Përgatiti: Festim Rizanaj
Lajmet e rreme janë ato që kanë dominuar gjatë javës që shkoi sa i përket keqinformatave të publikuara në media, portale të dyshimta dhe faqe e llogari në media sociale.
Lajmet e rreme janë publikuar në platforma të ndryshme si Facebook dhe TikTok, duke trajtuar tema që shpesh synojnë manipulimin e opinionit publik. Një nga rastet përfshin pretendimin se ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka kritikuar liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj, përmes një deklarate të sajuar, publikuar më 21 dhjetor në Facebook nga llogaria “Myzafer Muharremi”. Një tjetër rast është pretendimi se lideri i ri i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, ka deklaruar origjinën shqiptare nga Kosova, i publikuar më 19 dhjetor në TikTok nga llogaria “pograddeccii”. Po ashtu, në një postim në Facebook më 23 dhjetor, është pretenduar se KQZ-ja nuk ka certifikuar koalicionin “Lista për Familjen” për zgjedhjet e vitit 2025, gjë që doli të jetë e pavërtetë. Në një rast tjetër, më 22 dhjetor, në TikTok u përhap një përmbajtje ku pretendohej se Albin Kurti kishte vendosur të shpërndante 100 euro për çdo qytetar për festat e fundvitit, një vendim që nuk ka asnjë mbështetje faktike. Këto raste përfshijnë kryesisht tema politike, pretendime për origjinë kombëtare, manipulime zgjedhore dhe masa sociale, duke theksuar rëndësinë e verifikimit të burimeve për të luftuar dezinformatat.
Lajmet e rreme/mashtrim në këtë rast janë publikuar në TikTok nga llogaria “toke.ilirodardane”, duke përfshirë pretendime të pabazuara lidhur me veprimet e subjekteve politike dhe institucionet e Kosovës. Më 22 dhjetor, u publikua një imazh që pretendonte se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e fundit të Qeverisë për ndarjen e 100 eurove për fëmijët dhe pensionistët, por hulumtimet e Hibrid.info zbuluan se kjo nuk është e vërtetë. Po ashtu, më 24 dhjetor, një tjetër përmbajtje e ngjashme pretendonte se opozita në Kosovë kishte paralajmëruar ta dërgonte në Kushtetuese moscertifikimin e Listës Serbe nga KQZ. Pas verifikimeve, rezultoi se nuk ka prova për një veprim të tillë nga partitë opozitare. Këto raste janë shembuj të mashtrimeve që përhapin lajme të pavërteta për të manipuluar opinionin publik.
Mashtrimet e fundit përfshijnë një SMS nga një numër me prefiks +44, ku pretendohet se një pako nuk është dorëzuar dhe kërkohet përditësimi i adresës përmes një vegëze të rreme që imiton Postën e Kosovës. Po ashtu, një postim i sponsorizuar në Facebook paraqet ndihma të pretenduara nga Kina për trajtimin e prostatës, duke përdorur logon e Kryqit të Kuq. Pas verifikimit, të dyja rastet u konfirmuan si mashtrime që synojnë keqpërdorimin e informacionit personal.
Dezinformatat e fundit përfshijnë pretendime të pasakta ose të manipuluara lidhur me ngjarje aktuale. Në një postim në TikTok nga llogaria “rejas04” pretendohet se ShBA-ja ka dhuruar shtatë dronë për Policinë e Kosovës, por Hibrid.info konfirmoi se kjo ndodhi vitin e kaluar, edhe pse nuk është përmendur në publikim. Po ashtu, një tjetër postim në TikTok nga “fokusi.dites” pretendon se xhandarmëria serbe është parë në fshatin Karaqevë të Kamenicës, por fotografia e përdorur është e vjetër dhe jashtë kontekstit aktual. Këto raste tregojnë për përdorimin e informacionit të pavërtetë ose të vjetërsuar për të krijuar perceptime të gabuara.
Teoritë konspirative përfshijnë pretendime të pabazuara që synojnë të krijojnë tensione politike dhe etnike. Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka deklaruar se krijimi i “Shqipërisë së madhe” është një projekt i mbështetur nga Evropa, duke e quajtur seancën e përbashkët të parlamenteve të Kosovës dhe Shqipërisë një akt armiqësor ndaj Serbisë. Megjithatë, këto pretendime nuk mbështeten nga fakte dhe janë cilësuar si teori konspirative. Një tjetër pretendim nga Sllavisha Vuksanoviq, anëtar i një shoqate serbe, sugjeron se gjatë luftës në Kosovë janë kryer transplantime organesh në “Shtëpinë e verdhë” në Shqipëri, por hetimet deri më tani nuk kanë konfirmuar këto pretendime, duke i bërë ato të pabazuara.
