Shkroi: Fatbardh Dema
Gjatë monitorimit të përditshëm në rrjetin social Facebook, ekipi i hibrid.info ka identifikuar katër përmbajtje që lidhen me tema sociale, veçanërisht me mundësi punësimi. Këto postime, të cilat në pamje të parë duken si oferta pune të rregullta, pas kontrollit të hollësishëm të fakteve, u zbuluan të jenë përmbajtje mashtruese, duke i drejtuar përdoruesit në ueb-faqe të pasigurta ose pa përmbajtje reale pune.
Një nga rastet e përmendura është një faqe në Facebook me emrin “Zzseghjk”, e cila ka publikuar një postim që pretendon se kërkohen punëtorë për paketimin e vezëve. Pasi klikohet në këtë postim, hapet një ueb-faqe me emrin “Eggpackingjobs67.xyz”, që sipas përshkrimit në postim duhej të ofronte mundësinë për aplikim në këtë lloj pune. Megjithatë, pasi u analizua përmbajtja e faqes, u zbulua se nuk ekzistonte asnjë mundësi reale për të aplikuar për punë. Në vend të kësaj, vegëzat e ofruara drejtojnë përdoruesit në faqe të tjera të huaja që nuk kanë asnjë lidhje me përmbajtjen e pretenduar në postim.
Për të vërtetuar legjitimitetin e kësaj faqeje, hibrid.info përdori disa platforma të njohura për verifikimin e ueb-faqeve, si “scamdoc.com” dhe “scamadviser.com”. Të dyja këto platforma e klasifikuan faqen “Eggpackingjobs67.xyz” si një faqe me besueshmëri shumë të ulët, duke sugjeruar që ka të ngjarë të jetë një mashtrim. Këto platforma nxorën tregues negativë që lidheshin me domenin e përdorur dhe natyrën e faqes, duke shtuar dyshimet se përdoruesit që bien në kontakt me këtë faqe mund të jenë subjekt i mashtrimeve të mundshme. (shih këtu dhe këtu)
Një tjetër faqe në Facebook me emrin “Masvey” ka postuar një përmbajtje të ngjashme, e cila pretendon të ofrojë mundësi punësimi për 50 persona në industrinë e paketimit të vezëve. Ashtu si në rastin e parë, edhe këtu u përfshi një ueb-faqe, “eggpackingjob9.buzz”, që u analizua nga hibrid.info dhe rezultoi të ketë një rang shumë të ulët në aspektin e sigurisë dhe besueshmërisë. Për më tepër, serveri që mban këtë domen përmban edhe faqe të tjera të dyshimta, që shtojnë më tej dyshimet për një mashtrim të mundshëm. (shih këtu dhe këtu)
Dy raste të tjera të ngjashme përfshijnë faqet “Ar Service” dhe “Job.com”, të cilat gjithashtu kanë publikuar përmbajtje që pretendojnë se ofrojnë mundësi punësimi për pastrues, duke shtuar detaje që e bëjnë ofertën të duket më tërheqëse, si fakti që mosha nuk është kriter për aplikim dhe se akomodimi dhe ushqimi janë falas.
Në rastin e faqes “Ar Service”, pas analizimit, ueb-faqja që shfaqet në postim, “Sewercleaner13.today”, rezultoi të ishte mashtruese, duke shfaqur një strukturë të ngjashme me rastet e mëparshme. Edhe këtu, platforma të besueshme për verifikimin e ueb-faqeve, si “scamdoc.com” dhe “scamadviser.com”, identifikuan tregues negativë për këtë faqe, duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e saj. (shih këtu dhe këtu).
Po ashtu, faqja “Job.com” paraqiti një tjetër vegëz, “hospitalcleaning12.solutions”, e cila u analizua dhe rezultoi me një nivel të ulët të besueshmërisë, duke lënë të kuptohet se edhe kjo mund të jetë një faqe mashtruese. Kontrolli përmes platformave të verifikimit të ueb-faqeve dha rezultate të ngjashme me rastet e tjera, duke treguar se ky domain ka shumë gjasa të jetë i lidhur me aktivitete mashtruese. (shih këtu dhe këtu)
Në përfundim, të gjitha këto raste demonstrojnë se përdoruesit e rrjeteve sociale, veçanërisht në Facebook, duhet të jenë të kujdesshëm kur përballen me oferta të ngjashme për punësim, pasi shumë prej tyre mund të jenë pjesë e skemave mashtruese që kanë për qëllim të mashtrojnë përdoruesit.