Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar dje (17 tetor) një artikull me titull “Prej vitit që vjen: Kush udhëton me Trafikun Urban, nuk do të paguajë më me para kesh”.
Mirëpo, pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se ky pretendim është i pabazuar, pasi në përmbajtje nuk përmendet largimi i mundësisë për të paguar me para kesh në udhëtime me Trafikun Urban.
Pretendimi është bazuar në një njoftim të nënkryetares së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, e cila dje (17 tetor) përmes llogarisë së saj në Facebook bëri të ditur se, nga viti i ardhshëm, do të ketë reforma në transportin publik në kryeqytet.
Ajo sqaroi se udhëtimi me Trafikun Urban do të bëhet përmes biletës së integruar, e cila do të realizohet me pagesë përmes SMS dhe kodit “QR”. Megjithatë, në statusin e saj, Sahatçiu nuk përmendi se me futjen e këtyre dy mundësive të reja për pagesë, do të largohet përdorimi i kartëmonedhave apo pagesa me para kesh, siç pretendohet në titullin e artikullit të “Kosova-sot.info”.
Vegëza e artikullit të publikuar në portalin “Kosova-sot.info”:
Postimi i Sahatçiut në profilin e saj zyrtar në Facebook:
2023 është vit i reformave në transportin publik në Prishtinë! 🚍🚏🚦
Me ekipin shembullor të sektorit të mobilitetit nga Drejtoria e Shërbimeve Publike takuam përfaqësues të operatorëve privat që ofrojnë shërbimin e transportit me autobusë në linjat qëndrore dhe periferike, përfaqësues të Trafiku Urban Prishtinë dhe partnerët nga BERZh për të prezantuar dhe diskutuar planin e veprimit për reformimin e transportit publik.
Operatorët privat po funksionojnë tash e 10 vite pa licensë në kushte të pa favorshme derisa mbulojnë shumicën e linjave në Kryeqytet. Në anën tjetër, kemi qytetarë që ankohen për shërbim dhe mungesë të orareve në linja ku kërkesa është rritë ndjeshëm.
Ky është rezultati i angazhimit disa mujor. Jemi në rrugë të mirë, e mbështetja e të gjithë operatorëve është e domosdoshme për reformë të mirëfilltë.
🚍 Flotë e re (31) nga kredia me BERZh
🏁 Linja të reja dhe ridizajnim të linjave ekzistuese
📍Stacione dhe mini stacione të reja
📲 Biletë e integruar, pagesë me SMS dhe QR code
🚦 Sistem i avansuar i menaxhimit të trafikut
📑 Rregullore e re për transport publik
🏷️ Çmimore e re
Bashkë, edhe e ndreqim. 💙
Vegëzën e postimit të Sahatçiut në Facebook mund ta gjeni këtu.
Analiza:
Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu ka njoftuar se nga viti i ardhshëm do të ketë reforma në transportin publik. Njëra ndër to, sipas saj do të jetë bileta e integruar, pagesë me SMS dhe QR code.
Këtë njoftim të Sahatçiut e ka publikuar mediumi online “Kosova-sot.info”, duke pretenduar se nga viti i ardhshëm, qytetarët që udhëtojnë me Trafikun Urban nuk do paguajnë me para kesh.
Mirëpo, këtë nuk e ka pohuar Sahatçiu në njoftimin e saj, por që e njëjta vetëm ka bërë të ditur për mundësitë e reja të pagesës së biletës.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Përmbajtje e pa verifikuar”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre raporteve mediatike që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur konfirmojnë të njëjtat për shkak të mungesës ose mos-posedimit të burimeve të besueshme.