[email protected]
Rishikimi i javës: Manipulim të fakteve në lidhje me Kosovën, clickbait artikuj për thesarin dhe trustin, dezinformata për dialogun dhe BE-në
shape
shape
shape


Gjatë javës që shkoj kemi pasur manipulim të fakteve në lidhje me shpalljen e pavarësisë së Kosovës e cila është interpretuar nga Zyra për Kosovën si shkelje të integritetit territorial të Serbisë; pretendimin se Berlini zyrtar vlerëson gjendjen në Ballkan jo të qetë dhe për këtë po e trajnon policinë ushtarake të Kosovës.

Clickbait artikuj në lidhje me thesarin dhe trustin. Dezinformata në lidhje më furnizimin e ushtrisë shqiptare me drona turk dhe amerikan, pretendimin se Vuçiq do të vazhdojë dialogun për njohje të Kosovës, aludimin se Von der Leyen ka thënë se BE-ja nuk është e kompletuar pa Kosovën.

Përmbajtje të pa verifikuara lidhur me një sulm me vezë në një çerdhe, nisjen e reduktimeve të rrymës për shkak të rënies së bllokut A3, pretendimin se mediat në Kosovë po zhvillojnë një luftë hibride ndaj Radojçiqit dhe serbëve.


Manipulim i fakteve

Mediat serbe më 12 shtator kanë publikuar artikull me pretendimet e shefit të zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës, e ndërlidh me Kosovën, duke e interpretuar pavarësinë e Kosovës si shkelje e integritetit territorial të Serbisë.  Faktet na flasin se Kosova është shpallur e pavarur pas luftës për çlirim nga okupatori serb, dhe se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk përbën shkelje të të drejtës ndërkombëtare dhe se është njohur më shumë se 100 shtete të botës, duke përfshirë këtu SHBA-të dhe shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian. Prandaj, shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk përbënë shkelje të integritetit territorial të Serbisë, por një të drejt ndërkombëtare. (këtu, këtu)

E përditshmja serbe “Novosti.rs” më 13 shtator ka publikuar një artikull për trajnimin e FSK-së nga ana ushtrisë gjermane duke e interpretuar në mënyrë tendencioze se gjoja Berlini po e vlerëson gjendjen në Ballkan jo të qetë dhe për këtë po e trajnon policinë ushtarake të Kosovës. Pretendimi i bërë përmes titullit, që lë të kuptohet se ka një qëndrim nga Berlini zyrtar për gjendjen e sigurisë në rajonin e Ballkanit, nuk korrespondon me zhvillimin që paraqitet në përmbajtje. (këtu, këtu)

Clickbait

Portali informativ “Gazeta Demos” më 12 shtator ka publikuar një artikull me titull “Sekretarja e Thesarit: Çmimi i karburantit mund të rritet gjatë dimrit”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, rezulton që titulli është përgjithësues që nuk tregon se për sekretaren e Thesarit të cilit shtet bëhet fjalë. (këtu, këtu)

Portali i dyshimtë “al.truepostnew.com” më 14 shtator ka publikuar një artikull lidhur me rënien e investimeve në “Trust”, ndërsa në titull është pretenduar rrejshëm se ky institucion ka marr një vendim. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i këtij artikulli është i sajuar dhe nuk i përgjigjet përmbajtjes. (këtu, këtu)

Artikulli me titull “Dy vajza të moshës 15 dhe 17 vjeçe përdh*unohen nga disa persona” është publikuar dje (16 shtator) nga portali informativ “Kosova-sot.info”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, rezulton që titulli nuk e bënë të qartë lajmin dhe vendndodhjen e kësaj ngjarje. Kjo bëhet e qartë vetëm në përmbajtje, ku thuhet se “dy motra adoleshente në Indi janë gjetur të përdhunuara dhe pa shenja jete, të varura në një pemë, në incidentin e fundit të dhunës seksuale që tronditi vendin”. (këtu, këtu)

Dezinformatë

Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “analiza.koranews24.com” me datë 11 shtator ka publikuar një artikull me titull “LAJM I MADH: Ushtria shqiptare pajiset me dronat turk dhe “bishat” amerikane?”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i këtij artikulli është i pasaktë, ndërsa lajmi është i vjetër i publikuar më 11 korrik. (këtu, këtu)

Portali i dyshimtë “a.news29media.com” ka publikuar një artikull me deklaratën e presidentit serb Aleksandër Vuçiq, i cili ishte shprehur se nuk do ta njohë Kosovën drejtpërdrejt apo tërthorazi. Ky portal i dyshimtë këtij artikulli i ka vënë titull të rremë me pretendimin se Vuçiq ka thënë se është pro dialogut për njohjen e shtetit të Kosovës. Pra, nuk është e vërtetë që Vuçiq ka thënë se është pro dialogut për njohjen e shtetit të Kosovës, ashtu siç pretendohet në titull. (këtu, këtu)

