Përgatiti: Festim Rizanaj
Gjatë monitorimit të mediave dhe platformave sociale në javën e kaluar, kategoria dominuese e keqinformimit ka qenë dezinformata.
Dezinformatat janë publikuar kryesisht në Facebook, ku janë shpërndarë pretendime të rreme dhe të manipuluara që lidhen me zhvillime politike dhe konflikte ndërkombëtare. Një postim i rremë pretendonte se një dorë e gjetur nën gërmadha në Palestinë ishte rezultat i bombardimeve izraelite, por verifikimi nga Hibrid.info vërtetoi se imazhi ishte një vepër artistike. Po ashtu, disa faqe në Facebook si “Fleta Press” dhe “STOP Online” publikuan imazhe të vjetra me tituj që sugjeronin një deklaratë të fundit nga Lista Serbe kundër Qeverisë Kurti, duke mashtruar publikun. Ndërkohë, një tjetër postim dezinformues nga llogaria “Lajme Nga Bota” pretendonte se në Maqedoninë e Veriut kishin filluar mbishkrime nacionaliste, duke shpërndarë një fotografi të vitit 2018 si ngjarje aktuale. Përmes një videoje të shpërndarë në platformën X pretendohet se një emigrant ilegal shqiptar kishte plaçkitur një grua të moshuar në Trieste të Italisë.
Lajmet e rreme të shpërndara këtë javë janë përqendruar kryesisht në rrjetin social Facebook dhe kanë përfshirë pretendime të pabazuara historike dhe gjeopolitike. Një nga këto lajme përfshinte një citim të rremë të atribuar Lord George Robertson-it, ish-sekretar i përgjithshëm i NATO-s, i cili supozohej se kishte lavdëruar Ibrahim Rugovën për shpëtimin e Kosovës. Ky postim, i publikuar nga llogaria “Nehat Hyseni”, u demaskua nga Hibrid.info, që nuk gjeti asnjë burim apo deklaratë zyrtare që ta mbështeste këtë pretendim. Një tjetër lajm i rremë vinte nga llogaria “Lajm nga Bota”, e cila pretendonte se Shqipëria do të strehonte një numër të madh hebrenjsh të zhvendosur nga lufta në Gaza – një pretendim për të cilin nuk ekziston asnjë konfirmim zyrtar.
Përmbajtja mashtruese e identifikuar këtë javë është shpërndarë përmes postimive të sponsorizuar në Facebook, i cili mashtron përdoruesit duke ofruar mundësi të rreme për kredi, edhe për ata që gjenden në listën e zezë të borxhlinjve dhe një paralajmërimi duke pretenduar se llogaria e përdoruesit është në rrezik pezullimi për shkak të shkeljes së rregullave të kompanisë META.
Përmbajtja e paverifikuar e kësaj jave përfshin një artikull të publikuar nw media ku janë përmend të dhëna të pretenduara nga Eurostat, në nëntitull paraqitet një informacion i pasaktë, ku thuhet se Kosova është në mesin e vendeve që nuk kanë pagë minimale kombëtare.
Clickbait është publikuar në media me titull senzacional dhe përgjithësues që njofton për një vrasje me armë zjarri, pa përmendur vendin ku ndodhi ngjarja.
Një deklaratë e pavërtetë është bërë nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një postimi në Facebook më 6 prill, ku ajo pretendon se opozita kishte mundësi të ndalonte certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit, por sipas saj, ata vetë e votuan këtë certifikim. Hibrid.info ka verifikuar se kjo deklaratë nuk qëndron, pasi certifikimi i Listës Serbe nuk ishte vendim i KQZ-së, por i institucioneve të tjera, duke e bërë pretendimin e saj të pasaktë.
