Përgatiti: Festim Rizanaj
Gjatë javës që shkoi, janë evidentuar raste të shumta të keqinformimit në hapësirën mediatike dhe rrjetet sociale, që përfshijnë manipulime të fakteve, përmbajtje të paverifikuara dhe tituj mashtrues.
Një nga rastet më të dukshme ishte publikimi i disa fotografive me grafite “UÇK”, që pretendohej se ishin shfaqur në komuna shqiptare në Tetovë në prag të zgjedhjeve lokale. Verifikimi i Hibrid.info tregoi se këto fotografi janë realizuar në Kosovë, jo në Maqedoninë e Veriut. Po ashtu, u publikua një raport njëanshëm mbi vdekjet në vendin e punës, duke u bazuar vetëm në një burim, pa asnjë konfirmim shtesë. Ndërkohë, disa media njoftuan për një aksident me viktima në Serbi që përfshinte një autobus nga Kosova, por verifikimi faktoi se nuk kishte as viktima, as të lënduar.
Dezinformimi ka përfshirë edhe pretendime politike, si ai i zyrtarit serb Petar Petkoviq që akuzonte autoritetet kosovare për dëbim të serbëve nga prona në Mitrovicë, ndërsa institucionet kosovare e kanë dëshmuar se rikthimi i pronës është bërë ligjërisht. Po ashtu, u shpërndanë artikuj me tituj të tipit clickbait që aludonin për një përçarje mes LVV-së dhe Nismës, pa pasur ndonjë deklaratë konkrete që e vërteton këtë. Në fund, në rrjetet sociale u përhapën reklama mashtruese për kremra që pretendojnë të shërojnë lipomat, ndonëse nuk ekziston asnjë provë shkencore për efikasitetin e tyre. Të gjitha këto raste nënvizojnë rëndësinë e verifikimit dhe kujdesit ndaj burimeve të informacionit.
Manipulim i fakteve
Publikohet një përmbajtje që pretendon se në prag të zgjedhjeve lokale në Tetovë, janë shtuar grafitet me mbishkrimet UÇK në disa komuna me shumicë shqiptare. Kjo përmbajtje e shoqëruara me tre fotografi ku shfaqet mbishkrimi “UÇK” në formë grafiti, është publikuar të hënën, 21 korrik, nga një llogari me emrin “Lajme Nga Bota”. Hibrid.info nuk ka gjetur asnjë njoftim zyrtar që konfirmon shfaqjen e grafitëve të tillë në komunat me shumicë shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe, pas verifikimit të secilës fotografi veçmas, ka konstatuar se për to është raportuar se janë realizuar në Kosovë. (këtu)
Raportim i njëanshëm
Është publikuar një artikull i titulluar “Alarmante/ 17 vde*kje në vendin e punës këtë vit”. Përmbajtja me këtë titull është publikuar të hënën (21 korrik), nga mediumi online “frontonline.net”. Hibrid.info ka gjetur se pretendimi i paraqitur në titull si fakt i kryer, ka ardhur duke iu referuar vetëm një burimi, përkatësisht kryetarit të Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi. (këtu)
Përmbajtje e paverifikuar
Janë publikuar artikuj ku pretendohet për një aksident të rëndë të një autobusi nga Kosova në Serbi, nga i cili thuhet se një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë kanë pësuar lëndime. Pretendimi është publikuar të mërkurën (23 korrik) nga mediat online si: ”dukagjini.com”, “zëri.info”, “Lapsi info”, “botapress.info”, “drenicapress.org” dhe nga faqet në Facebook si “Lapsi info” dhe “Preshevacom”. Hibrid.info gjeti se nga aksidenti i raportuar nuk ka persona të vdekur dhe as të lënduar. (këtu)
Dezinformatë
Petar Petkoviq, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka pretenduar se Qeveria Kurti po vazhdon terrorin ndaj serbëve në veri të Kosovës, duke përmendur se Policia e Kosovës ka dëbuar familjen serbe Janjićijević nga një banesë në veri të Mitrovicës, të cilën sipas tij e ata e kishin blerë në mënyrë të rregullt, por që tani është uzurpuar nga një shqiptar. Këtë pretendim ai e ka bërë të mërkurën (23 korrik) me anë të një shkrimi në llogarinë e tij në platformën “X”. Autoritetet kosovare dhe Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës kanë vërtetuar se prona në fjalë i takon ligjërisht familjes së Ferki Shipolit dhe rikthimi i saj është bërë përmes procedurave ligjore të rregullta. (këtu)
Clickbait / Manipulim i fakteve
Publikohen artikuj të titulluar “Përfundimisht VV dhe NISMA prishen: I kemi bërë ofertë, do duhej të na votonin”. Përmbajtjet me këtë titull janë publikuar të premten (25 korrik) nga mediumet online “periskopi.com”. “kfvagency.com” dhe “shekulli.info”. Deklarata “I kemi bërë ofertë, do duhej të na votonin” ndonëse nuk sqarohet në titull,ka ardhur nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Hekuran Murati, drejtuar subjektit politik, Nismës Socialdemokrate. Por, në deklaratën e paraqitur, nuk përmendet se marrëdhënia e LVV me Nismën ka përfunduar ose është prishur. (këtu)
Mashtrim
Në rrjete sociale janë shfaqur disa reklama të sponsorizuara që promovojnë kremra për “heqjen e lipomave” . Përmbajtjet e tilla me anë të video-materialeve, janë publikuar në Facebook dhe Instagram, nga faqet me emrat: “Detroit Shop”, “DEA Online Store” dhe “Dua Online” (përmbajtja e së cilës nuk është gjetur). Hibrid.info gjeti se nuk ka asnjë bazë, që kremi i promovuar për të cilin pretendohet se heq lipomat, mund të shërbejë si trajtim mjekësor për këtë gjendje. (këtu)



