Të fundit | Paralajmërimi “Mos planifikoni udhëtime me aeroplan për në Evropë” është i… Të fundit | Perspektivat nordike për luftimin e dezinformimit dhe forcimin e reziliencë… Të fundit | Autoritetet e rreme publike të gjeneruara me AI si formë e re e çrregullimi… Të fundit | Pretendim i rremë për shembje ndërtese, përmbajtja tregon tjetër ngjarje Të fundit | Si (s’)erdhën Marco Rubio dhe Ivanka Trump në Shqipëri Të fundit | Mediat në serbisht e paraqesin viktimën kosovare në Austri si shtetas të Se… Të fundit | Pretendohet pa fakte se Policia e Kosovës rrahu fëmijë serbë në Jarinjë Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin mars 2026 Të fundit | Pretendohet pa fakte për rritje 40% të çmimit të ujit të ambalazhuar Të fundit | Rishikimi i javës: Pretendime për konfiskimin e pronave të Vjosa Osmanit dh…
[ ARTIKULLI ]

Rishikimi i javës: Pretendime për konfiskimin e pronave të Vjosa Osmanit dhe deklarata të fabrikuara të Zoran Milanoviq për Albin Kurtin; manipulim i deklaratave të Hykmete Bajramit dhe Ramush Haradinajt përmes imazheve të rreme

FESTIM RIZANAJ

Gjatë periudhës 06–12 prill, monitorimi i mediave dhe platformave sociale tregon dominim të lajmeve të rreme, manipulimit të fakteve dhe përmbajtjeve të paverifikuara, të cilat janë shpërndarë kryesisht përmes rrjeteve sociale dhe faqeve të dyshimta në internet.

Gjatë kësaj periudhe, lajmet e rreme janë publikuar kryesisht në rrjete sociale si Facebook dhe në faqe të dyshimta në internet, duke u fokusuar në tema politike dhe figura të larta shtetërore. Ndër pretendimet kryesore ishte ai se Qeveria e Kosovës do t’i konfiskojë pronat e ish-presidentes Vjosa Osmani për shkak të mungesës së arsyetimit të burimit financiar – një pretendim i pavërtetë, pasi ligji përkatës ende nuk është në fuqi dhe deklarimet zyrtare nuk tregojnë shkelje. Një tjetër lajm i rremë që qarkulloi pretendonte se presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, kishte lavdëruar kryeministrin Albin Kurti, por verifikimet tregojnë se një deklaratë e tillë nuk ekziston në asnjë burim kredibil. Këto raste dëshmojnë për përdorimin e figurave politike dhe temave të ndjeshme për të nxitur dezinformim dhe për të ndikuar perceptimin publik.

Në javën e kaluar janë identifikuar edhe raste të manipulimit të fakteve, të publikuara kryesisht në Facebook përmes imazheve me mbishkrime të rreme që shtrembërojnë deklaratat e figurave politike. Një prej tyre i atribuon deputetes Hykmete Bajrami një deklaratë të pavërtetë, duke i shtuar në mënyrë të fabrikuar një vlerësim për qeverisjen e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ndërkohë që ajo kishte shprehur vetëm kritikë ndaj zhvillimeve politike në vend. Në një rast tjetër, një faqe në Facebook ka publikuar një imazh me pretendimin se Ramush Haradinaj kishte komentuar për diasporën, duke krijuar një narrativë të rreme mbi një deklaratë që ai nuk e ka bërë në intervistën përkatëse. Këto raste tregojnë përdorimin e përmbajtjeve të manipuluara vizuale për të deformuar qëndrimet e politikanëve dhe për të nxitur reagime të gabuara në publik.

Në këtë periudhë janë evidentuar edhe përmbajtje të paverifikuara të publikuara nga disa media online në gjuhën shqipe, të cilat kanë shpërndarë informacione të pakonfirmuara pa u mbështetur në burime kredibile. Një prej tyre lidhet me pretendimin për vdekjen e liderit suprem iranian, Mojtaba Khamenei, i cili u bazua në një llogari të rreme në platformën X që u paraqit gabimisht si burim zyrtar i Ushtrisë Amerikane. Në një rast tjetër, u publikua pretendimi se përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Franco Foda, kishte komentuar “rrjedhjen” e formacionit të Turqisë, por verifikimet treguan se kjo deklaratë nuk ekziston dhe burimi i saj ishte një postim në Reddit i shpërndarë më pas në rrjete sociale si opinion. Këto raste nxjerrin në pah prirjen e mediave për të amplifikuar informacione të pa verifikuara që burojnë nga burime jozyrtare dhe të pasigurta.

Po ashtu janë identifikuar edhe raste të përmbajtjeve clickbait dhe dezinformatave, të cilat janë publikuar kryesisht në rrjete sociale dhe media online për të tërhequr vëmendjen e publikut. Një shembull i tillë është faqja “Gazeta Minuti” në Facebook, e cila ka shpërndarë pretendime se Qeveria Kurti do të ndajë nga 100 euro për çdo fëmijë dhe 150 euro shtesë për pensionistët, duke i paraqitur këto si vendime të marra, ndërkohë që informacioni nuk është raportuar nga asnjë burim kredibil dhe rezulton të jetë i pasaktë. Në anën tjetër, disa media kanë publikuar një dezinformatë lidhur me pretendimin se në Zvicër është ndaluar ndërtimi i një xhamie prej 15 milionë frangash nga shqiptarët, ndërsa në realitet projekti në Siebnen është pezulluar përkohësisht nga vetë komuniteti për shkak të kundërshtimeve lokale, dhe jo nga autoritetet. Këto raste tregojnë përdorimin e titujve sensacionalë dhe interpretimin e shtrembëruar të fakteve për të rritur klikimet dhe përhapur keqinformim.

Lajm i rremë

Pretendimi se Qeveria e Kosovës do t’i konfiskojë pronat e ish-presidentes Vjosa Osmani për shkak se ajo nuk ka arsyetuar burimin e tyre financiar, është i rremë. Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme ende nuk është në fuqi. Ndërsa, deklarimet zyrtare të pasurisë së Osmanit tregojnë se të gjitha pronat e saj të deklaruara, kanë edhe arsyetimin e burimit financiar. Gjithashtu, hetimet nga AKK nuk kanë gjetur mospërputhje. (këtu)

Përmes një postimi që po qarkullon në Facebook, pretendohet se presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, ka lavdëruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke theksuar se ai mbron fuqishëm interesat e vendit. Verifikimi i fakteve tregon se një deklaratë e tillë nuk është bërë, së paku publikisht, nga Millanoviq. Kërkimet në disa gjuhë dhe burime nuk shfaqin asnjë dëshmi kredibile që mbështet këtë pretendim. (këtu)

Manipulim i fakteve

Publikohet një imazh që ka mbishkrimin ku shkruan se Hykmete Bajrami, deputete e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka deklaruar: “Të mjeret na kush po na udhëheq, më mier ishte te ishim nen qeverisjen e Vuqiqit”. Bajrami me anë të një statusi në Facebook ka kritikuar kërkesat e fundit të Albin Kurtit, kryeministrit të Kosovës, për zgjedhjen e presidentit, duke dhënë vlerësimin në fund me shprehjen “Të mjerët ne kush po na udhëheqë!”. Megjithatë, ajo nuk e ka dhënë vlerësimin hipotetik ku pretendohet se ajo ka thënë që: “më mirë ishte të ishim nën qeverisjen e Vuqiqit”. (këtu)

Është publikuar një imazh që shfaq Ramush Haradinajn, kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me mbishkrimin: “Ramushi: Diaspora e don Kosovën më pak? Deklarata që po shpërthen rrjetin!”. Kjo përmbajtje është postuar të martën (7 prill) në Facebook, nga faqja me emrin “ZeriSot”.Ramush Haradinaj ka qenë i ftuar në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, të hënën më 6 prill. Pretendimi i kësaj faqeje i referohet pikërisht kësaj interviste. Por, Haradinaj në këtë paraqitje nuk e ka përmendur fare diasporën. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

Disa media online në gjuhën shqipe kanë raportuar të mërkurën (8 prill) se Lideri i ri Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka vdekur. Pretendimi nga disa media në gjuhën shqipe për vdekjen e Liderit Suprem iranian, Mojtaba Khamenei, duke iu referuar një llogarie gjoja zyrtare të Ushtrisë Amerikane, është i pakonfirmuar dhe nuk mbështetet nga burime zyrtare. Informacioni që ka qarkulluar bazohet në një llogari në X që nuk është zyrtare e Ushtrisë Amerikane, siç pretendohet dhe përmban të dhëna të dyshimta, përfshirë gabime gjuhësore. (këtu)

Disa media në gjuhën shqipe publikuan një pretendim të pasaktë se përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Franco Foda, ka komentuar “rrjedhjen” e formacionit të Turqisë para ndeshjes më 31 mars. Verifikimi nga hibrid.info tregoi se kjo deklaratë nuk është dhënë nga Foda. Pretendimi e ka origjinën nga një postim në “Reddit” dhe më pas në platformën X, ku është shpërndarë si opinion nga një përdorues, jo si deklaratë zyrtare. (këtu)

Clickbait

Faqja “Gazeta Minuti” në Facebook përmes dy postimeve pretendon se Qeveria Kurti do të ndajë nga 100 euro për çdo fëmijë, si dhe pensionistët do të përfitojnë nga 150 euro shtesë. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se ky informacion nuk është raportuar nga asnjë portal informativ. Në linqet e këtyre postimeve të publikuara nga “Gazeta Minuti” pretendohet se në Kosovë po shqyrtohen masa mbështetëse që përfshijnë 100 euro për fëmijët, si dhe nga 150 euro shtesë për pensionistët, ndërsa përmes titujve këto shtesa paraqiten si fakte të kryera. (këtu)

Dezinformatë

Në disa media është pretenduar se në Zvicër është ndaluar investimi i shqiptarëve për një xhami 15 milionë franga. Pretendimi se në Zvicër është ndaluar një xhami 15 milionë franga e shqiptarëve është i pasaktë. Publikimi i mediave në gjuhën shqipe, që po trajtohet nga hibrid.info, përmban fotografinë e projektit të përfolur për xhaminë milionëshe. Bëhet fjalë për një projekt në Siebnen që është pezulluar përkohësisht nga vetë komuniteti shqiptar pas kundërshtimeve lokale, jo nga autoritetet. Mediat kanë përdorur gabimisht foto të një projekti tjetër në St. Gallen, duke krijuar keqinformim. (këtu)

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere