[email protected]
Parashikimi për numrin e turistëve britanikë në Shqipëri, paraqitet si çështje e kryer
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Nëpërmjet një postimi në Facebook, është pretenduar se gjysmë milioni turistë britanikë mbërrijnë në Shqipëri e se kjo është konfirmuar nga ambasadori britanik.

Publikimi është bërë nga faqja “Ntv Televizion” të premten (19 korrik).

Çka nuk shkon me këtë postim?

Po që se klikohet vegëza e publikuar në koment në postimin në Facebook, hapet një artikull i mediumit në gjuhën shqipe “ntv.al” që ka titull më ndryshe. Përderisa postimi në Facebook e paraqet si punë të kryer mbërritjen e 500 mijë turistëve nga Britania, në titullin në artikull thuhet se “Gjysmë milioni turistë britanikë pritet të vizitojnë Shqipërinë”.


Vegëza e postimit në Facebook nga “Ntv Televizion”:

https://archive.is/mgpJa


Artikulli ka marrë për bazë një intervistë të ambasadorit britanik në Tiranë, Alastair King Smith për “ABC News” në Shqipëri. Edhe pse titulli flet për deklaratën e ambasadorit se sivjet pritet të vijnë 500 mijë britanikë për turizëm në Shqipëri, në artikull janë të përfshirja deklarata të tjera nga intervista e ambasadorit.

Hibrid.info ka gjetur në portalin “abcnews.al” intervistën e ambasadorit Smith. Duke folur për raportet Shqipëri-Mbretëri e Bashkuar, ai ka thënë se sheh potencial për biznes, por edhe turizëm.

“Gjasat janë që këtë vit të vijnë gati gjysmë milioni turistë britanikë, që është më shumë se dyfish krahasuar me vjet. Kjo do të jetë pjesë e rëndësishme e partneritetit tonë, së bashku me shqiptarët që shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar për të dhënë kontributin e tyre të rëndësishëm atje”, citohet të ketë thënë ambasadori.

Pra, ambasadori ka thënë se sivjet “gjasat janë” që Shqipërinë ta vizitojnë gjysmë milioni turistë britanikë, dhe nuk ka asnjë konfirmim se kjo shifër tashmë është arritur, siç pretendohet përmes postimit në Facebook të “Ntv Televizion”.


Analiza:

Faqja në Facebook “Ntv Televizion” përmes një publikimi e ka paraqitur si fakt të kryer se në Shqipëri sivjet mbërrijnë 500 mijë turistë britanikë. Postimi çon në një artikull të mediumit në gjuhën shqipe “ntv.al” që mban titull tjetër. Pavarësisht titullit që flet për turistë, artikulli ka përmbajtje tjetër.

Pas verifikimit nga hibrid.info, del se shifra prej gjysmë milioni turistësh ka qenë vetëm parashikim i ambasadorit britanik në Shqipëri.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë postim si “Clickbait”.

Arsyetimi:

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others

Translate »