info@hibrid.info
Shaqir Totaj nuk e mbajti premtimin për parkun te “Shtëpia e Bardhë”
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Parku i ri në Prizren ishte premtim elektoral në fushatën zgjedhore të zgjedhjeve lokale të vitit 2021 në këtë komunë.

Ky projekt u premtua nga Shaqir Totaj, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për të parin e kësaj komune.

A u mbajt premtimi?

Totaj arriti të marrë votat për të udhëhequr me Komunën e Prizrenit, por gjatë mandatit të tij, projekti jo që nuk u përfundua, por as nuk filloi.


Analiza

Në një video të publikuar (21 shtator, 2021) në llogarinë e Totajt në Facebook ishte paraqitur projekti i paraparë. Në parkun e ri pas hapësirës së “Shtëpisë së Bardhë”, parashihej një nënkalim nga ish-BVI (BVI – Bashkësia Vetëqeverisëse e Interesit, institucion socialist në Kosovë, që mbikëqyrte projektet ndërtimore në vend) në Bazhdarhane në gjatësi deri 200m, një qendër multifunksionale me hapësira të gjelbra dhe shtigje për këmbësorë, hapësira të dedikuara për aktivitete kulturore, kulme të gjelbra të dedikuara për qytetarët dhe parking tre nivelësh me 690 vendparkingje.


Hibrid.info ka hulumtuar nëpërmjet motorit të kërkimit “Google”, për të gjetur rezultate apo burime rreth këtij projekti, por të tilla nuk janë hasur (shih këtu).

Në një video të publikuar (22 shtator, 2024) në Youtube, në kanalin zyrtar të mediumit “Kallxo.com”, në emisionin dedikuar verifikimit të premtimeve të kryetarit Totaj, hibrid.info ka gjetur se projektet për parkun e ri me nënkalimin dhe ndërtimin e parkingut nëntokësor ishin në fazën e studimit të fizibilitetit dhe ato nuk kishin filluar (shih këtu, minuta 10:53).


Një video-material i shkëputur nga një intervistë e Totajt në Radio Televizionin “Dukagjini”, i publikuar (12 shtator, 2025) në kanalin e këtij mediumi në Youtube, shfaq të parin e Prizrenit duke thënë se projekti i nënkalimit ku parashihej ndërtimi i parkut në hapësirën e epërme, është ndryshuar.

Në të njëjtën përmbajtje, Totaj konfirmon edhe mos realizimin e projektit për parkingje, ndërtimin e të cilave i parasheh nëse e merr mandatin e në krye të komunës së Prizrenit në zgjedhjet lokale të këtij viti (shih këtu).


Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor, ndërsa fushata ka filluar më 13 shtator dhe do të zgjasë deri më 12 tetor.

Ndërsa po zhvillohet ende fushata, të martën (7 tetor) hibrid.info ka hasur një video, të cilën Totaj e ka publikuar një llogarinë e tij në Facebook, ku është paraqitur projekti i rishikuar për hapësirën mbrapa “Shtëpisë së Bardhë”.

Totaj ka premtuar se hapësira sipër do të kthehet në gjelbërim për banorët e Bazhdarhanes, ndërsa nën të, sipas tij, do të ndërtohen parkingjet e reja për banorët dhe vizitorët e shumtë. Në këtë projekt nuk është përfshirë ndërtimi i nënkalimit të premtuar para katër vitesh (shih këtu).

Analiza:

Shaqir Totaj kishte premtuar ndërtimin e një parku të ri prapa “Shtëpisë së Bardhë” në Prizren, me nënkalim rreth 200 metra, qendër multifunksionale, hapësira të gjelbra, shtigje për këmbësorë, aktivitete kulturore dhe parking nëntokësor me 690 vendparkingje.

Projekti nuk u realizua gjatë mandatit (2021 – 2025) të Totajt, pasi projekti mbeti në fazën e studimit të fizibilitetit dhe më vonë u rishikua duke u hequr nënkalimi dhe duke u premtuar për mandatin e mundshëm të radhës, vetëm ndërtimi i parkingjeve dhe hapësirave të gjelbra.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson mos përfundimin e këtij projekti si “premtim jo të mbajtur”.

Arsyetimi:

Përmbushja apo mbajtja e premtimeve, kryesisht ndërlidhet me ato parazgjedhore, të cilat monitorohen në nivelin qendror dhe atë lokal gjatë mandatit katër-vjeçar. Ky hulumtim bëhet kryesisht në kohën e fushatës parazgjedhore, ku figurat kryesore politike monitorohen, në mënyrë që të ketë kontroll të fakteve për atë që e thonë. Hibrid.info bazuar në premtimet e bëra më herët, përmes programit zgjedhor, i kontrollon deklaratat e këtyre politikaneve, për të parë nëse pas mandatit kanë arritur t’i mbajnë ato premtime. Hibrid.info planifikon që të publikojë raporte të tilla edhe në baza vjetore.

Share With Others