajme të pavërtetuara mirë, pa qëllimin e qartë të dezinformimit të publikut.

Share With Others