[email protected]
Përmbledhje nga kontrolli i fakteve në fushatën zgjedhore 2021
shape
shape
shape

Hibrid.info sjell për lexuesit kontroll të fakteve për publikimet që ndërlidhen me fushatën e zgjedhjeve nacionale të 14 shkurtit. Gjatë kësaj kohe fushate, lexuesit mund t’i gjejnë të përmbledhura në një vend dhe të faktuara ato pretendime të rreme që bëhen nga mediat dhe akterët tjerë, siç mund të jenë subjektet politike, por edhe vetë kandidatët për deputetë dhe kryeministër.




Artikull me titull tendencioz (12/02/2021)

Portali i dyshimtë “todaynews35.com” ka publikuar një artikull me titull “Ekskluzive – Kërkohet arr estimi i kryeministrit Avdullah Hoti”.

Pas analizës së kontrollit të fakteve nga hibrid.info, rezulton se i njëjti pretendim të jetë bërë edhe më parë, i publikuar në korrik të vitit të kaluar.

Përderisa në titull lë të kuptohet se ka ndonjë vendim zyrtar për urdhër-arrest të Hotit nga ndonjë institucion relevant, në përmbajtje paraqitet vetëm një akuzë nga opinionisti Rron Gjinovci. Pra, titulli i këtij duket të jetë bërë me tendencë dhe, njëkohësisht, nuk i përgjigjet përmbajtës së artikullit. Më shumë…

Një lajm tërësisht i trilluar, publikohet nga mediat si deklaratë e mirëqenë e Mustafës (09/02/2021)

Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull me titull “Isa Mustafa: ‘Me 250 euro e kalon muajin djali im edhe i teprojnë, e ju po ikni’”.

Pas analizës së kontrollit të fakteve nga hibrid.info, ky lajm rezulton të jetë i sajuar, i cili ka qarkulluar në portalet e dyshimta në Kosovë. “Kosova-sot.info” e ka krijuar dhe shpërndarë këtë artikull bazuar në një deklaratë të Isa Mustafës, e cila është konstatuar se është e rreme, pasi që nuk është gjetur në asnjë medium kredibil si dhe në profilet zyrtare në rrjetet sociale të kreut të LDK-së. Më shumë…

Gashi nuk ka thënë se “Liberalizimi i vizave bëhet vetëm nëse fiton LDK-ja” (08/02/2021)

Portali i dyshimtë “mitrovicapress.com” ka publikuar një artikull me titull “Arben Gashi :Liberalizimi i vizave behet vetem nese fiton LDK-ja”.

Pas verifikimit dhe hulumtimit të bërë përmes makinave të kërkimit dhe rrjeteve sociale, del që një deklaratë e tillë, nuk është bërë nga ish-shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi. Si rrjedhojë e saj, rezulton se ky artikull përmban titull dhe përmbajtje të sajuar. Më shumë…

Artikulli me titull të pabazuar në fakte (08/02/2021)

Disa portale në Kosovë kanë publikuar një artikull me titull “Dhjetëra autobusë nga diaspora nisen për të përkrahur Ramush Haradinaj për President”.

Ky lajm i është referuar nga një fotografi të postuar nga një simpatizant i AAK-së në Vjenë, Agim Sadik Knushi, në Facebook. Ai ka publikuar një fotografi ku shihet në autobus me disa mërgimtarë, me një parullë të vendosur në pjesën ballore me mbishkrimin – “VOTO 135″. Më shumë...


Shpërndahen video me pretendime të rreme: Nuk kishte tubim të Kurtit në Shtërpce me brohoritje “Serbia-Serbia” (08/02/2021)

Shumë portale kanë rënë pre i disa versioneve të videove të publikuara në hapësirën digjitale (rrjete sociale, media online, kanale online), ku pretendohet rrejshëm për një tubim të kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, në Shtërpcë, në të cilin tubim është brohoritur “Serbia Serbia”.

Në këto video, pas kontrollit të fakteve, vërehen shumë detaje që vejnë në dyshim autenticitetin e tyre.

Për këtë arsye, shumë media që i kishin publikuar ato, i kanë larguar pas një kohe të caktuar. Më shumë…


Raportohet rrejshëm për publikimin e sondazheve nga KQZ për votim të partive (06/02/2021)

Portalet e dyshimta kanë publikuar disa artikuj ku pretendojnë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka krijuar sondazhe sa i përket rezultateve të subjekte politike në zgjedhje.

