Publikohet një imazh që ka mbishkrimin “ARRIHET MARRËVESHJA VETËVENDOSJE-PDK”.
Përmbajtja me këtë mbishkrim është publikuar të dielën (27 shtator) në Facebook nga faqja me emrin “Prishtina City”.
Çka nuk shkon me këtë përmbajtje?
Titulli nuk e ka saktësuar se për çfarë marrëveshje politike bëhet fjalë ndërmjet këtyre dy subjekteve politike, çka e bën atë përgjithësues.

Faqja publikuese ka mbi 400 mijë ndjekës, ndërsa deri në momentin e trajtimi, postimi ka marrë më shumë se 90 reagime.
Nga përmbajtja e komenteve, mund të vlerësohet se ka gjasa që audienca të mos e ketë të qartë se për çfarë marrëveshje bëhet fjalë.
Këtij postimi i është bashkangjitur edhe vegëza e artikullit që ka si titull të njëjtin mbishkrim (shih këtu).
Artikulli në brendësi, i referohet raportimit të mediumit “VOX Kosova”, ku tregohet se kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza janë takuar për të diskutuar një deklaratë të përbashkët lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas artikullit, VV dhe PDK janë dakorduar për këtë deklaratë, e cila kundërshton aktgjykimin dhe parashikon që Kuvendi të ndërmarrë veprime, përfshirë ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Takimi është zhvilluar edhe në kontekstin e çështjes së konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së Presidentit.
Marrë parasysh që në tekst u janë referuar “VOX Kosova”, hibrid.info kontrolloi në uebfaqen e këtij mediumi. Aty u gjet artikulli, i cili konfirmon raportimin në tekstin e mësipërm, por me titullin “SËRISH Takohen Kurti me Hamzën” (shih këtu).
Të hënën (28 shtator), Kuvendi i Kosovës miratoi me 99 vota një deklaratë lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në deklaratë, deputetët e konsideruan të papranueshëm konstatimin për ekzistencën e një “qëllimi të përbashkët kriminal” të katër të dënuarve.
Deklarata u mbështet nga LVV, PDK, LDK, Aleanca dhe Grupi Parlamentar Multietnik. Në të njëjtën ditë, Ndërkohë, PDK-ja ka propozuar ndryshime në ligjin për Dhomat e Specializuara, që ndër të tjera synojnë kufizimin e juridiksionit të Speciales, uljen e dënimit maksimal në 15 vjet dhe ekzekutimin e dënimeve në Kosovë.
Kjo tregon se LVV dhe PDK kanë arritur një dakordim të përbashkët për këtë çështje, së bashku me partitë e tjera parlamentare që e mbështetën deklaratën.
Megjithatë, të mërkurën (23 shtator) Gjykata Kushtetuese përcaktoi se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, ishte zgjedhur në përputhje me Kushtetutën, ndërsa konstatoi se afati për zgjedhjen e Presidentit është deri më 6 tetor 2026.
Kjo nënkupton se aktualisht ende jemi brenda afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit.
Andaj, mos-saktësimi në titull se për çfarë marrëveshjeje bëhet fjalë ndërmjet LVV-së dhe PDK-së mund të krijojë përshtypjen se palët kanë arritur një marrëveshje të përgjithshme politike, përfshirë edhe çështjen e zgjedhjes së Presidentit, ndonëse nga përmbajtja e artikullit rezulton se dakordimi lidhet me deklaratën për aktgjykimin e Gjykatës Speciale, ndërsa për Presidentin është shprehur vetëm gatishmëri për diskutim (shih këtu).
Analiza
Titulli se LVV-ja dhe PDK-ja kanë arritur një marrëveshje të përgjithshme politike është përgjithësues, pasi aty nuk përcaktohet se për çfarë marrëveshjeje bëhet fjalë.
Hibrid.info ka kontrolluar raportimin të cilit i referohet përmbajtja dhe ka gjetur se dakordimi ndërmjet LVV-së dhe PDK-së lidhet me një deklaratë të përbashkët për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Më 28 shtator, kjo deklaratë u miratua në Kuvend me 99 vota dhe ishte harmonizuar nga grupet parlamentare të LVV-së, PDK-së, LDK-së, Aleancës dhe Grupit Multietnik.
Ndërkaq, sa i përket zgjedhjes së Presidentit, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se PDK-ja është e hapur për të diskutuar këtë çështje me LVV-në nëse miratohet projektligji për Dhomat e Specializuara. Ai ka bërë të ditur se në takimin me Albin Kurtin kanë diskutuar për Presidentin, por jo për emra konkretë.
Po ashtu, partitë parlamentare ende nuk kanë arritur marrëveshje për një emër për President, ndërsa afati kushtetues për zgjedhjen e tij përfundon më 6 tetor 2026.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Clickbait”.
Arsyetimi
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.