[email protected]
Sulmet e inskenuara nga Moska në lindje të Ukrainës, pretekst për të filluar operacionin ushtarak rus
shape
shape
shape

Autoritetet ruse kanë përmendur një sërë incidentesh në Ukrainën lindore për të justifikuar veprimet ushtarake.

Në fjalimin e tij të hënën, Vladimir Putin tha se autoritetet ukrainase “nuk janë të interesuara për një zgjidhje paqësore”.

“Përkundrazi, ata po përpiqen të ngrenë një blitzkrieg në Donbas”, tha ai.

Por SHBA-ja ka paralajmëruar se Rusia po falsifikon akte provokuese – të ashtuquajturat incidente të “flamurit të rremë“, të cilat janë inskenuar për t’u dukur se vijnë nga njëra anë në një konflikt – në mënyrë që të krijohet një pretekst për veprim ushtarak.

Pra, çfarë ka ndodhur në Ukrainën lindore dhe çfarë dimë për të?

Çfarë është një sulm me flamur të rremë?

Pretendohet “sabotim” i separatistëve

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ka gjurmuar mijëra shkelje të armëpushimit në ditët e fundit.

Por ka një numër në rritje të provave që tregojnë se thashethemet në internet kanë keqinterpretuar disa sulme dhe se disa ngjarje madje mund të jenë inskenuar nga vetë pala ruse.

Për shembull, të premten, një video qarkulloi në një kanal të Telegram-it, të drejtuar nga separatistët e mbështetur nga Rusia. Në atë material pretendohet se paraqitet një përplasje midis një “grupi sabotues armik” dhe forcave pro-ruse në Ukrainën lindore.

Postimi paraqiste një video me militantë pro-ukrainas duke u përpjekur të hidhnin në erë një rezervuar klori në zonën e Donbasit të kontrolluar nga separatistët pro-rus.

“Formacionet e armatosura të Ukrainës po përpiqen qëllimisht të mbjellin frikë dhe panik në popullatën civile”, thuhet në postim. “Faktet e mësipërme janë konfirmim i drejtpërdrejtë i përgatitjeve të palës ukrainase për të nisur armiqësitë”.

Videoja u kap më pas nga agjencitë e lajmeve pro-separatiste dhe ruse.

Por hetuesit me burim të hapur në mediat sociale vunë në dukje disa mospërputhje që tregonin se video ishte xhiruar në një datë më të hershme dhe ishte manipuluar.

Gjatë inspektimit të meta të dhënave të videos – të cilat mund të përdoren për të parë se kur është krijuar ose modifikuar një skedar – hetuesit zbuluan se data e krijimit të videos ishte 8 shkurti – dhjetë ditë përpara se të postohej.

Videoja gjithashtu duket se ka audio të dubluar, marrë nga një video në YouTube e postuar në vitin 2010 në një poligon ushtarak në Finlandë. Duket shumë e pamundur që kjo video të tregojë atë që separatistët pretendojnë se tregon.

Artikulli i plotë i BBC-së

Share With Others