Dezinformatë
Një postim në Facebook pretendon se një dorë e gjetur nën gërmadhat në Palestinë është rezultat i bombardimeve izraelite. Pas verifikimit nga Hibrid.info, është zbuluar se ky pretendim është i rremë. Imazhi në fjalë nuk është i vërtetë, por një vepër artistike e krijuar nga një artiste. (këtu)
Disa postime që po qarkullojnë në rrjete sociale paraqesin imazhe të artikujve me titullin: “Lista Serbe: Qëllimi ynë është ta rrëzojmë Qeverinë Kurti”, duke lënë të kuptohet se ky është një zhvillim i fundit. Këto përmbajtje u publikuan (9, 10 prill) në Facebook nga faqet “Fleta Press” dhe “STOP Online”. Pas verifikimit të fakteve, u vërtetua se ky lajm është i vjetër. (këtu)
Publikohet një fotografi që shfaq grafitin, “Vdekje për shqiptarët”, me mbishkrimin që pretendon se kanë filluar mbishkrimet nacionaliste nëpër qytetet me shumicë maqedonase në Maqedoninë e Veriut. Postimi është publikuar (10 prill) nga një llogari në Facebook me emrin, “Lajme Nga Bota”. Hibrid.info ka verifikuar se fotografia që shoqëron pretendimin është e vjetër (2018) dhe aktualisht nuk ekzistojnë raportime të konfirmuara për ndodhinë e ngjarjes së pretenduar. (këtu)
Përmes një videoje të shpërndarë në platformën X pretendohet se një emigrant ilegal shqiptar kishte plaçkitur një grua të moshuar në Trieste të Italisë. Megjithatë, pas një hulumtimi nga platforma Hibrid.info, u vërtetua se ky pretendim është i rremë. Autori është një shtetas maroken. (këtu)
Mashtrim
Është publikuar një përmbajtje me anë të së cilës pretendohet se ju ofrohet mundësi për kredi edhe nëse jeni në listën e zezë të borxhlinjve. Në mbishkrim po ashtu pretendohet se mund të aplikohet online, vetëm me kartë identiteti. Pretendimi është shpërndarë (8 prill), me anë të një postimi të sponsorizuar në Facebook, ku shfaqet një imazh i bankës Raiffeisen, me një link të integruar, nga një faqe me emrin “Service333”. Hibrid.info ka gjetur se kjo faqe nuk ofron kredinë që pretendon dhe se ofrimi i një mundësie të tillë, është i paligjshëm. (këtu)
Një mesazh paralajmërues në gjuhën shqipe po qarkullon në Facebook, duke pretenduar se llogaria e përdoruesit është në rrezik pezullimi për shkak të shkeljes së rregullave të kompanisë META. Mesazhi i kërkon përdoruesit të dërgojë një ankesë përmes një vegëze (link) të bashkëngjitur, me qëllim që të shmangë kufizimin apo mbylljen e llogarisë. Pas verifikimit të vegëzës, është konstatuar se ajo përmban një virus të njohur si “Malware” dhe nuk është dërguar nga Facebook. (këtu)
Lajm i rremë
Është publikuar një fotografi ku shfaqen Lord George Robertson, ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s dhe Ibrahim Rugova, ish-presidenti i ndjerë i Kosovës, me mbishkrimin që pretendon se, ky i pari ka deklaruar, “Falenderimi i takon AMERIKËS dhe IBRAHIM RUGOVËS! Po, mos ishte RUGOVA, Kosova ende do ishte nën Serbi”. Ky postim është publikuar (8 prill) nga llogaria në Facebook me emrin, “Nehat Hyseni”. Por, hibrid.info nuk ka gjetur fakt publik që dëshmon se Robertson ka bërë një deklaratë çfarë pretendohet më sipër. (këtu)
Publikohet një imazh me mbishkrimin që pretendon se Shqipëria ka marrë përsipër të strehojë një numër të madh hebrenjësh të cilët kanë ikur si shkak nga luftimet në Gaza. Ky pretendim është publikuar (10 prill) nga një llogari në Facebook me emrin, “Lajm nga Bota”. Hibrid.info ka gjetur se nuk ka diçka zyrtare për pretendimin e mësipërm.
Përmbajtje e paverifikuar
Publikohet një artikull i titulluar, “Eurostat nxjerr Shqipërinë me pagën minimale më të ulët në Evropë sipas fuqisë blerëse”. Ky tekst është publikuar (12 prill) nga mediumi, “albanianpost.com”. Në nëntitull është paraqtitur pretendimi i pasaktë se Kosova radhitet në mesin e vendeve të cilat nuk kanë pagë minimale kombëtare. (këtu)
Clickbait
“të shtënat me armë zjarri/ Dalin PAMJET, ja momenti kur 4 autorët adoleshentë qëllojnë për vdekje tre persona”, mban titullin një artikull i publikuar (9 prill). Artikulli u publikua në portalin në gjuhën shqipe “gazeta-shqip.com”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se titulli është përgjithësues, që nuk sqaron se në cilin shtet ka ndodhur ngjarja. Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur në Virginia të ShBA-së. (këtu)
Deklaratë e pavërtetë
Albulena Haxhiu, ministrja e Drejtësisë po pretendon se opozita në Kosovë pati mundësi të mos lejonte certifikimin e Listë Serbe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, por sipas saj ata ngritën dorën dhe e certifikuan atë. Këtë pretendim ajo e dha me anë të një statusi në llogarinë e saj në Facebook, të publikuar (6 prill). Hibrid.info gjeti se ky deklarim nuk është i saktë, pasi siç u dëshmua më vonë, certifikimi i Listës Serbe nuk u vendos nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), por nga institucione të tjera. (këtu)