info@hibrid.info
Rehabilitimi i “Tranzitit të vjetër” nuk u përfundua brenda kohës së premtuar nga Ardian Gjini
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

“Gjatë dy viteve që vijnë traniziti i vjetër do të shndërrohet në njërën nga avenytë më të bukura dhe më funksionale në Kosovë dhe më gjerë.” Ky ishte njëri nga premtimet e Ardian Gjinit në planin zgjedhor me të cilin ai kishte garuar në zgjedhjet lokale të vitit 2021, për pozitën e kryetarit të Komunës së Gjakovës.

A u realizua premtimi?

Në bazë të gjetjeve, u konstatua se projekti nuk u përfundua brenda afatit të parashikuar.


Analiza:

Hibrid.info ka gjetur këtë premtim në planin e arkivuar të Ardian Gjinit, që ishte kandidat i Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës për kryetar të Komunës së Gjakovës në zgjedhjet e vitit 2021, detyrë të cilën më pas e mori, pasi fitoi shumicën e votave në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Hibrid.info ka hulumtuar në llogarinë e Ardian Gjinit në Facebook, për të gjetur njoftime nga ai rreth këtij projekti. Në postimet e tij, u gjet një njoftim i publikuar më 4 shkurt 2025, ku Gjini kishte treguar për nënshkrimin e kontratës për rehabilitimin e plotë të kësaj rruge, e cila si tërësi përfshinë rrugët “Adem Jashari”, “Luan Haradinaj” dhe “Avdullah Babalija” (shih këtu).


Sipas këtij postimi, rehabilitimi i kësaj rruge përfshinte rregullimin e tërësishëm të rrjetit nëntokësor të ujërave të zeza dhe atyre atmosferike, rrjetit elektrik dhe atij të ngrohtores, ndërrimin e gypave të ujësjellësit, pastaj ndërtimin e trotuareve të rinj, shtigjeve për biçikleta, asfaltimin, shenjëzimin, ndriçimin dhe gjelbërimin e tërësishëm të rrugës.

Ndërsa, nga një postim tjetër të hasur në llogarinë e Gjinit, që mban datën 3 mars 2025, konfirmohet se punimet në këtë projekt kishin nisur në po atë ditë (shih këtu).


Që nga koha kur janë bërë këto dy publikime e deri në trajtimin e këtij premtimi, në llogarinë e Gjinit nuk janë gjetur njoftime që do të konfirmonin përfundimin e këtij projekti (shih këtu).

Mos përfundimin e këtij premtimi të Gjinit e konfirmon edhe raporti “Letërnjoftimi i Komunave”, i publikuar nga Instituti GAP më 11 shtator të këtij viti. Premtimi “Segmenti i tranzitit të vjetër do të shndërrohet në atraksion” konsiderohet si projekt “I filluar” në këtë raport.


Përfundimi:

Ardian Gjini premtoi rehabilitimin e “Tranzitit të vjetër” në Gjakovë në dy vitet e para të mandatit.

Sipas gjetjeve të Hibrid.info dhe raportit “Letërnjoftimi i Komunave” të publikuar nga Instituti GAP, punimet për rehabilitimin e “Tranzitit të vjetër” në Gjakovë kanë filluar në mars të vitit 2025, por projekti ende nuk është përfunduar dhe mbetet në fazën e zbatimit.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson mos përfundimin e këtij projekti si “premtim jo të mbajtur”.

Arsyetimi:

Përmbushja apo mbajtja e premtimeve, kryesisht ndërlidhet me ato parazgjedhore, të cilat monitorohen në nivelin qendror dhe atë lokal gjatë mandatit katër-vjeçar. Ky hulumtim bëhet kryesisht në kohën e fushatës parazgjedhore, ku figurat kryesore politike monitorohen, në mënyrë që të ketë kontroll të fakteve për atë që e thonë. Hibrid.info bazuar në premtimet e bëra më herët, përmes programit zgjedhor, i kontrollon deklaratat e këtyre politikaneve, për të parë nëse pas mandatit kanë arritur t’i mbajnë ato premtime. Hibrid.info planifikon që të publikojë raporte të tilla edhe në baza vjetore.

Share With Others