Të fundit | Keqinformatat e mundshme deri në përfundimin e afatit të zgjedhjes së presi… Të fundit | Hibrid.info në shënjestër të fushatës dezinformuese ruse “Matryoshka” me na… Të fundit | Pretendim i pasaktë, bëhet fjalë për tërheqjen e planit për një tjetër xham… Të fundit | Paraqiten si fakte të kryera ndarja e shtesave për fëmijë dhe pensionistë Të fundit | Foda s’ka deklaruar se publikimi i formacionit të Turqisë nga gazetarët ndi… Të fundit | “Information Laundering”: Si transformohet dezinformimi në “fakt” në epokën… Të fundit | Ramush Haradinaj nuk deklaroi se diaspora e do Kosovën më pak Të fundit | Raportohet pasaktë për vdekjen e Khameneit, i atribuohet një llogarie gjoja… Të fundit | Pretendim i rremë se presidenti kroat Millanoviq ka lavdëruar Kurtin Të fundit | Bajrami nuk ka thënë “më mirë të ishim nën qeverisjen e Vuçiqit”
[ ARTIKULLI ]

Rishikimi i javës: Teori konspirative nga media dhe zyrtarë serb për hyrjen e FSK-së në veri dhe tubimin për krerët e UÇK-së në Tiranë

HIBRID

Përgatiti: Festim Rizanaj

Gjatë javës së fundit (13–19 tetor 2025), teoritë konspirative kanë dominuar hapësirën keqinformuese dhe rrjetet sociale, sipas monitorimit të kryer online.

Teoritë konspirative të javës së fundit janë përhapur kryesisht në rrjete sociale dhe media online në gjuhën serbe, veçanërisht në platforma si Facebook dhe portale si Pozitivnasrpska.com, Pravda.rs, Kosovo-online, dhe Blic.rs. Përmbajtjet e publikuara kanë trajtuar tema të ndryshme që synojnë të nxisin frikë dhe tensione ndëretnike. Njëra prej tyre pretendonte se “Kosova ka kërkuar një pjesë të re territori nga Serbia”, duke e paraqitur situatën si “luftë”, pa ofruar asnjë provë apo burim zyrtar. Një tjetër artikull akuzonte “bandat e Kurtit” për “tentim-kidnapimin e një vajze serbe”, megjithëse përmbajtja nuk e përmendte më emrin e Kurtit dhe nuk ofronte dëshmi për këtë lidhje. Po ashtu, Lista Serbe dhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e paraqitën kalimin e një konvoji të FSK-së në veri si provokim të qëllimshëm, ndonëse FSK-ja, Policia e Kosovës dhe KFOR-i e cilësuan atë si një keqkuptim të rrugës. Ndërkohë, portali Blic.rs përhapte një tjetër teori konspirative, duke interpretuar protestën në Tiranë në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së si “ringjallje të idesë së Shqipërisë së Madhe”, megjithëse deklaratat e Ali Ahmetit dhe Edi Ramës e mohonin qartë një gjë të tillë. Këto përmbajtje pasqyrojnë përpjekje për të ndërtuar narrativën e një kërcënimi të vazhdueshëm nga Kosova dhe shqiptarët ndaj Serbisë.

Artikulli clickbait u publikua më 14 tetor në faqen zyrtare të “Radio Televizionit 21” në Facebook me titullin “Elezi: Hera e parë që Beogradi do të kontrollojë nëntë komuna në Kosovë”. Titulli nuk përputhet me deklaratën e Bedri Elezit, i cili kishte thënë se nëntë komunat drejtohen nga Lista Serbe, të cilën kryeministri Kurti e ka quajtur “organizatë terroriste”, dhe se Beogradi ka ndikim mbi to.

