Një raportim i medias “Dukagjini” ku paralajmërohet ngritja e një aktakuze nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës lidhur me sulmin ndaj familjes Jashari në mars të vitit 1998 në Prekaz, është shndërruar në një narrativë të gjerë propagandistike në disa media serbe dhe ruse. Duke përdorur gjuhë emocionale dhe etiketime politike, këto media e kanë paraqitur hetimin si një “gjueti ndaj serbëve”, ndërsa operacionin policor të marsit 1998 e përshkruajnë si një “aksion legjitim antiterrorist” kundër Adem Jasharit, të cilin këto media e cilësojnë si “terrorist”.
Në këtë mënyrë, lajmi fillestar për një proces juridik të paralajmëruar nga Prokuroria Speciale e Kosovës është transformuar në një debat politik dhe historik, ku vihen në pikëpyetje jo vetëm viktimat e masakrës së Prekazit, por edhe interpretimi i ngjarjeve që konsiderohen një prej momenteve kyçe të fillimit të luftës në Kosovë.
Cilat janë narrativat në mediat serbe dhe ruse?
Kjo qasje u promovua nga media ruse “RT Balkan”, e cila publikoi artikullin me titull “Në Prishtinë terroristi do të thotë hero: Po ngrihet aktakuzë për vrasjen e Adem Jasharit”. Në artikull pretendohet se autoritetet e Kosovës po përpiqen ta paraqesin atë ngjarje, që kjo media e quan “aksion antiterrorist”, si një sulm ndaj civilëve, ndërsa paralajmërimi për aktakuzën cilësohet si një “gjueti e re ndaj serbëve”. “RT Balkan” e përshkruan Adem Jasharin si “terrorist”, të dënuar për terrorizëm dhe përgjegjës për vrasje të policëve serbë, duke përsëritur gjithashtu pretendime të kahershme se ai kishte përdorur familjarët si “mburojë të gjallë” dhe se kishte vrarë një nip të tij “për shkak të frikës”.

Një narrativë pothuajse identike u publikua edhe nga “Sputnik Serbia”, me titullin “Vazhdon gjuetia ndaj serbëve: Prishtina ngre aktakuzë për ‘vrasjen’ e Adem Jasharit”. Vetë përdorimi i thonjëzave te fjala “vrasje” është domethënës, pasi synon të vërë në dyshim natyrën e ngjarjes dhe legjitimitetin e hetimit. Artikulli e paraqet procesin juridik jo si një përpjekje për të hetuar ngjarjet e marsit 1998, por si vazhdim të një politike të pretenduar të përndjekjes së serbëve nga institucionet e Kosovës.

Narrativa bëhet edhe më e ashpër në tabloidin në gjuhën serbe “Informer”, i cili në titullin e tij shkruan: “Shqiptarët nuk heqin dorë nga rishkrimi i historisë: Sërish madhërojnë terroristin që përdori fëmijët si mburojë të gjallë”. Në këtë artikull pretendohet se institucionet e Kosovës po ushtrojnë “represion ndaj serbëve”, se Adem Jashari ka përdorur gra dhe fëmijë si mburojë të gjallë, ndërsa veteranët e UÇK-së akuzohen se mbështesin “rehabilitimin e terroristëve”. Kështu, paralajmërimi për një aktakuzë shndërrohet në një argument për të forcuar narrativën politike se Kosova po tenton të rishkruajë historinë e luftës së viteve 1998-1999.

E njëjta qasje reflektohet edhe në ballinën e gazetës në gjuhën serbe “Večernje Novosti”, e cila e vendos këtë çështje në titullin kryesor: “Po shkruhen aktakuza të reja: Po ndjekin policët serbë edhe për vrasjen e terroristit!”. Mestitujt e gazetës vazhdojnë me pretendimet se “Prishtina është vërsulur ndaj pjesëmarrësve të ‘sulmit ndaj familjes Adem Jashari’“ dhe se ajo “po përpiqet ta paraqesë operacionin antiterrorist si një përballje me civilët”. Përdorimi i fjalës “terrorist” në titull nuk është neutral, por i jep lexuesit një interpretim të paracaktuar të ngjarjes, ndërsa formulimi brenda tekstit “po ndjekin policët serbë” e paraqet një proces të mundshëm penal si një sulm politik dhe etnik ndaj serbëve, e jo si një procedurë juridike për hetimin e ngjarjeve të luftës.

Cilat janë faktet?
Pretendimet e publikuara nga media serbe dhe ruse, se aktakuza e paralajmëruar nga Prokuroria Speciale e Kosovës përbën vazhdim të një “gjuetie ndaj serbëve”, nuk mbështeten në fakte të verifikueshme. Prokuroria Speciale nuk ka përmendur ndonjë etni apo komunitet të caktuar për aktakuzën e paralajmëruar, por ka njoftuar se rasti i sulmit ndaj familjes Jashari po trajtohet me prioritet në kuadër të hetimeve për krimet e luftës dhe përgjegjësinë penale individuale. Formulimi “Vazhdon gjuetia ndaj serbëve” është një cilësim politik dhe emocional, i cili nuk përfaqëson një fakt të provuar, por synon të krijojë perceptimin e ekzistencës së një fushate të organizuar kundër serbëve.
Po ashtu, pretendimet se Adem Jashari ka përdorur gra dhe fëmijë si “mburojë njerëzore” ose se “ka vrarë një nip të tij për shkak të frikës” nuk janë konfirmuar nga burime të pavarura ndërkombëtare. Në raportet e organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, si Human Rights Watch dhe Amnesty International, si dhe në dokumentacionin e përdorur në proceset e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), nuk ekziston ndonjë konstatim i verifikuar që mbështet këto akuza. Përkundrazi, ngjarjet e 5-7 marsit 1998 në Prekaz janë dokumentuar si një operacion ku u vranë dhjetëra anëtarë të familjes Jashari, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar. Për rrjedhojë, pretendimet e përhapura nga disa media serbe dhe ruse mbeten të pakonfirmuara dhe bazohen kryesisht në narrativa politike e propagandistike, e jo në prova të verifikuara në mënyrë të pavarur.
Në mars të vitit 1998, në Prekaz, forcat policore dhe ushtarake serbe ndërmorën një operacion të gjerë kundër kompleksit të familjes së Adem Jashari, një prej figurave kryesore të rezistencës së armatosur shqiptare në Kosovë. Sulmi i parë u pasua nga një ndërhyrje më e madhe, e mbështetur nga forca të shumta të vendosura edhe nga një fabrikë municioni në afërsi, duke e shndërruar ngjarjen në një operacion të shkallës së lartë ushtarake.
Sipas Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), gjatë sulmeve të 5, 6 dhe 7 marsit 1998 në Prekaz u vranë gjithsej 59 persona. Viktimat përfshinin fëmijë, gra dhe të moshuar, duke e bërë këtë një nga ngjarjet më të rënda të asaj periudhe.
Analiza:
Pretendimet se aktakuza për sulmin ndaj familjes Jashari përbën “gjueti ndaj serbëve” nuk mbështeten në fakte, pasi Prokuroria Speciale ka njoftuar vetëm se rasti po trajtohet si hetim për krime lufte dhe përgjegjësi individuale.
Po ashtu, pretendimet se Adem Jashari ka përdorur familjarët si “mburojë njerëzore” ose se “ka vrarë një nip të tij” nuk janë konfirmuar nga asnjë raport i pavarur ndërkombëtar apo vendim gjyqësor.
Këto pohime përsëriten kryesisht në narrativa politike dhe propagandistike nga media serbe dhe ruse, pa prova të verifikuara që t’i mbështesin.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këto pretendime i vlerëson si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.