Përmes një videoje të publikuar në Facebook pretendohet se lideri i Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel ka deklaruar se aktakuza ndaj Hashim Thaçit dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është hartuar në Beograd.
Çka nuk shkon me këtë përmbajtje?
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga Hibrid.info, u vërtetua se kjo deklaratë nuk është thënë nga Sheshel në emisionin nga i cili është shkëputur pamja. Po ashtu, audioja është gjeneruar përmes inteligjencës artificiale (IA).
Videoja është gjetur e publikuar nga faqe e llogari në median sociale Facebook (shih këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu).

Videoja, e cila është shpërndarë nga faqe dhe llogari të ndryshme në Facebook, përmban pamje të Vojisllav Sheshelit duke folur në gjuhën serbe, ndërsa mbi video janë vendosur titra në shqip.
Në video pretendohet se Sheshel ka thënë:
“Aktakuza kundër Thaçit dhe UÇK-së është shkruar në Beograd. Dëshmitarët, dosjet dhe hartimin e aktakuzës i kemi bërë ne. Gjykata Speciale vetëm i ka vulosur gjetjet tona. Madje, edhe në një pjesë të madhe të dëshmitarëve shqiptarë i kemi gjetur ne. Më shumë shqiptarë kanë dëshmuar kundër UÇK-së sesa kundër Millosheviqit”.
Hibrid.info ka gjetur emisionin e plotë nga i cili është shkëputur pjesa e publikuar në rrjetet sociale dhe ka verifikuar përmbajtjen e tij.
Në përshkrimin e emisionit të publikuar më 26 qershor në YouTube thuhet se bëhet fjalë për një format në të cilin Sheshel, gjatë shfletimit të shtypit të mëngjesit, analizon temat aktuale të raportuara në faqet e para të gazetave.
Megjithatë, në emisionin e plotë nuk gjendet deklarata që i atribuohet Sheshelit në videon e shpërndarë në Facebook.
Pra, pamjet e Sheshelit janë marrë nga një emision real, por audioja dhe titrat që i atribuojnë atij deklaratën për aktakuzën ndaj Thaçit dhe UÇK-së nuk përputhen me atë që është thënë në emisionin origjinal.
Përveç kësaj, në përshkrimin e këtij emisioni tregohet edhe për temat që është biseduar. Në përshkrim thuhet se u bisedua për temat si:
Seriali televiziv i paralajmëruar për dr. Vojislav Sheshelin dhe roli i Branislav Leçiçit.
Tubimi politik “Serbia, një familje” dhe uniteti kombëtar.
Analiza e zgjedhjeve të ardhshme dhe propozimet për mbajtjen e tyre.
Hapja e segmentit të Korridorit të Moravës nga Preljina deri në Kraljevë.
Rasti i “topit zanor” dhe analiza e raportimeve në media.
Kthimi i eshtrave të Blagoje Jovoviçit në Serbi.
Kërkimi për burimin e pretendimit
Hibrid.info ka kryer kërkime edhe në gjuhën shqipe dhe serbe për deklaratën e pretenduar (shih këtu dhe këtu).
Kërkimi nuk ka nxjerrë ndonjë raportim nga media apo burim kredibil që dokumenton se Sheshel ka deklaruar se aktakuza ndaj Thaçit dhe UÇK-së është hartuar në Beograd, apo se dëshmitarët dhe dosjet për këtë rast janë përgatitur nga pala serbe.
Hibrid.info e ka analizuar edhe audion e videos përmes disa platformave që ofrojnë detektim të fjalimit (shpeech) të krijuar ose manipuluar me inteligjencë artificiale.
Rezultatet kanë dhënë këto vlerësime: Hive Moderation: 57.2% probabilitet që audioja është e gjeneruar me IA, Detect Deepfakes: 86% dhe Diopter.ai: 75% (shih fotografitë më poshtë).



Analiza
Videoja përdor pamje reale të Vojislav Sheshelit, të marra nga një emision i publikuar më 26 qershor, por mbi këto pamje është vendosur një audio/deklaratë që nuk është thënë në emisionin origjinal.
Për më tepër, kërkimet në burime në gjuhën shqipe dhe serbe nuk kanë gjetur ndonjë burim kredibil që ta dokumentojë këtë deklaratë.
Po ashtu, edhe platformat për detektimin e IA-së, kanë treguar përqindje të lartë se fjalimi (speech) është i gjeneruar me inteligjencë artificiale.
Prandaj, pretendimi se Vojislav Sheshel ka deklaruar se aktakuza ndaj Hashim Thaçit dhe UÇK-së është shkruar në Beograd është i pavërtetë. Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Mashtrim”.
Arsyetimi
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.