Lajm i rremë u publikua nga faqja “Lajme Nga Bota” dhe llogaria “Televizioni SuperSky” në Facebook, të cilat pretenduan se në “video-incizime” të Fatmir Shehollit, të arrestuar për spiunazh, gjendej një video që tregonte se Ramush Haradinaj ishte në dijeni për sulmin në Banjskë. Pas verifikimit nga hibrid.info, rezultoi se asnjë media e besueshme nuk ka raportuar një informacion të tillë, ndërsa postimi përmbante gabime të shumta drejtshkrimore dhe mungesë të plotë faktesh apo burimesh kredibile që do ta mbështesnin pretendimin.

Deklaratë e pavërtetë u publikua më 15 tetor në mediumin në gjuhën serbe “pravda.rs”, me titullin “LAVROV PËR KOSOVËN: Ua morët serbëve tokën e tyre historike!”. Në këtë artikull, ministri rus i Jashtëm, Sergey Lavrov, pretendon se njohja e pavarësisë së Kosovës përbën “grusht shteti” dhe shkel Rezolutën 1244 të OKB-së. Sipas verifikimit të hibrid.info, ky pretendim është i pasaktë, pasi pavarësia e Kosovës nuk përmban asnjë element që përputhet me përkufizimin juridik të grushtit të shtetit dhe nuk përbën shkelje të Rezolutës 1244.

Përmbajtja e vlerësuar si “Gabim” u publikua më 16 tetor në edicionin informativ të televizionit “Top Channel” me titullin “FSK hyn në komunat serbe” dhe nëntitullin “Autoritetet pranojnë se ishte një gabim: Disa automjete gabuan rrugën”. Titulli është i pasaktë, pasi përdor terminologjinë “komunat serbe”, që nuk ekziston zyrtarisht në Kosovë, dhe nuk e sqaron vendndodhjen e ngjarjes. Në realitet, FSK-ja kishte hyrë gabimisht në një zonë të caktuar për shkak të ngatërrimit të rrugës, siç e konfirmuan edhe autoritetet kompetente.

Teori konspirative

Është publikuar një përmbajtje në gjuhën serbe me mbishkrimin “KJO ËSHTË LUFTË! Kosova ka kërkuar një pjesë të re territori nga Serbia”. Ky postim është publikuar të premten (10 tetor) në Facebook nga një faqe në gjuhën serbe me emrin “Pozitivnasrpska.com”. Mbishkrimit të publikimit i është bashkangjitur edhe një vegëz e një artikulli të publikuar në uebfaqen e kësaj faqeje, me titullin “Kosovo issues an ultimatum to Serbia!?” (“Kosova i lëshon një ultimatum Serbisë!?”) Kjo përmbajtje nuk ofron asnjë burim zyrtar, dokument apo deklaratë publike që do ta mbështeste pretendimin për një “ultimatum” të tillë të Kosovë ndaj Serbisë. (këtu)

“Bandat e Kurtit nuk kanë kufij: Lirohen të dyshuarit për tentim-kidnapimin e një vajze serbe” mban titullin një artikull, në gjuhën serbe, i publikuar nga “pravda.rs” në datën 15 tetor. Artikulli përmban shkrimin e publikuar nga mediumi në gjuhën serbe “Kosovo-online” që ka raportuar se nëna e një vajze 16-vjeçare nga Zveçani ka thënë se Prokuroria Themelore në Mitrovicën e Veriut ricilësoi veprën nga “tentim-kidnapimi në sulm” dhe se të dyshuarit për rastin që ka ndodhur të premten janë liruar. Përderisa titulli pretendon se bëhet fjalë për një “bandë të Kurtit”, një gjë e tillë nuk argumentohet në përmbajtje dhe madje nuk ka asnjë fjalë tjetër që e lidh me emrin e Kurtit. (këtu)

Subjekti politik, Lista Serbe, dhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e kanë cilësuar të qëllimshme hyrjen e një konvoji të Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës të enjten. Sipas tyre, kjo është bërë me qëllim për të shkaktuar tensione. Ata e kanë ndërlidhur këtë edhe me emrin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe situatën politike në kohën e zgjedhjeve. Megjithatë, vetë FSK-ja dhe Policia e Kosovës gjatë ditës kanë bërë të qartë se bëhet fjalë për një ngatërrim të rrugës nga konvoji. E edhe Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se i pranon deklaratat e këtyre autoriteteve. (këtu)