Në disa nga këto artikuj të publikuar nga portalet e dyshimta nuk gjendet asnjë sondazh brenda në tekst, siç pretendohet në titull, ndërsa në disa prej tyre mund edhe të votosh.

Megjithatë, KQZ ka demantuar këto lajme që po qarkullojnë nëpër rrjete sociale, duke sqaruar se ky institucion asnjëherë nuk ka krijuar sondazhe sa i përket rezultateve të subjekteve politike në zgjedhje, dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos japin të dhënat e tyre që u kërkohen, sepse ato mund të keqpërdoren. Më shumë…

Hoti nuk ka premtuar se “për 6 muaj do ta bëjë Kosovën si Zvicrën” (05/02/2021)

Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar në faqen e tyre zyrtare në Facebook një artikull me titull “Hoti: Për 6 muaj do ta bëjmë Kosovën si ‘Zvicër’”.Ky artikull është bazuar në një premtim elektoral të kandidatit të LDK-së për kryeministër, Avdullah Hotit, por që nuk ndërlidhet me pretendimin e bërë përmes titullit.

Kjo vërehet edhe në përmbajtjen e artikullit, brenda së cilit gjendet lajmi autentik i botuar në media tjera, përfshirë edhe titullin: Kosova e ka kaluar krizën ekonomike të shkaktuar nga pandemia”. Në përmbajtjen e këtij shkrimi nuk përmendet në asnjë rast pretendimi i rremë i bërë përmes titullit se gjoja Hoti ka deklaruar që “për 6 muaj do ta bëjmë Kosovën si “Zvicër”. Më shumë…


Lajm i vjetër dhe titull jo adekuat (04/02/2021)

Disa portale të dyshimta në gjuhën shqipe kanë publikuar një artikull me titull “Haradinaj: ‘Qëllimi im nuk është pushteti, une e kam veç dertin për popull’”.

Pas analizës së kontrollit të fakteve nga hibrid.info, del që ky artikull përmban titull të rremë, pasi që vërehet se pretendohet rrejshëm të paraqitet si qëndrim të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj. Në fakt kjo deklaratë konstatohet se është bërë nga vëllai i tij, Daut Haradinaj, gjatë zgjedhjeve të kaluara nacionale (2019), përmes një statusi në profilin e tij në Facebook. Më shumë…


KQZ nuk ka publikuar sondazh për partitë (04/02/2021)

Portali i dyshimtë “newsonline48h.com” ka publikuar një artikull me titull “Votoni Në Sondazhin Online Nga KQZ: Cilën Parti Do Ta Votoni Ju , VV-Në LDK-Në Apo PDK-Në?”.

Ky artikull përmban titull të sajuar që nuk i përgjigjet përmbajtjes, pasi që në tekst nuk ekziston asnjë sondazh online nga KQZ, siç pretendohet në titull.

Pas analizës së kontrollit të fakteve, ky portal i dyshimtë rezulton se ka sajuar këtë lajm në mënyrë që të tërheqë lexuesit të klikojnë në artikull. Lajmi është i vjetër i cili është publikuar në tetor të vitit të kaluar ku është bërë një sondazh me titull “Sondazh online: A duhet të jap dorëheqje presidenti Thaçi?”. Më shumë…


Walker nuk ka thënë se “Kurti e Osmani turpëruan shtetin e Kosovës” (01/02/2021)

Portali i dyshimtë “newsonline48h.com” ka publikuar një artikull me titull “Ambasadori Walker: Kurti Dhe Osmani E Turpëruan Shtetin E Kosovës Me Vizitën E Tyre Në Mitrovicë”.

Pas analizës së kontrollit të fakteve nga hibrid.info, del që ky artikull përmban titull të rremë dhe përmbajtje të ndryshuar.

Ky portal ka marrë një pjesë të tekstit nga reagimi i PDK-së në Facebook, lidhur me vizitën e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit në Mitrovicën e Veriut, të cilin më pas e kanë ndryshuar duke pretenduar rrejshëm se këtë reagim e ka bërë diplomati amerikan William Walker. Më shumë…

Share With Others