Clickbait u vlerësua artikulli i “ntv.al” me titullin clickbait “MARREVESHJA E HESHTUR/ Vuçiç mbështet Kurtin me kartat e pushtetit” sugjeron një fakt të pabazuar. Në përmbajtje, zbulohet se bëhet fjalë për opinionin e Baton Haxhiut, por kjo nuk reflektohet në titull, duke manipuluar lexuesit.
Deklaratë gjysmë e vërtetë, u vlerësua deklarata e zëvendësministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, se të gjitha rrugët nën përgjegjësinë e Ministrisë janë të hapura pas reshjeve të dëborës, është gjysmë e vërtetë. Ndërsa kjo u përsërit edhe në një komunikatë të MI-së më 24 dhjetor, Hibrid.info zbuloi se njëra nga rrugët e mirëmbahet nga Ministria është pjesërisht e kalueshme.
Lajm i rremë/Mashtrim
Publikohet një imazh me mbishkrimin që pretendon se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për ndarjen nga 100 euro për fëmijët dhe pensionistët në Kosovë. Përmbajtja është publikuar (22 dhjetor) në TikTok nga një llogari me emrin “toke.ilirodardane”. Hibrid.info ka gjetur se deri më tani LDK nuk e ka dërguar për shqyrtim vendimin në fjalë në institucionin përkatës. (këtu)
Publikohet një imazh me mbishkrimin që pretendon se opozita në Kosovë ka paralajmëruar se do ta dërgojë në Kushtetuese moscertifikimin e Listës Serbe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Kjo përmbajtje është publikuar (24 dhjetor) në TikTok nga një llogari me emrin “toke.ilirodardane”. Pas hulumtimit të kryer nga Hibrid.info, rezultatet e deritanishme tregojnë se nuk ka asnjë fakt a dëshmi se partitë opozitare e kanë dërguar në Kushtetuese për shqyrtim vendimin në fjalë. (këtu)
Lajm i rremë
Nëpërmjet një fotografie në Facebook është lënë të kuptohet se ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier e ka kritikuar kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. “Liderët politik mundohen të djegin rivalët e tyre, por Ramushi fuqishëm djeg vetveten, politika dhe Ramush Haradinaj jan dy bota diametralmente të kundërta”, është mbishkrimi i vendosur në një fotografi të Hovenierit. Publikimi u bë nga llogaria me emrin Myzafer Muharremi më 21 dhjetor. Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, del se ambasadori Hovenier nuk ka deklaruar një gjë të tillë. (këtu)
Publikohet një përmbajtje që pretendon se Ahmed al-Sharaa, lideri i ri i Sirisë, ka deklaruar se gjyshi i tij është me prejardhje shqiptare dhe vjen nga Kosova. Përmbajtja e pretenduar është publikuar me 19 dhjetor në TikTok nga llogaria me emrin “pograddeccii”. Hulumtimi i hibrid.info nuk e konfirmon pretendimin në fjalë. (këtu)
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pretendohet se nuk e ka certifikuar koalicionin “Lista për Familjen” për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit, 2025. Ky pretendim u publikua (23 dhjetor) në formë postimi në Facebook nga një llogari që mban emrin “Lule Gjeli“. Pas hulumtimit të kryer online nga hibrid.info, u vërtetua se ky pretendim është i rremë. (këtu)
“100 euro për secilin qytetarë të Kosovës, Albin Kurti merr vendim për festat e fundvitit”, mban mbishkrimin një postim i publikuar në TikTok. Kjo përmbajtje u publikua me datë 22 dhjetor në TikTok nga llogaria “fbi13039”. Një vendim i tillë nuk është gjetur i kumtuar nga Kurti apo nga ndonjë institucion shtetëror, por as nga ndonjë burim kredibil informacioni. (këtu)
Mashtrim
Një mesazh (SMS) iu është dërguar në telefon qytetarëve të Kosovës në të cilin shkruan “Pakoja juaj nuk u dorëzua me sukses për shkak të informacionit të paqartë të adresës”. Përmes këtij SMS-i pretendohet se për të siguruar që kjo pako të dorëzohet pa problem, është publikuar një vegëz për klikim, ku mund të përditësohet informacioni i adresës. Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se numri që ka dërguar këtë mesazh në telefon, ka prefiksin +44, që i takon Mbretërisë së Bashkuar. Ndërsa, vegëza e paraqitur në SMS është e dyshimtë dhe paraqitet rrejshëm si ueb-faqe zyrtare e Postës së Kosovës. (këtu)
Është publikuar një imazh me paketa që mbajnë logon e Kryqit të Kuq, shoqatë ndërkombëtare, me mbishkrimin që pretendon se bëhet fjalë për ardhjen e ndihmave të partnerëve kinezë për burrat që vuajnë nga prostata në Kosovë. Mbishkrimi pretendon po ashtu se të gjithë ata që aplikojnë do të marrin zbritje për trajtimin e kësaj sëmundjeje. Kjo përmbajtje është publikuar (25 dhjetor) me anë të një postimi të sponsorizuar në Facebook, nga një faqe me emrin “Physically jdl6”. Imazhi me anë të cilit është paraqitur pretendimi, pas klikimit hap një vegëz të jashtme. Hibrid.info ka gjetur se pas klikimit të imazhit, vegëza e hapur nuk shfaq asnjë të dhënë. (këtu)
Dezinformatë
Është publikuar një imazh me mbishkrimin që pretendon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) kanë dhuruar shtatë dronë për Policinë e Kosovës. Kjo përmbajtje është publikuar në TikTok nga llogaria me emrin “rejas04”. Hibrid.info ka gjetur se përmbajtja është e saktë, por që informon për një ngjarje të ndodhur vitin e kaluar, gjë e cila nuk bëhet e ditur në këtë publikim. (këtu)
Është publikuar një imazh ku shfaqen forca policore, me mbishkrimin që pretendon se në fshatin Karaqevë, komuna e Kamenicës, janë parë teksa lëvizin xhandarmëria serbe. Fotografia është publikuar më 25 dhjetor në TikTok nga një llogari me emrin “fokusi.dites”. Hibrid.info ka gjetur se pretendimi aktual është paraqitur me anë të një fotografie të vjetër. (këtu)
Teori konspirative
Zëvendëskryeministri i Serbisë, Alleksandar Vullin, ka deklaruar se krijimi i “Shqipërisë së madhe” është një projekt i mbështetur nga Evropa, duke e cilësuar atë si një akt kundër Serbisë dhe interesave të popullit serb, ndërsa theksoi se asambleja e fundit e përbashkët e Kosovës dhe Shqipërisë ishte një veprim armiqësor ndaj Serbisë dhe komunitetit serb. Vullini i bëri këto pretendime pas deklaratës së kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në lidhje me “ngrirjen e bisedimeve me Serbinë”, deklaratë që u bë gjatë seancës së përbashkët të parlamenteve të dy vendeve më 20 dhjetor 2024 në Prishtinë. Kjo deklaratë u publikua edhe në disa media në gjuhën serbe. Megjithatë, pretendimet e Vullinit nuk mbështeten në fakte dhe konsiderohen si “teori konspirative”, pa bazë të qartë në realitet. (këtu)
Është pretenduar se është vërtetuar se gjatë luftës në Kosovë janë kryer transplantime të organeve të qytetarëve serbë në “Shtëpinë e verdhë” në Shqipëri. Pretendimi u bë nga Sllavisha Vuksanoviq, anëtar i Bordit Ekzekutiv të “Shoqatës së Familjeve të të Kidnapuarve dhe të Zhdukurve nga Kosova” në një deklaratë për mediumin në gjuhën serbe “Kosovo-online.com” në një artikull të publikuar më 26 dhjetor. Pretendimet e Sllavisha Vuksanoviqit nga “Shoqata e Familjeve të të Kidnapuarve dhe të Zhdukurve nga Kosova” se është vërtetuar se në “Shtëpinë e verdhë” në Shqipëri ka pasur trafikim organesh të serbëve, nuk janë të bazuara në fakte. Hetimet e deritanishme nuk kanë vërtetuar një gjë të tillë. (këtu)
Clickbait
Është publikuar një artikull me titull “MARREVESHJA E HESHTUR/ Vuçiç mbështet Kurtin me kartat e pushtetit”. I shoqëruar nga një fotografi që paraqet kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, afër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, publikimi u bë nga mediumi në gjuhën shqipe “ntv.al” më 26 dhjetor. Pasi të lexohet përmbajtja kuptohet se bëhet fjalë për një opinion të Baton Haxhiut e që në titull nuk paraqitet si diçka e tillë, por si fakt i kryer. (këtu)
Deklaratë gjysmë e vërtetë
Sipas Hysen Durmishit, zëvendësministër i Infrastrukturës, pas reshjeve të dëborës në Kosovë, të gjitha rrugët që janë përgjegjësi e ministrisë, janë të hapura. Kjo u potencua (25 dhjetor) në një status të publikuar në llogarinë e tij në Facebook. Po ashtu, edhe në një komunikatë të publikuar më 24 dhjetor, në faqen e MI-së, potencohet kalueshmëria në të gjitha rrugët. Hibrid.info ka gjetur se njëra nga rrugët që mirëmbahet nga Ministria e Infrastrukturës, është pjesërisht e kalueshme. (këtu)