Pa ofruar asnjë fakt, mediumi në gjuhën serbe “blic.rs” ka përdorur protestën së shtunës në Tiranë në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë dhe deklaratat e politikanit shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Ali Ahmeti, si “nisje të ringjalljes së idesë së Shqipërisë së Madhe”. Ahmeti ka thënë se askush nuk mund të japë garanci se njerëz të pakënaqur do të mund të shprehshin revoltën e tyre në rast të dënimit të ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë, por ai nuk ka paralajmëruar bashkimin e territoreve me shqiptarë në një shtet të vetëm. Në të paktën dy intervista ditën e protestës, vetë Ahmeti ka folur për Maqedoninë e Veriut si shtet më vete dhe në një rast ka thënë se ideja e bashkimit kombëtar ka qenë e viteve të ’80-ta, por se ka ndryshuar në periudhën e mëpasshme. Edhe një deklaratë e fundit e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, hedh poshtë pretendimin për “ringjalljen e idesë së Shqipërisë së Madhe”. (këtu)

Clickbait

Publikohet një artikull i titulluar “Elezi: Hera e parë që Beogradi do të kontrolloj nëntë komuna në Kosovë”. Kjo përmbajtje është publikuar dje (14 tetor) në faqen zyrtare në Facebook të “Radio Televizionit 21”. Deklarata e njohësit të sigurisë, Bedri Elezi, nuk përkon me titullin e këtij artikulli. Në deklaratën e tij, Elezi ka thënë se “Beogradi zyrtar do të kontrollojë nëntë komuna që janë të udhëhequra nga organizata terroriste, Lista Sërpska, siç e ka konsideruar kryeministri i Republikës së Kosovës”, duke shtuar se “po i bie që është hera e parë që në një vend në botë udhëhiqen nëntë komuna nga organizata terroriste dhe Beogradi zyrtar, Vuçiq, ka hise në nëntë komuna”. (këtu)

Lajm i rremë

Faqja “Lajme Nga Bota” dhe llogaria “Televizioni SuperSky” në Facebook kanë publikuar një pretendim se në “video-incizime” të Fatmir Shehollit, i arrestuar nën dyshimin për spiunazh, gjendet një video ku Ramush Haradinaj thuhet të ketë qenë në dijeni për sulmin në Banjskë. Pas verifikimit nga hibrid.info, u konstatua se asnjë media kredibile nuk ka publikuar një informacion të tillë. Gjithashtu, postimi përmban shumë gabime drejtshkrimore dhe nuk ekzistojnë prova apo burime të besueshme që e mbështesin pretendimin. (këtu)

Deklaratë e pavërtetë

Është publikuar një artikull me titullin “LAVROV PËR KOSOVËN: Ua morët serbëve tokën e tyre historike!” Kjo përmbajtje është publikuar të mërkurën (15 tetor) në mediumin në gjuhën serbe “pravda.rs”. Hibrid.info ka trajtuar pretendimin për grusht shteti, i cili sipas Sergey Lavrov, ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë erdhi pas njohjes së pavarësisë së Kosovës, gjë e cila, sipas tij, shkelte rëndë të gjitha dispozitat e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ky pretendim del të jetë i pasaktë sepse pavarësia e Kosovës nuk përmban asnjë element që përputhet me përkufizimin e grushtit të shtetit. (këtu)

Gabim

Publikohet një raportim me titullin “FSK hyn në komunat serbe” dhe nëntitullin “Autoritetet pranojnë se ishte një gabim: Disa automjete gabuan rrugën”. Kjo kronikë është publikuar në edicionin informativ të së enjtes (16 tetor) të televizionit me bazë në Shqipëri, “Top Channel”. Titulli nuk e ka sqaruar vendndodhjen e ngjarjes dhe ka përdor gabimisht termin “komunat serbe”. (këtu)

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere