info@hibrid.info
Titulli e keqinterpreton emërimin e Delegatit Apostolik si deklaratë të Papës për mosnjohjen e Kosovës
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Publikohet një artikull i titulluar “Papa i ri vazhdon traditën e vjetër: Nuk e njohim Kosovën”.

Artikulli është publikuar (20 maj) fillimisht nga mediumi në gjuhën shqipe “a2news.com”.

Më pas është publikuar nga disa media tjera në gjuhën shqipe (shih këtu).

Çka nuk shkon me këtë përmbajtje?

Titulli është paraqitur në formën se qëndrimi “Nuk e njohim Kosovën”, ka ardhur si deklarim i Papës Leo XIV, i emëruar në kishën katolike, pas vdekjes së Papa Franceskut.

Por informacionet e paraqitura në artikull nuk përmbajnë asnjë deklaratë të re nga Papa apo Selia e Shenjtë që lidhet me njohjen apo mosnjohjen e Kosovës.


Titulli sugjeron se Papa Leo XIV po ndjek të njëjtën politikën për një çështje. Pas këtij informacioni, në titull është vendosur shenja e pikësimit “:” pas së cilës jepet fjalia “Nuk e njohim Kosovën”.

Pjesa pas pikësimit me “:” në tituj të tillë nënkupton zakonisht se kemi të bëjmë me një deklaratë të personit të përmendur apo institucionit që ai përfaqëson (shih këtu).

Që do të thotë se mosnjohja e Kosovës është konfirmuar me anë të një qëndrimi të përsëritur nga ana e Vatikanit.

Por, informacioni kryesor i artikullit paraqitet në kreun e lajmit, kur thuhet se “Papa Leon i katërmbëdhjetë emëroi Luigji Bianko si Nunc Apostolik në Slloveni dhe Delegat Apostolik në Kosovë”.

Çka do të thotë se kemi të bëjmë me emërim të një Delegati Apostolik në Kosovë, si praktikë diplomatike e Kishës Katolike për vendet me të cilat nuk ka marrëdhënie të plota diplomatike. Pra delegati nuk është ambasador, por përfaqësues i Papës (shih këtu).

Emërimi i këtij përfaqësuesi mund të nënkuptojë se Vatikani ende mban qëndrim të njëjtë në raport me Kosovën. Kjo gjë përmendet në artikull kur thuhet se ky emërim “saktëson se Selia e Shenjtë vazhdon me politikën e vjetër ndaj Prishtinës zyrtare”. Por, në artikull mungon sqarimi i rolit të Delgatit Apostolik dhe se çka nënkupton ky emërim për raportet ndërmjet Kosovës dhe Vatikanit.

Artikulli për emërimin e Delgatit Apostolik në Kosovë, është bazuar nga raportimi i mediumit “vaticannews.va” në gjuhën gjermane, ku paraqitet edhe një kontekst i raporteve politike ndërmjet Kosovës dhe Vatikanit (shih këtu).

Megjithatë, edhe në artikullin e “vaticannews.va” mungon informacioni se nga Selia e Shenjtë, me anë të një deklarimi është konfirmuar qëndrimi për mosnjohjen e Kosovës.


Analiza

Titulli ka paraqitur informacionin se është rikonfirmuar qëndrimi i Vatikanit për mosnjohjen e Kosovës përmes një deklarate të re zyrtare.

Por, pretendimi nuk vlen, sepse nuk ka asnjë deklaratë të re nga Papa apo Selia e Shenjtë që lidhet me mosnjohjen e Kosovës – titulli e paraqet si qëndrim të saposhprehur një politikë të vjetër që nuk është rikonfirmuar publikisht.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Clickbait” dhe “Manipulim i fakteve”.

Arsyetimi

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Share With Others