Portali i dyshimtë “news426media.com” më 14 shtator ka publikuar një artikull në të cilin gjendet deklarata e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila ishte shprehur se BE-ja nuk është e kompletuar pa “Ballkanin Perëndimor”. Ndërsa këtij artikulli i është vënë titull i sajuar me pretendimin se Von der Leyen ka thënë se BE-ja nuk e kompletuar pa Kosovën. (këtu, këtu)

Portali i dyshimtë “analiza.koranews24.com” ka publikuar një artikull të vjetër të muajit qershor lidhur me marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për hapjen e kufirit (pa ndalesa) gjatë vikendeve në sezonin veror. Ky portal i dyshimtë këtë artikull të vjetër është munduar ta paraqesë si aktual duke i vënë edhe titull të sajuar “Bashkohet Shqipëria me Kosovën, ‘largohen’ kufijtë midis dy shteteve”. (këtu, këtu)

Përmbajtje e pa verifikuar

Portali informativ “Arbresh.info” më 13 shtator ka publikuar një artikull me pretendimin në titull  se kopshti i fëmijëve “Lulevera” në Prishtinë është sulmuar me vezë e patate të hedhura nga ballkoni për shkak të grevës. Ndërsa, në përmbajtje,  duke u thirrur në burimet e veta brenda këtij kopshti, ky portal thotë se edukatoret aktualisht janë duke menduar se hedhja e vezëve dhe patateve ka ndodhur aksidentalisht dhe jo me qëllim sulmi. (këtu, këtu)

Më 14 shtator në mediat në gjuhën serbe është publikuar deklarata e deputetit të Partisë Progresiste Serbe (SNS), Vladimir Gjukanoviq, i cili gjatë fjalimit të mbajtur në Parlamentin e Serbisë, aludon se mediave në Kosovë u është dhënë detyrë që të zhvillojnë një luftë hibride ndaj Radojçiqit në veçanti, por edhe serbëve të Kosovës në përgjithësi. Pretendimet e hedhura nga deputeti serb, Gjukanoviq, e që kanë zënë vend në mediat në gjuhën serbe se, gjoja mediat në Kosovë janë të urdhëruar nga qendra, konkretisht pushteti i Kurtit, për zhvilluar një luftë hibride kundrejt serbëve, konkretisht Milan Radojçiqit, nuk përcillen me ndonjë fakt mbështetës për këtë. Deklarata e deputetit serb nuk përcjellët me fakte dhe detaje konkrete që do ta mbështesnin pretendimin e tij. (këtu, këtu)

Portali informativ “Demokracia.com” ka publikuar më 16 shtator ka publikuar një artikull me  pretendimin se, sipas informacioneve, do të nisin reduktimet e rrymës nga ora 24:00, si pasojë e ndaljes së bllokut A3. Dhe, sipas këtij portali, një gjë e tillë do të vazhdojë të mbahet fshehur nga ana e KEK-ut. Ky pretendim është hedhur poshtë më pas nga një njoftim i KEK-ut, që e bënë informacionin irelevant. KEDS, në njoftimin e tyre për gjendjen me energji elektrike gjatë ditës së 17 shtatorit, nuk shkruan se do të ketë reduktime të rrymës, si pasojë e mungesës së furnizimit, por si rezultat i punimeve në rrjet. (këtu, këtu)

Gabim

Disa portale informative më 15 dhe 16 shtator duket se gabimisht kanë publikuar një letër të hapur të neuropsikiatrit Afrim Blyta, e cila është e vjetër (2020). Në këtë letër, Blyta kishte kritikuar atëkohë liderët e Kosovës. Publikimi i këtij artikulli të vjetër, me pretendimin të paraqitet si aktual, mund t’i dezinformojë lexuesit. (këtu, këtu)

Mashtrim

Portali informativ “KosovaPost.net” më 15 shtator ka publikuar një artikull me deklaratën e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqit, i cili e quajti frikacak (tuc) kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, pasi ky i fundit ishte shprehur se nuk është e çuditshme që opozita po e mbështet grevën në arsim. Megjithatë, ky portal këtij artikulli i ka vënë një fotografi në të cilën shihet kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe ai i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj. Hibrid.info ka arritur të vërtetojë se kjo fotografi është e montuar, pasi në imazhin e vërtetë nuk gjendet Jasharaj, por kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci. (këtu, këtu)

Share With Others